E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fenomeni "na bashkoi kënga popullore"

Zajmina Vasjari

Shumë prej këngëtarëve të muzikës së lehtë kanë treguar se janë një potencial i denjë edhe për ritmet popullore. Shpesh ata zgjedhin të bashkëpunojnë me emra të tjerë të njohur në këtë zhanër, që duket se i ndihmon për të kthyer një faqe të re në kapitullin e muzikës së tyre

Ka vetëm pak ditë, që në stacionet muzikore në vend është lançuar videoklipi më i ri i këngëtares seksi Zajmina Vasjari. Deri më tani ajo ka preferuar që t’u mëshojë fort ritmeve R&B, si dhe baladave. Ndryshe nga kënga më e fundit “Zarfe trëndafilash”, që ka ardhur si një bashkëpunim i saj me Ratin, ky i fundit një emër i njohur në muzikën popullore. “Që në fillim isha e bindur në mendjen time se doja të vija ndryshe. Për këtë zgjodha një këngëtar që është emër shumë i njohur në muzikën popullore. Kjo ishte një risi për mua, pasi kurrë më parë nuk e kisha menduar që do të tentoja edhe në këtë linjë”, është shprehur ajo. Duket se kjo ishte dhe arsyeja që, për të ardhur në përshtatje me stilin e këngës, Zaji hoqi dorë nga zhveshjet e ekstravaganca, që vështirë se mund të pranohen tek stili popullor. Ndonëse është ende një vajzë e re në moshë, ajo ka tentuar pak nga të gjitha! Greta Koçi ka dëshmuar se nuk di të thotë jo përpara eksperiencave të reja muzikore. Në festivalet për të rinj, si “Top Fest”, “Mikrofoni i artë” apo dhe te “Kënga magjike”, ajo ka kënduar kryesisht këngë me doza të fuqishme ritmike. Ndërsa jo pak herë ka provuar edhe në stilin popullor, me kolazhe të ndryshme nga zona e Shqipërisë së Mesme dhe ajo e Jugut. Një i tillë ka qenë edhe bashkëpunimi me Indrit Mlikën. Vetë Greta e ka cilësuar këtë si një eksperiencë nga më të bukurat, që duket se i krijoi mundësi të mëtejshme për ta marrë më seriozisht edhe muzikën popullore, ku këngëtarja e ndjen veten të plotësuar. Jo më pak i suksesshëm, për të mos thënë që ka bërë bujën më të madhe në stacionet muzikore në vend, është edhe bashkëpunimi i reperit Vagabondi me një nga emrat më të shquar të muzikës popullore, Hysni Zela. “Kosova e pavarur” erdhi jo vetëm në sintoni me ngjarjen më të rëndësishme në historinë e Kosovës, por kjo ishte risi edhe për vetë këngëtarin, i cili gjithnjë ka përzgjedhur ritme hip-popiste për të përcjellë mesazhet sa aktuale, aq edhe jetike. “Unë gjithnjë përpiqem që me tekstet e mia të përçoj një subjekt të veçantë. Ishte hera e parë për mua që bashkëpunoja me një këngëtar të muzikës popullore, dhe me bindje mund ta cilësoj si një nga eksperiencat më të vyera. Për një ngjarje të tillë nuk mund të mos zgjidhja një emër të madh të skenave shqiptare, si Hysni Zela, dhe për këtë jam i lumtur, pasi dhe kënga është pritur mjaft mirë”. Dëshira për të eksploruar në diçka ndryshe e ka shtyrë edhe Rovena Stefën që të lërë pas baladat apo muzikën e lehtë, për t’iu përkushtuar asaj popullore. Kështu, këngëtarja bashkë me Altin Shirën sollën para pak kohësh një kolazh nga Shqipëria e Mesme. Edhe herë të tjera Rovena ka ngjitur në skenë, sidomos në Kosovë, bashkëpunime me emra të njohur të muzikës popullore, si me Afrim Mushiqin, Mahmut Ferhatin e disa të tjerë. Shumë këngëtarë të njohur shqiptarë kanë treguar se guximi është më i vlefshëm se gjithçka. Pasi afirmohen me muzikën e lehtë, atë hip-pop apo baladë, ata nuk i rezistojnë dot tundimit për të provuar edhe tek popullorja. Për këtë zgjedhin këngëtarë të afirmuar në këtë zhanër, me idenë e të provuarit një eksperiencë të re, ashtu dhe për të sjellë një bashkëpunim ndryshe në muzikën shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›