“Me urdhër të Nanos,Moisiu e hiqte Metën nga delegacionet, udhëtimet me avionin e familjes”
Iris Halili*
Zbulimi i anës së padukshme të një ish-presidenti, një veprimtari e tërë shtrirë në katër vite e parë me sy kritik dhe kryesisht realist, krahasuar me zhvillimet politike të kohës, ky ishte informacioni që përcillte në numrin e djeshëm autorja Iris Halili, ish-shefja e kabinetit të ish-presidentit, Alfred Moisiu. Duke sqaruar lexuesin se shkrimi vinte i provokuar nga botimi i librit me kujtime Moisiut me titull “Mes Nanos dhe Berishës”, një rindërtim i ngjarjeve më kryesore të viteve të tij si President, autorja që në fillim pohon se në shumë raste autori ka devijuar nga e vërteta, sidomos për sa i përket rrëfimit të marrëdhënieve të tij me ish-kryeministrin Fatos Nano. Autorja përmes një analize të hollë në fillim të shkrimit përmend të gjitha veprimet pozitive të Moisiut në krye të shtetit, por më tej e njëjta rreshton edhe të gjitha pakënaqësitë e saj, lojën e Moisiut me këshilltarët, përzgjedhjen e tyre sipas shijes së Kryeministrit Nano, zëvendësimet e shpeshta, bindjen e verbër ndaj Kryeministrit kundrejt ndereve që ai i bënte tarafit të Moisiut e të tjera.
Në fillim të vitit 2003 lëvizjet e Presidentit të asaj kohe kishin filluar të merrnin drejtime të dukshme jo në favor të opozitës. Nuk di por sa herë kam menduar për degradimin e Moisiut, Presidentit ish, në mendje më kanë ardhur vargjet e poetit rus Jevtushenko “Edhe para Galileut e dinin që bota rrotullohej, por kishin familje”. Në fakt këto janë vargje që një burrë shteti duhet t’i lexojë, jo për të justifikuar veprimet, por për të kuptuar misionin e tij. Përfshirjen totale të Moisiut përkrah Nanos po e jap edhe me një fakt që unë e vlerësoj sinjifikativ. Me kabinetin e zotit Meta, Presidenca kishte raportet më korrekte… deri ditën kur Nano vendosi të vërë veton edhe në raportet Meta-Moisiu. Ishte qershor i vitit 2003 kur në Selanik do të zhvillohej një konferencë ndërkombëtare. Moisiu, Presidenti ish, përmend në libër vetëm faktin që Meta i kërkoi të vendosej në delegacion nëpërmjet një takimi që pati me të, por në fund, në Konferencë në vend të Ilir Metës u vendos Sokol Nako. Gjithçka u vendos pas “urdhrit” që Nano i dha Moisiut. Por Moisiu i shmanget sqarimit të këtij konflikti, duke bërë një kapërcim “artistik” në muajin korrik, tek dorëheqja e Metës dhe si gjithmonë tek Berisha që kërkoi dorëheqjen e Nanos që iu larguan dy ministra. Është krejt pasionante që Moisiu, Presidenti ish, edhe në kohën kur qeveria Nano kalon krizën e saj më të madhe… merret me Berishën. Ndërsa vetë nuk pati guximin as të fuste Ministrin e Jashtëm në një delegacion, përbërjen e të cilit e vendoste vetë. Si tani më kujtohet që, me një letër të Metës në dorë të ardhur zyrtarisht në presidencë, i hyj Moisiut në zyrë dhe, pasi i tregoj përmbajtjen e letrës, e cila kishte të bënte me kërkesën e Metës për të marrë pjesë në konferencë, i theksoj se organizatorët e kanë të padiskutuar pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm, gjë që ma kanë komunikuar hapur nëpërmjet faksimileve. Nuk mu përgjigj me fjalë, por me akte. Të nesërmen isha hequr edhe unë nga delegacioni. Në të njëjtën pozitë Moisiu u vu edhe në një rast të mëparshëm, përpara vizitës së ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell, ndërsa nuk guxonte të firmoste axhendën e vizitave, ku figuronte emri i Ilir Metës. Haptazi Fatos Nano realizonte çdo kërkesë të Moisiut dhe ky i fundit bënte çfarë donte Nano. Një rezonancë që, edhe kur është tronditur ndopak, ka qenë vetëm për kapriço apo presion në arritje të interesave të ndërsjellta. Institucioni i Presidencës ka pasur në kohën e Nanos buxhetin më të lartë që ka njohur në historinë e tij, buxhet që i jepte dorë Moisiut të bënte çdo vit nga një rikonstruksion, me një të vetëm ndërtues.
