Gratë
Pas faljes se Presidentit, nje numer grash te denuara per vepra te ndryshme penale, shijuan dje lirine
TIRANË - Gratë që vuajnë dënimin në burgun 325 në kryeqytet, dje përjetuan një ditë ndryshe. Lule dhe përqafime, takime me familjarë dhe lot gëzimi, ishin kryefjala e paradites së djeshme në burgun e grave, të cilat në këtë ditë feste ndanë gëzimin me të afërmit dhe fëmijët. Por më shumë atmosfera e festës së 8 Marsit u përjetua nga 15 të burgosura, që mesditën e djeshme lanë qelitë e burgut, për t’u rikthyer sërish pranë familjeve të tyre. E quajnë ditë të shënuar të jetës së tyre, një ditë që do e kujtojnë për gjithë jetën. Janë penduar për krimet e kryera dhe premtojnë se nuk do të rikthehen kurrë më në burg. Atmosfera e festës nisi orët e para të mëngjesit, kur gratë e privuara nga liria nisën pak nga pak të përgatiten për takime, sidomos me fëmijët. Rreth orës 10.00, në ambientet e burgut hyri drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili uroi gratë për festën e 8 Marsit. Pas fjalës përshëndetëse të Dibrës, të burgosurat u shpërndanë në takime me fëmijët dhe të afërmit e tyre. Floresha Hoxha, e dënuar me 13 vjet burg për trafik fëmijësh, thotë se “është shumë e lumtur që po takon djalin e saj, Fatjonin”. “Do të doja të dilja dhe unë nga burgu sot, bashkë me 15 shoqet e mia. Më vjen shumë keq që duhet të qëndroj ende këtu, por duhet të vuaj dënimin. E rëndësishme është që djali ka ardhur nga Korça bashkë me një shok, për të më takuar. Nuk dua të më harrojë apo të mendojë keq për mua”, - tha për “Korrierin” Floresha Hoxha, e dënuar për trafik fëmijësh. Fatjoni 10-vjeçar, shprehet shumë i lumtur për takimin me të ëmën. “Mamin e dua shumë dhe vij dhe e takoj gjithmonë. Më merr shumë malli për të. Dua të dalë sa më shpejt, që ta kem gjithmonë pranë”, - tregon Fatjoni. Pasi ndahemi me Floreshën, që nuk resht së përqafuari të birin, sytë shkojnë të Mimoza Shota, vajza nga Kruja që ndodhet në burg prej 5 vjetësh. Mimoza ka harruar gjithçka rreth e rrotull dhe i është përkushtuar tërësisht djalit të saj, Eneas, për të cilin thotë se “nuk do më ndajë më askush me të”. Përveç Mimozës, ky 8 Mars është tepër i veçantë edhe për Afërdita Lilajn, e akuzuar për vrasjen e bashkëshortit, që dje la qelinë dhe premtoi se do të mbledhë sërish nën një çati katër fëmijët e saj, pas humbjes së babait dhe burgosjes së nënës së tyre. E ndërsa neve na thanë të largoheshim nga ambientet e brendshme të burgut, gratë që pas pak do të rifitonin lirinë nisën përgatitjet për të kapërcyer një herë e mirë portën e rëndë të burgut. Shota e penduar dhe e lumtur Mimoza Shota nuk ndahet nga djali i saj, Enea, që katër vjet të jetës së tij i kaloi pa praninë e nënës. Më në fund, 23-vjeçarja nga Kruja, që ndodhet prej 5 vjetësh në qeli, do të ketë mundësi t’i falë djalit të saj dashurinë e munguar të nënës. Duke përkëdhelur djalin, i cili ndryshe nga të gjithë fëmijët e tjerë lindi dhe qëndroi një vit në burg, 23-vjeçarja tregon se puna e parë që do të bëjë, është të çmallet me familjen, ndërsa më pas do t’i përkushtohet tërësisht fëmijës së saj, për të cilin sakrifikoi gjithçka. “Shpresoj të dal sot. Më duket vërtet si ëndërr, që më në fund do të jem e lirë”, thotë Shota, e cila mendon të punojë si parukiere ose rrobaqepëse. -Si ndiheni tani që do të jeni e lirë Mimoza? “Jam shumë e lumtur që do të jem e lirë. Akoma më të lumtur më bën Enea, me të cilin do të qëndroj përgjithmonë. Shpresoj të dal që sot nga burgu”. -Çfarë do të bëni pasi të dilni nga këtu? “Puna e parë që do të bëj, është të çmallem me familjen time, për të cilën më ka marrë shumë malli. Pastaj do mendoj të bëj një jetë normale, bashkë me djalin tim”. -Me kë qëndroi Enea gjatë kësaj kohe? “Qëndroi tek njerëzit e mi. E sjellin të më takojë shpesh, po përsëri më merr malli shumë për të”. -Keni menduar ndonjëherë si do të shkojnë gjërat jashtë burgut? Keni frikë se mund t’ju lindin probleme? “Mendoj se gjërat do të shkojnë mirë. I kemi mbyllur të gjithë muhabetet me ata. Nuk ka asnjë problem. Jam penduar për atë që