E Diel, 1 Nëntor 2026

Më tunduan

Neritan Ceka

Kreu i Aleances Demokratike thote ne nje interviste per Korrierin se perhere ka qene kunder PS-se, por tani qe aleatet e medhenj po mbeshtesin nje sistem elektoral qe e nxjerr ate jashte loje, do te flase per shume pazarlleqe te se kaluares

Neritan Ceka u kërkon partive të mëdha të sjellin propozimet përkatëse të reformë zgjedhore në Kuvend. Në intervistë për “Korrierin” presidenti i PAD-së, vazhdon akuzat ndaj PS-së, e siç thotë ai socialistët kërkojnë të dëmtojnë partitë e vogla. Ceka mendon se në bazë të ndarjes aktuale, në 2009-ën më i fituar del kryeministri Sali Berisha me koalicionin e djathtë. Ai beson se aleatët e majtë do të marrin më shumë vota se PS-ja nëse qëndrojnë të bashkuar. Në këtë aleancë ai nuk përjashton as Fatos Nanon e mbështetësit e tij, gjithmonë nëse këta të fundit do të votojnë kundër propozimeve të PS-së e PD-së në kuvend. -Si mund të zgjidhet ngërçi për reformën zgjedhore? -Neritan Ceka: “Është një ngërç artificial i krijuar nga teteltipi i kuq Berisha-Rama, që kërkojnë një reformë që të privilegjojë dy partitë e tyre, mbi kurrizin jo vetëm të partive të tjera dhe të gustos elektorale të votuesve, por edhe në dëm të ftesës për në Bruksel. Besoj që të gjithë kanë ndjekur ultimatumet, që kanë ardhur nga Brukseli dhe nga NATO për realizimin e reformës zgjedhore. Natyrisht të dy këta protagonistë të ngjarjeve jo të këndshme shqiptare duhet të kenë të paktën guximin, që ta sjellin çështjen në parlament dhe të përballen me ato të papritura, që mund të krijojë një votim për ndryshimet kushtetuese në parlamentin shqiptar”. -Pra, edhe ju e shikoni si të vetmen zgjidhje kuvendin? -“Unë shoh të vetmen zgjidhje të mundshme guximin qytetar që duket se u mungon të dy krerëve të politikës shqiptare që janë gati të kacafyten për gjëra të parëndësishme, janë dakord që të mos ketë zgjedhje të lira e të ndershme, sepse pa lista dhe kartat e identitetit, zgjedhin variantin e goditjes dhe shkatërrimin e partnerëve të tyre. Besoj se është një lojë e pandershme”. -Pse jeni kaq i sigurt që nuk do të kalojnë ndryshimet e të mëdhenjve? -“Unë nuk po them që jam i sigurt për këtë. Unë dua të them, që do t’i kundërshtoj përderisa sjellin një ambient më të keq se “dushku”. Unë nuk e kundërshtoj se do të dali e humbur PAD-ja, përkundrazi. Unë do e kundërshtoj, sepse është një ligj që kantonizon Shqipërinë dhe s’bën gjë tjetër vetëm atë që duan të bëjnë serbët në Kosovë. Favorizon frikacakët që s’kanë më kredi të dalin përpara popullit dhe duan të fshihen pas 5-sheve apo 7-sheve rajonale”. -Po ç’vlerë kanë kundërshtimet tuaja kur ndryshimi mund të realizohet? -“Kundërshtia sqaron popullin shqiptar që Rama nuk ndryshon aspak nga Nano dhe marrëveshja e re Rama-Berisha është vetëm trashëgimtare e marrëveshjes Nano-Berisha. Kjo është në disfavor të institucioneve demokratike dhe veçanërisht në dëm të vetë PS-së”. -Duket se ka një kontrast për vlerësimin që jepni tani për zotin Rama pasi ju e keni mbështetur së bashku me aleatët e tjerë në zgjedhjet e shkuara lokale.. -“Natyrisht që e kam mbështetur dhe rezultati ka qenë shumë pozitiv. Unë mund të them që kam qenë faktori kryesor që ka bashkuar Edi Ramën me Ilir Metën. Ka qenë PAD-ja faktori kryesor që i ka ulur