“Më tepër flasin për moralin ata që s’e kanë” -Sokrati
Pinjojtë e “idealistëve” të pushtetit të “kopaçes”, nuk po e pranojnë humbjen. Po të kishin fituar, do ta mbanin veten për “etalon” të drejtësísë. Kështu e kanë ideatorët e mashtrimit. Kur munden, vetëshpallen fitimtarë, që pastaj në Kuvend të sillen si mazhorancë. Po të rrëmbejnë pushtetin, kanë etje të bastardojnë pluralizmin. Të drejtën për të sunduar e çmojnë si “indulgjencë” të historísë. Kush fiton kundër tyre, të lidhë kokën me shtatë peshqirë. Për katër vjet ia prunë të djathtës buzën prapa veshit. Sjellja e tyre në Kuvend i shëmbëlleu “hakmarrjes” për motive të dobëta. Ndoshta prandaj populli tallej me bojkotet e tyre me atë shprehjen popullore : “ Hyr e dil e tund peshqirë !”. Vetëm një apostull mund t’ua përballojë arrogancën. Socialistët janë mjeshtër të kalimit nga të akuzuar në akuzonjës. A nuk janë këta “fakirë” që për mënxyrën komuniste “justifikohen” edhe sot se kanë zbatuar ligjin, ndërsa për masakrat, që s’i fshehën dot, vazhdojnë t’i quajnë gabime ? S’janë këta që degradimin e kombit e kanë çmuar si nevojë historike ? Që korrupsionit i dhanë meritën e një forceje zhvillimi ? Që luftës së djeshme të klasës i kanë ndryshuar vetëm “fustanin” ? A nuk janë këta që, për izolimin e vendit, heshtin si peshku ? Që për prapambetjen akuzojnë armiqtë imagjinarë ? Nuk janë këta që duke qënë të pandehur, mburren si shpëtimtarë ? Që dhe tolerancën fisnike të viktimave e shpallin meritë të vetes ? Masakrues të pafajsisë, mbahen për ideatorë të krijimit të “Botës së ré”. Ndoshta kjo e frymëzoi Ramën për “Politikën e tij të ré”!? Ndoshta prandaj thotë populli për ta :” Mos të zëntë me të liqtë !”.
Të bindur se zgjedhjet e qershorit do t’i fitonin, pinjojtë e epokës së “dajakut” zunë të vinin kushte për t’u plotësuar standartet. Hodhën, pra, hapin e parë të preteksteve për kontestimet që parashikonin. Por, të mos u dukeshin këmbët e gjarpërit, u shtirën konsensualë. Bënë dhe ndonjë gjest për të fituar pikë. Ndonëse i janë trembur gjithmonë një integrimi të hershëm, janë shtirur si promotorë të aderimit në strukturat euroatlantike. Mos kanë besuar se kështu mund t’u faleshin mëkatet ? Humbjen e pushtetit e kanë barazuar gjithmonë me jetën e tyre. Se, kur njeriu s’ka vlera, kapet pas atyre që mund t’i falë “kolltuku”. Kush i merr delirantit pushtetin, s’mund të jetë veçse mashtrues. Të mësuar me paragjykime, socialistët s’mund të jenë realistë. Nuk pranojnë ata t’i ndëshkojë populli me votë. Ky është për ta “apokalipsi”. Se, ku do të shkonin, atëherë, ato mijra shpifje për kundërshtarin ? Thirrjet e gurmazeshqyerve :”Çohu!”? Ku do të derdheshin lumenjtë e lotëve të krokodilit për mjerimin, që e zbuluan si gaforja në rërë ? Ku t’i fshehin socialistët fjalimet patetike të “liberalit” të tyre diktator, Edvin Rama ? Tërë ato shpifje për korrupsionet familjare të drejtuesve të djathtë !? Hë, pra ! Ku t’i fusin socialistët, atëherë, premtimet e tyre prej mijëra faqesh “programi” të padukshëm ? Në ç’det t’i flakin ato qindra akuza për “Gërdecin” ? Për shkollat ? Për spitalet ? Për papunësinë ? Për gënjeshtrat e së