Më të mirët nga Lindja

Në dy ditët e këtij festivali janë paraparë të mbahen një varg aktivitetesh kulturore, përfshirë edhe premierën botërore të shfaqjes “Yue Madeleine Yue” e Jeton Nezirajt, produksion i Qendrës Multimedia nga Prishtina.
Siç bëhet e ditur nga një njoftim i dërguar nga Ambasada Austriake në Kosovë, edicioni i dhjetë i “Die Besten aus Dem Osten” i është kushtuar vendin tonë. Në programin dyditor të festivalit mund të ndiqen edhe leximi në skenë nga shfaqja e Jeton Neziraj ‘Lufta në Kohën e Dashurisë’. Romani i dytë, ende i papublikuar i autorit dhe gazetarit Beqë Cufaj, do të japë një pasqyrë mbi skenën politike e kulturore në Kosovë, ndërsa poezitë e Ervina Halilit do ta paraqesin anën poetike të Kosovës.
“Yue Madeleine Yue” është prodhuar si pjesë e komponentës për kulturë të “Mbështetja e BE në implementimin e strategjisë për RAE”, projekt ky i financuar nga BE dhe menaxhuar nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, ndërsa i realizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur - KFOS. Ky projekt synon mirëqenien socio-ekonomike, qasjen në edukim dhe arsim, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian në Kosovë.
Pas prezantimit në Vjenë më 24 dhe 25 shkurt 2012, premiera në Kosovë do të jepet në muajin maj, në kuadër të festivalit të kulturës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, i cili poashtu organizohet si pjesë e projektit të lartpërmendur.
Në fokus të tragjikomedisë “Yue Madeleine Yue” është një familje rome, e cila mbas kthimit nga Gjermania në Kosovë, përpiqet të mbijetojë në realitetin e ri politik e social të shtetit të sapolindur. Medlin, një ditë bie në një gropë të hapur nga një kompani ndërtimi. Derisa vajza e mbetur në koma, lufton me vdekjen, babai i saj, në përpjekje për të kërkuar drejtësi, ballafaqohet me zyrtarë burokratë, biznesmenë e të tjerë.
Kjo është një dramë politike për Kosovën e pasluftës, por, para së gjithash, është një dramë për romët në Evropën e sotme.