Viza për vizat
Rruga e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave do të jetë e komplikuar, e gjatë dhe e mundimshme. Do të kërkojë përmbushje të standardeve, garanci të ndryshme dhe kohë. Ngjashëm me aplikimin e zakonshëm të qytetarëve të saj për viza
Në ndërtesën e Qeverisë u hodhën koktej Molotovi. Auditori Gjeneral publikoi vazhdimësinë e shkeljeve financiare nëpër Ministri. Një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës kërkoi hetimin e RTK’së. Prishtina u kaplua nga bërlloku. Këto ngjarje ndodhën në kohën kur u bë e ditur se Kosova nuk është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor. Si ironi, apo si dëshmi. Shqiptarët kanë një raport interesant me Europën. Në një lakore të vrazhdë historike, qëndrimi evropian ndaj nesh mund të duket kësisoj: armiqësor... miqësor... kërkues.
Tradicionalisht ka ekzistuar një animozitet latent ndaj “dinakërisë europiane”, kryesisht për shkak të miqësisë historike të disa fuqive të mëdha me serbët. Jemi të vegjël për t’i kundërshtuar, por nuk harrojmë - ishte arma jonë e vetme retorike. Shpesh është shkruar edhe për “borxhin europian”, së paku moral, ndaj nesh, me Kongresin e Berlinit si shembullin më konkret të mënyrës së trajtimit të dikurshëm të shqiptarëve - të padenjë për t’u quajtur komb dhe të përshtatshëm për t’iu grabitur territoret. Vitet ‘90 e përmirësuan imazhin e Europës në sytë e kosovarëve. Kontributet financiare të emigracionit e bënë të mundur mbijetesën gjatë kohës së Sistemit Paralel. Punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe sferave tjera e kishin Europën në mendje sa herë që vinte koha e rrogave. Edhe përmendja e kohëpaskohshme e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në media nga ndonjë politikan, aktivist, ose personalitet europian me autoritet, ishte e mirëseardhur.
Përfshirja e fuqishme europiane në intervenimin ushtarak të vitit 1999, pas disfatës së saj të turpshme morale në Bosnje, e ktheu besimin e kosovarëve në një Europë të Re, proshqiptare. Miqësia u trash me donacionet e shumta në periudhën e pasluftës, kurse u vulos me njohjen e pavarësisë nga 81.5 për qind e anëtarëve të BE-së. Idilin e prishi Javier Solana, me lajmin e javës së kaluar për vazhdimin e izolimit tonë europian, në shoqërim të vëllezërve dhe motrave nga Shqipëria, dhe boshnjakëve. Serbia e mori një karotë, pas shkopit të 17 shkurtit 2008. Ndonëse pasuan reagime të shumta, një vendim i këtillë ka qenë i pritshëm për Kosovën dhe Shqipërinë. Për dallim nga e kaluara, kësaj radhe Europa dha shpjegime të qarta burokratike për vendimin e saj dhe na mbylli gojën me faktin se ne nuk i kemi përmbushur detyrat tona.
Katër kriteret për liberalizimin e vizave kanë qenë të ditura - prej atyre të thjeshta dhe teknike, deri te ato më komplekse. Kosova nuk e ka plotësuar asnjërin. Siguria e dokumenteve të identifikimit. Me prezantimin e pasaportave të Republikës së Kosovës, në korrik të vitit 2008, u bë e qartë se kosovarët po përjashtoheshin nga rrethi i parë i liberalizimit të vizave. Pasaportat nuk ishin biometrike, pra, nuk e plotësonin elementin më themelor që kërkohet nga BE’ja. Arsyetimet zyrtare për nevojën e nxjerrjes së pasaportave jobiometrike ishin nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk u përmend fakti se ato, mes tjerash, do të na lënë jashtë Europës.
Migrimi ilegal. Sipas një hulumtimi në vitin 2007, rreth 60 për qind e të rinjve kosovarë do të largoheshin nga Kosova nëse do t’u jepej mundësia për këtë. Prej asaj kohe, këtij kontingjenti i janë shtuar edhe 60 mijë të rinj tjerë. Me papunësi marramendëse dhe pa asnjë shpresë për rimëkëmbjen e afërt ekonomike, me çfarë mund të garantojnë institucionet e Kosovës se heqja e vizave për kosovarët nuk do të rezultojë me migrimin e tyre masiv në Europë? Në këtë krizë globale, invadimi masiv i fuqisë së lirë punëtore është gjëja e fundit për të cilën kanë nevojë europianët. Kriteri i Rendit dhe sigurisë publike dhe ai i Marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtave themelore janë kapituj për të cilët institucionet kosovare nuk mund të konsiderohen krejtësisht përgjegjëse. Problemet me lokalitetet që kanë shumicë serbe, së bashku me pamundësinë që të garantohet lëvizja e lirë e qytetarëve në tërë territorin e Kosovës, i tejkalojnë kompetencat e tyre. Sidoqoftë, mungesa e plotë e vullnetit institucional për reformimin e sistemit të drejtësisë, si dhe injorimi i problemeve në Policinë e Kosovës dhe në FSK - janë të pafalshme.
Sa i përket çështjes së marrëdhënieve me jashtë, nuk është e qartë nëse duhet të analizohet puna e Skënder Hysenit, apo ajo e Behxhet Pacollit. Shpresa e vetme është që angazhimi i shtuar institucional do të na sjellë një liberalizim të pjesshëm për kategoritë e caktuara - akademikët, biznesmenët, studentët, gazetarët, etj.
Janë edhe dy aspekte pozitive në tërë këtë mërzi. Serbia ka pranuar që serbët e Kosovës të trajtohen si qytetarë të (shtetit të) Kosovës. Gjithashtu, 90 për qind e kritereve janë të matshme dhe objektive, prandaj edhe shkalla e realizimit të tyre në të ardhmen do të mund të shihet nga të gjithë.
Rruga e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave do të jetë e komplikuar, e gjatë dhe e mundimshme. Do të kërkojë përmbushje të standardeve, garanci të ndryshme dhe kohë.
Ngjashëm me aplikimin e zakonshëm të qytetarëve të saj për viza.
...