në tavolinë. Pa këtë bashkim as që mund të imagjinohej fitorja në Tiranë, në Durrës, Elbasan, Korçë, etj. Vlerësimi im i deritanishëm ka qenë vlerësimi i një votuesi për bashkinë e Tiranës. S’kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë Ramën si politikan. Dhe, Rama si politikan u shfaq vetëm pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, veçanërisht në rastin e dy reformave. E kam fjalën për reformën në drejtësi, bëri gafën e madhe që tha se këtë reformë do ta bëjmë vetëm pasi të vimë në pushtet dhe PAD-ja nuk e mbështeti për këtë. Ne thamë se reforma duhet bërë pavarësisht se kush është Prokurori i Përgjithshëm dhe veçanërisht në bllokimin apo mafiozllëkun si u fillua gjithë historia e reformës zgjedhore. Këto e damkosin përfundimisht hipokrizinë e politikës së re”. -Pse e konsiderioni vetën faktor kryesor që bashkoi Metën me Ramën? -“Po, sepse pas zgjedhjeve të 3 korrikut kishte një armiqësi të hapur. PAD-ja tregoi qartë që s’mund të kishte fitore në zgjedhje pa një bashkim. Roli jonë ka qenë ky; së pari që i kemi ulur në takimin e parë, që është bërë. Por, shumë kohë përpara kësaj në mars 2006 unë bashkë me Piro Lutajn dhe Pashk Ujkajn, që ka qenë atëherë në PAD kemi kontaktuar në mënyrë intensive të dy palët. Takimi u la pas kongresit sepse duhet të merrte mandatin zoti Rama dhe kemi kërkuar më pas të ulemi në tryezë me një plan konkret për fitore në 2007-ën dhe rikthim në pushtet në 2009-ën”. -Keni fakte që aktualisht është arritur një marrëveshje mes PS-së e PD-së për reformën? Ku bazoheni? -“Provat janë sepse është diskutuar personalisht me mua projekti. Në fillim duke mos premtuar asgjë. Pastaj duke premtuar 1 deputet e më pas 2 deputetë. Pra, në këtë projekt dhe kjo pjesë mafioze ku i premtohen partnerëve pakte të fshehta të njëanshme dhe kundër partnerëve të tjerë”. -Kush e tregon të vërtetën, në këtë rast LSI-ja po PS-ja? -“Shpresoj, që unë tregoj pjesën time të së vërtëtës. Veçanërisht kur më propozohet mua kur dihet që nuk jam në politikë për të qenë deputet”. -Cila ka qenë përgjigjia juaj dhe ka qenë kontakt direkt me zotin Rama? -“Po po... ka qenë kontakt direkt dhe disa herë edhe indirekt, por pjesën më të madhe kontakt direkt. Natyrisht që përgjigjia ime ishte kjo që ju thashë, që nuk duhet futur në pazare të tilla. Në një pakt midis meje dhe zotit Rama çështja e parë do të ishte: “Si të mbrojmë votën e lirë?” dhe pika e fundit do të ishte “Si një votë do të japë një deputet apo 50 vota do të japin një deputet”? -Po e marr të mirëqenë këtë që thoni ju, por kam përshtypjen se kjo ka ndodhur edhe në të shkuarën e nuk është ndonjë hata, pasi ofeta të tilla, lënia e zonave të lira, etj, janë bërë shpesh... -“Pikërisht kanë ndodhur edhë në të shkuarën, por natyrisht gjithmonë me përfitimin e partive të mëdha. 