E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës dhe EULEX të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit

Autoritetet qeveritare dhe të EULEX, konfirmuan përkushtimin e përbashkët në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në takimin e task forcës anti-korrupsion, kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi i EULEX, Iv de Kermabon, thanë se kjo nuk do të jetë punë e lehtë, por theksuan se me një punë të përbashkët, do të arrihen rezultate të shpejta.

Kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij u shpreh se qeveria deri tani ka ndërmarrë të gjithë hapat konkretë kundër korrupsionit, por edhe për parandalimin e tij, me theks të veçantë në krijimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit. Thaçi tha se korrupsioni si formë e krimit të organizuar, përbën një shqetësim të madh për të gjitha shoqëritë demokratike të vendeve të civilizuara. Prandaj qeveria që nga shpallja e pavarësisë së vendit, ka ndërmarrë të gjitha hapat konkretë në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e tij. Deri më tani, kemi arritur në hartimin e strategjisë dhe planin e veprimit kundër korrupsionit, hartimin e ligjit kundër korrupsionit dhe ligjeve tjera kundër krimeve ekonomike, ngritjen e vetëdijesimit të opinionit publik nëpërmjet formave të ndryshme edukuese dhe krijimin e mekanizmave për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit theksoi kryeministri i Kosovës. Ai shtoi se si pjesë e përkushtimit, qeveria ka mbështetur procesin e krijimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Këshillit Mbikëqyrës të Agjencisë, si dy mekanizma profesionalë, të pavarur dhe kompetentë për të luftuar korrupsionin. Por, Thaçi veçoi se njëkohësisht u është ofruar mbështetje të plotë EULEX dhe gjithë faktorëve të tjerë relevantë që të jenë të pa kompromis në luftën kundër korrupsionit, por edhe bartës në luftimin e kësaj dukurie. Përkundër vullnetit dhe përkushtimit të pakompromis të qeverisë së vendit për të luftuar dhe parandaluar këtë dukuri devijante, ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se lufta kundër korrupsionit nuk është kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive e pushtetit ekzekutiv, u shpreh ai. Ndërkaq, shefi i EULEX, Iv dë Kermabon tha se misioni që drejton ai e mirëpret dhe e mbështet këtë task forcë kundër korrupsionit, duke vlerësuar se ajo e rritë luftën kundër kësaj dukurie. Ai tha se kjo është një sinjal shumë i mirë për të gjithë, në radhë të parë për popullatën e Kosovës dhe tregon për vendosmërinë e qeverisë që të luftojë korrupsionin. Por është sinjal i mirë edhe për kriminelët, dhe njerëzit që tentojnë të korruptojnë apo të korruptohen, që të kenë kujdes, por është sinjal i mirë edhe për bashkësinë ndërkombëtare në aspektet rajonale, tha Kermabon. Ai u zotua se EULEX do të punojë ngushtë me qeverinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›