Spitali që nuk u ndërtua kurrë
Ilir Yzeiri
Gazeta e madhe italiane La Republica në numrin e ditës së hënë, 27 shkurt 2012, boton në faqe të parë dhe si lajm kryesor një raport të përgatitur nga gjykatësit kontabël italianë rajon për rajon. Një gropë e zezë në formën e evazionit fiskal ku përfshihen keqadministrimi shëndetësor, tenderat, konsulencat. Gjykata e Llogarive në Itali jep alarmin se miliarda euro janë zhdukur pa asnjë gjurmë. Ja italia e shpërdorimeve me këtë titull pra çelej gazeta La republica e datës 27 shkurt. Mirëpo në dy faqet e këtij raportimi një vend të posaçëm zinte edhe një shpërdorim që kishte lidhje me Shqipërinë.
Nën okelion Dhjetë milionë në Shqipëri për spitalin që nuk u ndërtua kurrë gazetarët Alberto DArgenio dhe Emanuele Lauria shkruajnë se Një tjetër shpërdorim me përmasa kolosale, cituar nga Gjykata e Llogarivë të Lacios, është ajo e 20 milionëve të caktuara nga Ministria e Jashtme për ndërtimin e spitalit Zoja e Këshillit të mirë në Tiranë, Shqipëri. Spitali nuk përfundoi kurrë: nga 20 milionë të caktuara nga Farnezina 10 u lëvruan dhe humbën përpara se projekti të shpallej si i pamundur për tu realizuar
Në fakt kjo histori është e gjatë dhe e komplikuar. Në këtë projekt nuk kanë humbur vetëm paratë e taksapaguesve italianë. Në këtë projekt të papërfunduar janë edhe 100 000 metra katrorë tokë të cilat fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë i bleu për 1000 euro (!) për të realizuar atë projekt. Janë gjithashtu edhe shumë lehtësi të tjera fiskale si dhe godina e ndërtuar nga Konti Ferra të cilat tani që projekti nuk do të realizohet duhet tu kthehen takspaguesëve shqiptarë.
Si u shkel amaneti i Nënë Terezës
Historia e spitalit Zoja e Këshillit të mirë është investiguar nga gazetarët e programit Hapur në një reportazh të realizuar dhe të shfaqur në vitin 2010, ku është treguar gjithë kronologjia e një amaneti të pambajtur. Siç dihet, në vitn 1988 një shqiptaro-italian me emrin Konti Ferra pat shfaqur dëshirën që të ndërtonte një spital në Shqipëri që të kishte edhe emrin e tij. Ashtu u bë. Qeveria e Ramiz Alisë e pranoi këtë ofertë nga fundi i viteve 80 dhe këtij projekti iu vu në dispozicion një terren prej 50 mijë metra katrorë prapa pallatit të Sportit Asllan Rusi në vendin e njohur si Fusha e Aviacionit. Mirëpo kur erdhi në fuqi qeveria demokratike, projekti u ndërpre. Në vitin 1993 Nënë Tereza vjen në Shqipëri dhe shfaq dëshirën që të ndërtohet një spital me emrin e saj. Ashtu u bë.
Qeveria shqiptare vë në dispozicion të këtij amaneti truallin dhe godinën e papërfunduar të spitalit që do të ndërtonte Konti Ferra. Për këtë, midis qeverisë shqiptare dhe Kishës Katolike nënshkruhet një marrëveshje e cila bëhet ligj në Parlamentin shqiptar. Qeveria shqiptare angazhohej që të vinte në dispozicion 50 mijë metra katrorë tokë dhe shumë lehtësi të tjera si dhe godinën e papërfunduar. Kisha katolike ngarkonte Fondacionin Zoja e Këshillit të mirë që të drejtonte punën për ndërtimin e këtij spitali. Puna nisi disa herë dhe disa herë u ndërpre. Pas trazirave të vitit 1997 dhe meqenëse Nënë Tereza kishte ndërruar jetë, përpjekjet për të përfunduar spitalin dhe për të realizuar amanetin e saj u bënë më të mëdha.
Kështu në vitin 2001 gjatë vizitës në Shqipëri të Kardinalit Laghi shtypi raportonte se së shpejti në Shqipëri do të çelte dyert një kompleks spitalor dhe universitet katolik me fakultet mjekësie i quajtur Zonja e Këshillit të mirë. Shtypi raportonte se fondi fillestar për ndërtimin ka qenë 15 milionë dollarë dhe tani donacionet kanë arritur në 45 milionë dollarë. Spitali do të kishte një kapacitet prej 200 shtretërish. Për fazën e parë me 100 shtretër do të investoheshin 20 milion dollarë. Ndërsa vlera e gjithë projektit do të ishte rreth 50 milion dollarë. Qeveria shqiptare në këtë kohë i vuri në dispozicion këtij prjoketi edhe 50 mijë metra katrorë të tjera. Pra gjithsej 100 000 metra katorë. Mirëpo kaluan 20 vjet dhe ky projekt nuk u realizua. Amaneti i Nënë Terezës nuk u mbajt. Ndërkaq aty është ndërtuar vetëm Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë me disa degë.
*Një material më të zgjeruar rreth kësaj ngjarje që ka zënë faqet e para në shtypin italian mund të lexoni nesër