djathtës ndaj, gjoja, rritjes fiktive të rrogave, pensioneve dhe çmimeve !? Jo ! Kjo humbje nuk mund të durohet nga ata, që janë mësuar t’i rrëmbejnë votat edhe me tanke. Atëherë, ç’të bëjnë ? Të heshtin ? Të presin kocka nga qielli? Apo të pranojnë se ua ka marrë ferra uratën ? Ç’u ka mbetur për të shpifur tjetër kundër së djathtës ? Por, në fund, iu duk sikur e gjetën. Sikur e zbuluan “thembrën” e Akilit. Iu dashkësh, pra, të mos njihnin zgjedhjet dhe të hedhin kështu baltë mbi standartet e tyre. Se, ç’t’i thonë tjetër “Aleancës së integrimit” ? Pse e ka urdhëruar sovrani t’i hipë kalit me shalë? S’kanë nga t’ia mbajnë. T’i dalin kundër sovranit, do të qe vetëvrasje. Atëherë, o burra, të shtyjnë afatin e shpalljes së rezultateve. Të mos njohin as vetë zgjedhjet. Të njollosin, pra, kështu standartet. E djathta duhet akuzuar për manipulim. Po dhe sovrani duhet ndëshkuar. Por veç nën zë. Pse guxoi të votonte kundër socialistëve? Punë e madhe pse do të dalin kështu të humbur dhe gjithë të majtët! A nuk ua dha mallkimin Rama qysh para zgjedhjeve se: “Kush voton për Metën, ka votuar për të djathtën?!”. A nuk po i kërkojnë atij edhe të majtët të japë dorëheqjen? Po pa t’i marrim gjërat një nga një? Sa shpifje ka bërë Rama se, gjoja, zgjedhjet qënkan manipuluar? Sa kushte absurde ka kërkuar ai për numërimin e kutive të votimit? Ç’ndëshkime ka kërkuar për komisionerët e vet? Si i ka shpërfillur ky “misionar” urimet e miqve seriozë të Shqipërisë për zgjedhjet e shkëlqyera? Si e ka lexuar ai entusiazmin e popullit për standartet e arritura? A nuk tregojnë këto agoninë e socialistëve nga kjo humbje fatale ? Po indiferenca kriminale e Ramës për flakjen e aleatëve? Padurimi i tij për të mos pritur as verdiktin e Këshillit të Lartë të Drejtësísë? A nuk tregojnë se socialistët nuk janë veçse një bandë inatçorësh e hakmarrësish cmirëzinj, një kope delirantësh cinikë, ca egoistë të sëmurë dhe ithtarë të pandreqshëm të epokës së “hurit e të litarit”? Por populli e ka dhe për ta një shprehje: “Kur i vjen ngodhja qenit, ndot në derën e xhamisë!”. Dhe nuk është paradoks që, duke mos e dëshiruar integrimin e shpejtë, kërkojnë ta arrijnë atë vetë. Por jo kundërshtari. Socialistëve u duhet edhe pak kohë, sa të konsolidojnë pronat dhe pasuritë e vjedhura. Realizimi i Integrimit nga një e djathtë që synon shtetin ligjor dhe thellimin e demokracisë, i nxjerr me këpucë të kuqe! Ata që duan pushtet me çdo kusht dhe ëndërrojnë si ariu që thoshte se do të bëheshin dardhat pse i haheshin atij, nuk pyesin për pasojat e keqdashjeve të tyre ogurzeza! Nuk pyesin socialistët humbës për të ardhmen e një sovrani, që i ndëshkoi me votë. Thonë se “hakmarrja” i lehtëson shpirtrat e zinj të mëkatarëve. Për shpirtin shkatërrues të socialistëve, po binden edhe të majtët. Prandaj njollosja e standardeve ka për t’iu kthyer plangprishësve në bumerang. Koha rrjedh shpejt. Socialistët do t’i drejtohen rishtas për vota elektoratit, që po tentojnë ta izolojnë! Kurse Bota, që po monitoron zgjedhjet, në mohímin absurd të të mundurve, dallon qartë nivelin e ulët të standardit demokratik brenda partisë së tyre!...
...