E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me transportin publik, një udhëtim drejt ferrit

Rama premton transport modern pas 10 vitesh mashtrime

Transporti publik në kryeqytet, në vitin 2010, mbetet një nga problemet më jetike të qytetarëve. Këtë e ka pohuar dje vetë kreu i bashkisë Edi Rama, i cili në një takim me Shoqatën e Transportit Qytetas dhe operatorët e shërbimit u ka kërkuar këtyre të fundit më shumë investime në të gjitha linjat. Transporti urban në kryeqytet, frekuentohet nga një pjesë e konsiderueshme e kryeqytetasve, por megjithëse paguajnë me para në dorë sapo shkelin në autobus,

shërbimi është totalisht i munguar. Pasi mbledhin mendjen se do të marrin urban për të shkuar në një destinacion të caktuar siç mund të jetë shkolla, puna, shtëpia etj., fillimisht qytetarët duhet të presin për më shumë se 15 minuta në stacion, por shpeshherë edhe për 30 minuta, derisa autobusi i radhës të mbërrijë aty. Ndërkohë që me rregullore, një autobus duhet të jetë në stacion çdo 5 minuta. Tentativa për të ngjitur 2-3 shkallët e autobusit kthehet gati-gati në luftë me udhëtarët që zbresin nga autobusi. Dikush e kujton në momentet e fundit zbritjen, por ka dhe nga ata që i kërkojnë shoferit të ndalojë pas nisjes se është kujtuar që i kaloi stacioni. Pasi qytetarët hyjnë në autobus, gjithçka duhet të bëjnë nëpër atë mizëri njerëzish që e kalon me qindra herë numrin e lejuar, është ruajtja e xhepave dhe e çantave. Akoma pa mbaruar punë me fatorinon, i cili në më të shumtën e rasteve nuk të jep as biletë udhëtimi, hajdutët që vërdallosen sa në një cep të urbanit në një tjetër, bëhen gati për ti vënë presë së radhës. Gjithçka ndodh për pak sekonda. Ulërimat e të moshuarve por në jo pak raste dhe të të rinjve, dëgjohen sa hap e mbyll sytë. Hiqi duart more hajdut. O zot, më vodhën celularin. Nuk po gjej dot portofolin, dëgjohen me qindra herë në ditë nëpër urbanët e kryeqytetit. E teksa të gjithë i drejtohen shoferit që të ndalojë autobusin dhe të kapet hajduti, në kësi rastesh shoferi nuk dëgjon... nga ana tjetër, fatorinove jo vetëm që nuk u bën përshtypje skena, por madje tek-tuk e si nëpër dhëmbë përflitet si i lidhur me vetë hajdutët.

Qytetarët: O zot, kur do të zbres...
Por përpos mbrojtjes me fanatizëm të gjërave personale, qytetarëve u duhet të përballen dhe me dhjetëra probleme të tjera që hasin qoftë edhe për një stacion që do të bëjnë me urban. Asnjë autobus i cilësdo linjë qoftë në kryeqytet, nuk ka sistem ajrimi përveç dyerve dhe dritareve. Guximi që merr çdo qytetar kur hip në urban është me të vërtetë i madh, sidomos në stinën e nxehtë të verës, kur një autobus 30 vendësh, mban brenda gati 100 persona. Gjithnjë në mungesë të çdo lloj ajrimi normal, por edhe në mungesë të vendeve, qytetarët duhet të ngjishen deri në ngjitje me njëri-tjetrin. Era e rëndë që pllakos në autobus është një problem më vete, por edhe ngjeshja me persona të panjohur është gjithashtu një stres më vete. Ajri, përveçse tejet i rëndë, ka arritur deri në pakësim, aq sa qytetarëve u duket sikur do nga momenti në moment do tu zihet fryma. Të mos hipnin, u duhej të prisnin për më shumë se 30 minuta në stacion dhe mbi të gjitha, me shumë gjasa mund të rastiste që edhe autobusi i ardhshëm të ishte në të njëjtën performancë. Hipën, dhe ja se çfarë duhet të përballojnë... I vetmi mendim por dhe e vetmja dëshirë që të përshkon mendjen në ato çaste mbetet: O zot, kur do zbres, të marr frymë lirisht dhe të betohem i qetë se në atë kuti të qelbur dhe tejet të zhurmshme si koshere bletësh por jo me mjaltë, nuk do të hipi më sa të jem gjallë! Por, do të ishin të pakta nëse mundimet do të ishin vetëm këto. Zhurma që të shpon veshët vetëm gjatë një stacioni në urban, është aq e madhe sa edhe kur zbret duket sikur të cimbon në vesh. Udhëtarët flasin për qejfin e vet pa pyetur për etikë publike, nga ana tjetër shoferi si për ti sfiduar ata, ia bën qejfin me një repertor këngësh i përzgjedhur më së miri në atë cilësi, saqë çdo i pranishëm në autobus të mund të grindet me të, që nga një fëmijë 10-vjeçar e deri tek një i moshuar 70-vjeçar. Me pak fjalë, një mish-mash që duket më shumë se në autobus, duket sikur ndodhesh në një pazar ku secili bërtet për qejfin e tij. Ky pra është shërbimi që u ofrohet sot qytetarëve në transportin publik nga Bashkia dhe Shoqata e Transporteve.

Cfarë duhet përmirësuar në transportin publik
frekuenca (problemet me oraret, vonesat për shkak të trafikut);

kushtet e komoditetit dhe të sigurisë në bord të qytetarit;

rritja e aksesit për përdorues të caktuar të transportit (pasagjerët me akses të kufizuar, si nënat me fëmijë, personat me aftësi të kufizuara etj)

kosto e përballueshme e shërbimit, por duke rritur investimet në mjetet e linjës

rritja e mbrojtjes për mjedisin, për shkak të shkarkimeve të mjeteve te transportit publik

Last Updated on E Enjte, 04 Mars 2010 23:20

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›