E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet ish-agjenti i antidrogës

Autori i Lajmit: red.
Vrasja në Elbasan

Ekzekutohet pak metra larg shtëpisë ish-agjenti i anti-drogës. Të paktën dy persona të maskuar e të hipur në një motor kanë qëlluar me pistoletë 42-vjeçarin Roland Rexhepi. Burime nga policia bëjnë të ditur se 42-vjeçari ishte larguar nga policia 3 vite me pare ishte një nga figurat kryesore mes agjentëve që kishin goditur një sërë trafiqesh droge, dhe priste të rikthehej në detyrë. Një ish-agjent i antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit është qëlluar me armë zjarri nga persona të maskuar vetëm pak metra larg banesës në lagjen “Vullnetari”, afër Universitetit.
Hetimet
Grupi hetimor zbuloi prova të rëndësishme në vendin e ngjarjes ku u vra me armë zjarri sot në mëngjes, ish-agjenti i Antidrogës së Elbasanit, Roland Rexhepi, 42 vjeç. Burime zyrtare të konfirmuara të Drejtorisë së Policisë, bënë të ditur se në vendin e vrasjes së Roland Rexhepit, ish-oficer policie e madje ish-truprojë e Edmond Kosenit në kohën kur ai drejtoi policinë e Elbasanit, është gjetur një skafandër motorri, një kapuç koke si dhe një armë tip pistoletë. “Të gjitha provat e gjetura në vendin e ngjarjes, u dërguan në Laboratorin e policisë Shkencore për ekzaminim. Besojmë se tek arma e gjetur në vendngjarje ose tek skafandra gjenden gjurmë gishtash, megjithatë ekspertimet dhe hetimi vazhdojnë”, thanë zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Pistat
Sipas të njëjtave burime mësohet se janë dy pista kryesore që po hetohen në lidhje me vrasjen e ish-oficerit të Antidrogës në Elbasan. “Pista e parë lidhet me detyrën e Roland Rexhepit në policinë e Elbasanit deri tri vite më parë kur është larguar nga puna”, thanë më tej burimet. Sipas tyre, pista e dytë, e cila duket më e besueshme është ajo e vrasjes për hakmarrje. “Ka dyshime të bazuara se vëllai i ish-oficerit ka qenë pjesëmarrës në një vrasje të ndodhur në vitin 2007 në një lokal në qendër të Elbasanit. Po hetojmë nëse atentati i sotëm ndaj ish-oficerit është hakmarrje për vrasjen ku dyshohet se ka marrë pjesë vëllai i tij”, sqaruan burimet e policisë. Ekzekutimi me armë zjarri i Roland Rexhepit ndodhi mëngjesin e djeshme pranë banesës së tij në afërsi të Universitetit në Elbasan. Viktima u qëllua me armë nga disa persona të maskuar dhe me motor të cilët ikën menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia ka shoqëruar deri tani rreth 15 persona të dyshuar, disa prej të cilëve të afërm të një personazhi të njohur të biznesit por edhe botës së krimit në Elbasan, i cili është vrarë në vitin 2007 në ngjarjen ku besohet se ka marrë pjesë edhe vëllai i oficerit të ekzekutuar ditën e sotme. Ish-agjenti i vrarë në orët e mëngjesit ishte larguar nga radhët e policisë tri vite më parë. Ai punonte si roje sigurie pranë stadiumit të Elbasanit ku mësohet se nuk ka pasur konflikte kohët e fundit. Zyrtarët e policisë thonë se Roland Rexhepi ka qenë pjesëmarrës në disa prej aksioneve antidrogë të zhvilluara nga policia e Elbasanit dhe Drejtoria e Përgjithshme në këtë qytet kundër trafikantëve të lëndëve narkotike
Ngjarja
Policia konfirmon se rreth orës 08.30 minuta viktima Roland Rexhepi, 42 vjeç kishte dalë nga banesa me makinën kur, pak metra më tutje, autorët, 2 persona të maskuar të hipur në një motor kanë qëlluar në drejtim të 42 vjeçarit me armë automatik. Në momentin e vrasjes rruga ka qenë me kalimtarë të shumtë. Autorët janë larguar menjëherë me motor, ndërsa 42 vjeçari është transportuar në spitalin e qytetit. Policia thotë se viktima, ish- agjent i antidrogës nuk ka mundur t i mbijetojë plagëve dhe ka vdekur pak minuta pasi kishte mbërritur në spital.

Largimi nga policia
Mësohet Roland Rexhepi kishte 3 vjet që ishte larguar nga radhët e policisë për shkak të reformës. Mes kolegëve të tij ai njihej si një ndër figurat kryesore në radhët e agjentëve të antidrogës të cilët kishin marrë pjesë në një sërë operacionesh për goditjen e trafikut të drogës. Pista e hetimit në të cilën është përqëndruar policia e qarkut të Elbasanit është ajo e një hakmarrjeje për shkak të detyrës që ai kishte kryer, ndërsa mësohet se 42 vjeçari pritej të rikthehej sërish në radhët e policisë. Në tre vitet e fundit, pasi ishte larguar nga policia Roland Rexhepi ishte marrë me punë private, të cilat sipas policisë, nuk mund të kenë lidhje me atentatin e djeshme ndaj tij.
Ky lajm është publikuar: 23/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›