Qejfli serbesh!
Nga Mero Baze
Kryeministri i Shqipërisë, i cili është përjashtuar nga çdo agjendë zyrtare e Bashkimit Evropian, po përpiqet të shfaqet si properëndimor duke tentuar të bëhet pjesë e suksesit të Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në një autointervistë nga Brukseli, ku merr pjesë në një seminar të rëndomtë të Partive Popullore, ku bën pjesë partia e tij, Berisha u përpoq të shpjegonte sa mundte se kishte lavdëruar marrëveshjen Serbi- Kosovë dhe se kishte shprehur vlerësimin pozitiv për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian. E di që shumë shqiptarëve u ngrihen nervat nga kjo fjali. E di po ashtu se shumë serbë, përfshi edhe qeverinë e tyre, as që u intereson ky vlerësim pozitiv i Berishës për ta, se u prish punë. Por sikleti i këtij njeriu të djallëzuar dhe të pamëshirshëm ndaj fatit që i diktoi vendit të tij, është që të shfaqet si proevropian në Bruksel. Duke parë trendin evropian pro Serbisë dhe imponimin e Brukselit ndaj marrëveshjes Serbi- Kosovë, njeriu që la jashtë Evropës me vetëdije vendin e tij për hir të kolltukut të vet, mendon se lë përshtypje të mirë tek evropianët kur të lavdërojë Serbinë.
Evropa ka një axhendë konkrete për Sali Berishën, me 12 pika, të cilat ai jo vetëm që nuk i realizon, por me atë që po përgatitet të bëjë në qershor do ta varrosë përfundimisht ëndrrën shqiptare për të hyrë në Evropë me Sali Berishën. Dhe ky njeri që i dikton Shqipërisë një fat joevropian dhe një kurs politik antiperëndimor kërkon të duket si properëndimor në Bruksel vetëm duke lavdëruar Serbinë dhe arritjet e saj.
Bile në këtë pikë ai po shkon dhe më tej. Kohët e fundit, por dhe në deklaratën e tij për median shqiptare nga Brukseli, ai forcoi idenë se shqiptarët nuk e meritojnë Bashkimin Evropian dhe serbët e meritojnë. Ai theksoi disa herë faktin se kishte thënë në fjalimin e tij se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në merita dhe kjo nënkupton se shqiptarët nuk kanë merita të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Përveçse është fajtori i vetëm dhe i vetëdijshëm për të na lënë jashtë Evropës, ai po adapton dhe një gjuhë antishqiptare dhe fyese duke hedhur përgjegjësinë tek populli. E vërteta historike dhe e prekshme është se shqiptarët janë një popull properëndimor dhe serbët janë një popull antiperëndimor. E vërteta e dytë e dhimbshme është se serbët kanë një qeveri properëndimore dhe shqiptarët një qeveri antiperëndimore. Dhe duke qenë se qeveritë diktojnë tashmë fatin e këtyre dy popujve, shqiptarët po mbeten jashtë Evropës, jashtë vullnetit të tyre dhe serbët po hyjnë me zor në Evropë, po ashtu jashtë vullnetit të tyre. Nëse ata i lë të lirë, ata nuk e duan Perëndimin dhe ne nëse na lë të lirë, i bashkohemi Perëndimit pa asnjë mëdyshje. Pengesa jonë e vetme është Sali Berisha, i cili pos faktit që ka diktuar një fat antiperëndimor, tani gjen kohë të bëjë dhe avokatin e Serbisë, për tu treguar perëndimorëve se ai e do Serbinë si “ata në Perëndim”, por ska çi bën popullit dhe opozitës që nuk e meriton.
Në të vërtetë dashuria e tij për serbët mund të konsiderohet një cilësi perëndimore, në kuptimin që në Perëndim ka simpati për Serbinë. Por Perëndimi ka dëshmuar se do Serbinë demokratike, pasi ishin po këto shtete që 12 vjet më parë bombarduan Serbinë për shkak të gjenocidit në Kosovë. Në këtë aspekt Sali Berisha po shfaqet si një njeri inferior, si një njeri që kërkon me çdo kusht tu hyjë në zemër perëndimorëve, jo për arsyet përse ai ka marrëdhënie me ta, por për arsye të tjera. Arsyeja pse Berisha ka punë me Perëndimin është se është kryeministër i Shqipërisë dhe duhet të fusë vendin në Bashkimin Evropian dhe jo se është qejfli serbësh apo serbesh, të cilët tani janë në modë në Evropë. Nëse Sali Berisha nuk do ishte kryeministër, askush në Bruksel apo Beograd nuk donte tia dinte çmendonte ai për plotësimin e kushteve nga Serbia. Të vetmen pyetje që ata kanë për Berishën është pse nuk plotëson kushtet që Brukseli i ka vënë Shqipërisë. Kësaj pyetje Berisha ka kohë që herë me zë të lartë e herë me zë të ulët i përgjigjet se ne nuk e meritojmë. Ka të drejtë. Ne në të vërtetë si popull nuk meritojmë atë kryeministër, por fakti që nuk kemi fuqi ta rrëzojmë na e ul boll dinjitetin në Evropë. Dhe si të tillë jemi evropianë defiçentë. Fati nuk është aq bujar me ne sa të na jepte një qeveri properëndimore që të ta hapte dyert e Evropës. Serbëve u ra ky fat. U ra ky fat edhe pse nuk e duan. Ata më shumë janë të gëzuar që arritën të relativizojnë Kosovën, se sa që arritën të hapin dyert e Evropës. I vetmi që ndjehet i gëzuar nga kjo histori suksesi e Serbisë ngjan Sali Berisha. Një lider normal shqiptar duhet të ishte dy herë i tronditur. Një herë që vendi i tij mbeti jashtë dere dhe tjetrën herë që një vend, i cili ka probleme me shqiptarët, hyri para tij. Ky i yni gëzon pa fund. A thua sikur ka realizuar misionin e jetës së tij. Gëzon sikur pikërisht këtë tu kishte premtuar shqiptarëve futjen e Serbisë para vendit të tij në BE. Gëzon gjithë inferioritet sikur të jetë dhëndër brenda në Serbi dhe jo kryeministër i një vendi që mbeti jashtë Evropës.
