Me ujë si Norvegjia, por pa norvegjezë
Alban SEJDINI
Qenia njerëzore është një organizëm i tillë që mund të mbijetojë edhe pa ushqim për njëfarë kohe, por që vetëm pa ujë nuk e ka shumë të gjatë. Për këtë arsye, uji blihet më shtrenjtë se ari e diamantet në vendet që këto materiale i kanë me bollëk. Për ujin bëhen edhe luftëra të përgjakshme. Nga vija e ujit kanë ndërruar jetë edhe një tufë me shqiptarë, të vrarë me armë apo me sopatë nga vëllai apo fqinji. Mirë në ato toka ku ujidelvetëm nga sytë e prindërve që qajnë fëmijën e vdekur nga uria, po në Shqipërinë që e krahasuan me Norvegjinë për bollëkun e ujrave pse lindin probleme nga, për dhe me ujin? Ndoshta sepse të jesh një vend njëlloj si Norvegjia të duhen qeveritarë e nënshtetas si norvegjezët.
Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës (UKT) po përpiqet me mish e me shpirt që ti japë një frymë më bashkëkohore të gjithë procesit të shpërndarjes së ujit nga rezervuaret nëpër çezmat e njerëzve. Për këtë arsye u fuqizua edhe komunikimi me publikun nëpërmjet reklamave televizive, një prej faqeve të internetit më të sofistikuara ndër institucionet shqiptare dhe sigurisht nëpërmjet zyrave të modernizuara të shlyerjes së detyrimeve. E megjithatë një çikë frymë sovjetike, pra minimalisht inefiçente e maksimalisht partiake, ndihet të paktën tek pika e shlyerjes së detyrimeve diku tek fillimi i rrugës Mine Peza. Brenda asaj zyre rreth 30 m2 marrin rrogë pesë femra nëpër kompjutera e një mashkull në këmbë, të gjithë këta punonjës të UKT-së, duke kryer disa funksione pak a shumë të përcaktuara. Dy poste pune në hyrje kanë banak e kompjutera vetëm për të marrë ankesat e qytetarëve. Duke qenë se mjedisi është shumë i këndshëm, me vende për tu ulur dhe pa ndonjë fluks të rregullt pagimtarësh, kjo pikë mund të funksiononte fare mirë edhe me më pak punonjës. Rrogat e tjera të kursyera mund të përdoreshin fare mirë për të rritur kapacitetet teknike infrastrukturore apo të burimeve njerëzore të institucionit. Kursimi i letrës për arsye mjedisore e financiare, sepse përdorimi i kompjuterit dhe internetit mund të sillte përfitime edhe në këto dy aspekte, është një luks i madh edhe për UKT-në.
Në Shqipëri ka zona të tëra që vuajnë nga furnizimi i mangët me ujë, por edhe zona që nuk dinë akoma se si të përfitojnë maksimalisht nga sasia e ujit të cilin natyra ua ka dhënë me bujari. Më shumë se 15 vite u bënë tashmë, që në rrëzë të Qafë-Thanës banorët e zonës bëjnë garë me njëri-tjetrin se kujt ia hedh zorra ujin më lart, pa pushim, gjatë pjesës më të madhe të ditës, edhe kur nuk lajnë asnjë makinë. Kështu i tërheqin klientët: atij i hedh zorra më lart e më fort, tek ai duhet larë automjeti. Shyqyr që në atë rrugë nuk kalojnë e nuk e shohin skenën afrikanët apo arabët e gjorë, të cilët në shumicë nuk e kanë luksin e të harxhuarit ujë pa teklif për të bërë dush, e jo më për ta derdhur kot. Nëpër dyqane e supermarkete anembanë vendit shiten gjithashtu variante të ndryshme shishesh me ujë.
Sido që ta shikosh ujin që buron nën e mbi territorin shqiptar, nuk mund të mos kuptosh se qeveritarët e famshëm pluralistë vijojnë ta menaxhojnë ujin brenda hapësirës së vlerësimit nga tmerrësisht keq deri në jo mjaftueshëm mirë. Askush nuk është mjaftueshëm bashkëkohor, për të marrë përgjegjësi për ujin që përmbyt zonën e Shkodrës dhe Maliqit, për shëmtimin e shkatërrimin e lumenjve e rrjedhave ujore nga shfrytëzimi i inerteve apo për prishjen e kanaleve vaditëse e kulluese për fushat që prodhojnë bukë për fakirët.
Asnjë qeveritar pluralist nuk e njeh institucionin e autokritikës së shëndoshë për mungesën e ujit nëpër çezmat e hoteleve, restoranteve dhe shtëpive të pushimit në zonat turistike në zhegun e sezonit veror. Ama të gjithë qeveritarët pluralistë dinë të premtojnë drita e ujë (binom i politikuar njëlloj si liri-demokraci) 24 orë edhe pas 20 vitesh apo të japin licensa hidrocentralesh dhe jo licensa për ndërtim hidrocentralesh në çdo vërrë që nxjerr ujë. Bëmat e këtyre birbove të tranzicionit janë më të jashtëzakonshme se ato të Mujit e Halilit. Nëse folklori i veçantë shqiptar shfrytëzoi cilësitë më të mira dhe ato më dallueset në karakterin etnik shqiptar duke i përshkruar në Eposin e Kreshnikëve, bëmat e kreshnikëve të politikës pluraliste në Shqipëri mund të arrijë ti përmbledhë vetëm një epos i tipit dy me katër metra sipërfaqe e me dritare të vogël, ku ata të mbahen përjetësisht e të pijnë ujë pusi.
*Rubrika MADE IN ALBANIA çdo të premte