bëra. Ajo që ndodhi, ndodhi dhe unë e shleva dënimin. Tani do të nis një jetë të re”. -Çfarë keni menduar të bëni në të ardhmen? “Do të filloj një tjetër jetë, bashkë me djalin tim, Enean. Shpresoj të filloj një punë si rrobaqepëse ose parukiere, pasi të dy këto profesione i kam mësuar gjatë kohës që qëndrova në burg. Dhe më e rëndësishmja, do t’i përkushtohem tërësisht djalit tim, me të cilin nuk do të ndahem kurrë më”. E para ishte ZyrajaE burgosura e parë që la qelinë e burgut 325 ishte Zyra Kamberi. E akuzuar për vrasje, Kamberi shijoi përsëri lirinë pas një periudhe qëndrimi të gjatë në qelitë e burgut. Mes lotësh e përqafimesh, Zyra Kamberi u prit në derën e burgut nga familjarë dhe të afërm, ku nuk mungonte as nëna e saj e moshuar. “Jam shumë e lumtur që jam sërish e lirë. Falënderoj presidentin që më dha këtë mundësi”, - tha mes lotësh Zyra Kamberi, nga Tirana. E shoqëruar nga familjarët dhe të afërmit, ajo u largua nga oborri i burgut 325, me premtimin për të mos u kthyer më kurrë më aty. Më e vjetra, nga Delvina Bedrie Veizati, 75-vjeçarja nga Delvina, ishte gruaja e tretë që la qelinë ditën e djeshme. E burgosura më e moshuar në burgjet shqiptare, në oborrin para portës hyrëse të burgut u prit nga familjarë e të afërm, që mezi prisnin të çmalleshin me nënën dhe gjyshen e tyre. Pas qëndrimit prej 5 vjetësh në qeli, 75-vjeçarja dje për herë të parë shijoi lirinë. “Jam shumë e lumtur që jam përsëri e lirë. Falënderoj shumë presidentin që më dha këtë mundësi”, - tha Bedrie Veizati, e moshuara që priste lirinë një vit më parë, por dëshira e saj u bë realitet vetëm këtë 8 Mars. E moshuara qëndroi në qeli nga data 9 korrik i vitit 2003, kur Gjykata e Apelit Gjirokastër e dënoi me 8 vjet heqje lirie për plagosjen e të shoqit. Lilaj bashkon 4 fëmijëtAfërdita Lilaj më në fund do të qëndrojë pranë fëmijëve të saj. Ditën e djeshme ajo la qelinë, për të rimbledhur dhe njëherë familjen, e cila i mungon shumë. Në një prononcim të shkurtër, nëna e katër fëmijëve tha se “kjo është një ditë e veçantë për mua. Falënderoj presidentin që më dha mundësinë të jem përsëri pranë fëmijëve të mi”. Mes lotësh, nëna e katër fëmijëve tha se “tani do të bashkoj fëmijët, të cilët më kanë munguar shumë gjatë kësaj kohe. Më vjen keq për atë që ndodhi, por burri më keqtrajtonte dhe këtë e dinë të gjithë. E gjithë lagja dëshmoi në procesin tim dhe të gjithë thanë që bashkëshorti më keqtrajtonte”, - tregoi Afërdita Lilaj. “Gaz” nga Gaz Dibra TIRANË - Të burgosurat që vuajnë dënimin në burgun 325 morën një urim të veçantë plot gaz e hare në ditën e 8 Marsit nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra. Ceremonia festive nisi me fjalën e kreut të burgjeve, i cili uroi të gjitha gratë dhe nënat që ndodhen në burg. “Ju uroj, në radhë të parë, festën tuaj, festën e nënës! Sigurisht në këtë ditë ne mundemi të bëjmë diçka më tepër për ju. Është një nga ditët e veçanta të vitit, pikërisht për gratë, pikërisht për nënat. Shumë nga ju unë i shoh me lot në sy dhe kuptohet që ju jeni në kushte jo të barabarta me dikë që është jashtë këtyre institucioneve. Ne kemi ardhur të paktën në këtë ditë të veçantë, të lehtësojmë sa mundemi vështirësitë dhe hallet që ju keni dhe duke parë në vazhdim mënyrën e trajtimit të kategorisë tuaj, si gra dhe si nëna që jeni”, - tha drejtori Dibra. Duke u përpjekur të zbusë dhembjen dhe brengën e këtyre grave që u është privuar liria, Gazmend Dibra tha se “kjo ditë bëhet më e veçantë, sepse për një pjesë tuajën, falë Presidentit të Republikës, është ulur masa e dënimit. Ndërsa pjesa tjetër mund ta mbarojë dhe të përfundojë këtë dënim në këtë institucion. Sot duhet të jetë për të gjithë një ditë e bukur, gjithashtu edhe për fëmijët tuaj që kanë ardhur t’ju takojnë. Ka një interes të veçantë për kategorinë e juaj”, tha kreu i burgjeve. Gratë që lanë qelinë dje Afërdita Lilaj Bedrie Veizati Dallëndyshe Dollani Diana Luli Flora Greku Hyrie Greku Jonida Kajana Leko Greku Liri Çepele Mimoza Shota Nafije Shquti Naslie Veizi Oskeola Qosja Qazime Ferro Vera Xhebraj Zyra Kamberi