2005-a tregoi idiotësinë e kësaj, kur PS-ja donte të futej e vetme. Kishin menduar se do të merrnin 70 vende dhe qeverinë do ta bënin vetëm ata dhe pastaj përfunduan në “bankëprova”. Kështu që çdo politikan normal do të nxirrte përfundimin, që ka nxjërrë në përgjithësi edhe Berisha, që vetëm me aletatë mund të fitohet. Që të bësh edhe një plan sesi t’i vrasësh aleatët dhe pastaj t’i japësh vetëm alternativën “Dinamo-Partizani” popullit shqiptar, besoj, që jemi 17 vjet pas asaj historie që ka përfunduar”. -Si do të funksiononte plani kundër LSI-së? Do të merrnit ju 2 deputetë, po më pas? ­-“Kjo është shumë kollaj. Sistemi spanjoll është një sistem që privilegjon dy partitë e para. Nëse ato mbledhin shumë vota, atëherë partia e 3-të dhe e 4-t ka shansin të marrë vetëm gjysmat e atyre që korrespondojnë në bazë të votave. Pra, nëse PS-ja do të merrte Gjinushin, Cekën dhe Milon automatikisht dikush tjetër do të humbte gjysmën e shanseve për të marrë deputetë në raport me numrin e votave. Prandaj zoti Rama përpjekjet e para i bëri për të mbajtur Gjinushin, i cili, natyrisht nuk mund të pranojë një skemë që është me risk. Mund ta pranojë andej nga fundi kur pazari shkon 4 ose 5 deputetë sepse kjo është skemë që e rrit pazarin në fund”. -Ju keni hallin e ndonjë force të veçantë? -“Jo nuk kemi atë hall. Në një plan që bëhet kundër apo pro aleatëve dhe në një sistem që vë të gjithë aleatët në një plan të barabartë, natyrisht që ne jemi për variantin e dytë. Këtu nuk është puna që na kanë vënë koburen tek koka “o këtë sistem o s’ka!”, ne kemi sistemin gjerman që i vë tëgjithë aleatët e barabartë dhe s’kemi pse futemi në skema ku vrasim njëri-tjetrin. Aq më tepër që kemi një preçedent pozitiv dhe ky është një plan “si mund të humben zgjedhjet”. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një klani që favorizon PD-në. Kuptohet që Berisha hesht sepse e gjithë kjo histori, kjo lojë e përçarje, favorizon në fund PD-në”. -Nëse bëhen këto pazare që ju thoni, PD-ja me disa aleatë dhe PS-ja po me 1 ose dy, atëherë do të jeni edhe ju “viktima” jo vetëm LSI-ja... ­-“Besoj që kjo është llogaria, që s’ka bërë zoti Rama dhe që ka bërë zoti Berisha. Pra, zoti Berisha e di që do të organizohet më mirë. O do t’i thithë të gjithë aleatët ose do të krijojë një bllok me një pjesë të aleatëve sepse ky sistem funksionon me 4 lojtarë. Lojtari i parë merr mëshumë se të tjetrët edhe pa i pasur votat e nevojshme. Lojtari i dytë merr përsëri në kurriz të lojtarit të 3-të e të 4-t, e lojtari i 3-të e i 4-t mbijeton. Ky është një sistem që i intereson Berishës përe të fituar zgjedhjet e për të ndërtuar një qeveri me më pak telashe nga aleatët e tij. Në krahun tjetër nqs ne grumbullohemi dhe kemi shanse sepse kemi një parti si LSI-ja, parti e mesme, atëhere shanset tona janë për të dalë në vendin e parë në krahun e opozitës. Që tani kemi më shumë. Po t’i referohemi zgjedhjeve lokale PS-ja ka marrë 23 % të votave, ne të gjithë bashkë kemi marë 20% të votave. Dhe natyrisht një parti me konflikte me Nanon brenda dhe me aletat Berishën natyrisht që shanset janë në krahun tonë. Dhe unë nuk e di për kë do të votojnë qytetarët për Ramën apo Berishën që kanë të njëjtën fytryë tani, apo për një alternativë të re. Unë besoj që do të zgjedhin të dytën”. -Kjo aleternativë do të ketë brenda edhe zotin Nano? -“Unë nuk besoj që do të ketë brenda zotin Nano. Që tani zoti Nano ka pasur ofertë nga zoti Rama”. -Po e ka pasur edhe nga zoti Meta... -“Nuk jam pjesë e kësaj çështeje. Kjo do të varet dhe nga votimi që do të bëhet në Kuvend. Grupi i Nanos do të identifikohet dhe pastaj do të gjejë rrugën e tij. Nëse do të votojë për ligjin është i përjashtuar natyrisht”. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›