E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia hapi rrugën

Shkembimet ekonomike mes Shqiperise dhe Kosoves po hyjne ne nje epoke te re. Specialistet e te dyja vendeve kane nisur te hartojne strategjite e perbashketa.

Pavarësia e Kosovës ka hapur një erë të re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe shtetit më të ri të Evropës. Ky bashkëpunim ka qenë edhe objekt i konferencës së organizuar midis dy vendeve në ambientet e hotel “Adriatikut” në Durrës. Në këtë konferencë të iniciuar nga universiteti “Marin Barleti” i Tiranës dhe “Biznesi për teknologjinë” i Prishtinës, sikurse raportoi ATSH, kanë marrë pjesë edhe një sërë personalitetesh nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Zëvendësrektorja e UMB-së, Zamira Çavo, e cila drejtoi konferencën, falënderoi për pjesëmarrjen zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, Gazmend Oketën, zëvendëskryeministrin e Kosovës, Ramë Manajn dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Imer Aliun, si dhe ministrat Genc Ruli, Sokol Olldashi dhe Genc Pollo, deputetë të Kuvendeve të të tre vendeve. Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa tha se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, të dy vendet tona kanë mundësi të bashkëpunojnë dhe të bashkërendojnë të ardhmen e tyre të qëndrueshme, duke synuar integrimin në Bashkimin Evropian. Oketa nënvizoi se bashkë me implementimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë edhe infrastruktura portuale e Shqipërisë, do të jetë një aset i rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët ekonomike, duke shtuar se bashkëpunimi në fushën e legjislacionit dhe në atë të luftës kundër krimit ekonomik do të mundësojë përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve vendase dhe të huaja në Shqipëri dhe Kosovë. Edhe marrja e ftesës për në NATO do të rriste mundësinë e investimeve serioze ndërkombëtare në vendin tonë, përfundoi Oketa. Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, pasi falënderoi organizatorët për nismën, tha se bashkëpunimi mes të dy vendeve është sfida e periudhës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai kërkoi një prani më të madhe të biznesit të Shqipërisë me investime në Kosovë. Manaj tha se rruga Durrës-Prishtinë do të jetë aorta e zhvillimit të qëndrueshëm të të dy vendeve. Sipas organizatorëve, përcaktimi dhe njohja e statusit ndërkombëtar të Kosovës bartin disa pikëpyetje që lidhen me kërcënimet e Serbisë për sanksione ekonomike, ndërprerje të furnizimit me energji dhe bllokim të eksporteve të saj drejt Kosovës. Sipas tyre, përgatitja e skenarëve ekonomikë për të ardhmen e Kosovës ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë dhe për të ardhmen e të gjithë rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›