Skandali me paradën dhe helikopterin
Në fund të vitit 2003 tabloja e raporteve mes Moisiut, Nanos dhe Berishës, ishte e qartë dhe krejtësisht e përfunduar. Ngjarjet e mëvonshme treguan se asgjë nuk ndryshoi në thelb. Pra, sado të përpiqet Presidenti ish, të bëjë ndarje kalendarike në kujtimet e tij, vlerësoj se raportet e tij si me Nanon dhe Berishën ishin vulosur përfundimisht që në vitin 2003. Ato janë të njëjta edhe sot e gjithë ditën. Ishin vitet kur familja legale dhe ajo jo legale, po shijonte maksimalisht të mirat e kolltukut të Presidentit që e majmte “bujaria” e Nanos. Pak nënqeshje apo poshtërim i bëhej “hallall” këtij të fundit, edhe në raste flagrante si ai i nëntorit 2004. Pikërisht më 29 nëntor të vitit 2004, ditën e Paradës ushtarake, Zoti Nano e shpalli publikisht qëndrimin e tij për Presidentin, Komandantin e Forcave të Armatosura, duke e lënë atë ta presë përpara gjithë kamerave, personaliteteve më të larta të vendit dhe trupit diplomatik dhe duke bërë kështu nisjen e ceremonisë me gati 35 minuta vonesë. Të nesërmen nga zyra e Moisiut, Presidentit ish, doli vetëm një shkresë rakitike ku i hiqej vërejtje shefit të shtabit, Pëllumb Qazimit, a thua se ky i fundit komandonte korrektësinë e Kryeministrit. Kështu e këshilloi grupi i këshilltarëve të afërt. Kështu donte Presidenti. Kryeministrit nuk mund t’i dilte përballë. Dhe Fatos Nano, teksa i kishte mësuar huqet dhe i hidhte nga një kockë, tallej haptazi me Moisiun. Kështu në disa raste, ndërsa ishin planifikuar ditë më parë vizita të Presidentit dhe ishte prenotuar helikopteri i vetëm që dispononte shteti për udhëtime qeveritare, një natë më parë vinte urdhri i Kryeministrit për t’i vënë në dispozicion helikopterin, duke lënë në tokë Moisiun që detyrohej të anulonte programin ose të priste me orë të tëra derisa Nano të mbaronte punët e veta.
Është vërtet për të vënë duart në kokë, kur Moisiu, Presidenti ish, shkruan që në rreshtat e parë të librit për përfitimin që politikanët shqiptarë i kanë bërë dhe po i bëjnë politikës, për pasurim personal. Nuk di ku e fut veten Moisiu, Presidenti ish, por deri më sot në Presidencën shqiptare, nuk është ulur asnjë kryetar shteti që të ketë përfituar, shfrytëzuar, shtrydhur deri në fund karrigen e presidentit vetëm në realizim të interesave të familjes. Mes qindra fakteve të shënuara në ditarin tim, po u sjell lexuesve një fakt konkret.
Udhëtimet me avionin e familjes
Vetëm disa muaj para zgjedhjeve pata me Moisiun në zyrën e tij në bisedë e sipër një debat se kush mund t’i fitojë zgjedhjet. Nuk di por atëherë e pata të vështirë të deshifroja nëse ishte ndonjë sinjalizim që ai kishte apo diçka tjetër, pasi ai shprehu hapur bindjen e tij absolute që Berisha nuk rivjen në pushtet. Dola nga zyra pak me dilemë. Por instinkti nuk më gënjeu. Moisiu nuk kishte dhe s’kishte se nga, asnjë informacion që Berisha nuk vinte në pushtet. Moisiu, Presidenti ish, bënte autosugjestion tek thoshte këtë, thjesht dhe vetëm se qerja e tij e interesave familjare ishte kapur pas asaj të Nanos. Dhe kjo mu vërtetua disa javë më vonë, kur bëra edhe debatin e fundit me Moisiun. Ishte një ndër aktivitetet rutinë dhe më shumë honorifikë të Presidentit, një udhëtim në Izrael me rastin e përurimit të Muzeut të Holokaustit. Nga Sekretari i Përgjithshëm dëgjova se udhëtimi mund të bëhej edhe me çarterin e kompanisë që sapo kishte nisur fluturimet, “Albatros”. I hyj Presidentit në zyrë dhe i them shkoqur se ne nuk mund të udhëtojmë me çarterët e “Albatros”-it, për aq kohë sa vajza e tij e madhe dhe nipi i tij ishin aksionarët kryesorë dhe madje të vetëm. Deri atë çast ne nuk kishim kryer asnjë fluturim me “Albatros”. “S’ka asnjë të keqe të udhëtojmë me to”- ishte përgjigjja e tij... Unë u nisa për në Paris me një ftesë që kisha nga UNESCO në një aktivitet që organizohej me rastin e 8 Marsit. Ndërkohë, kisha lënë të përfunduara të gjitha praktikat për vizitën e përmendur të Presidentit. Udhëtimi, siç e kisha programuar unë do të bëhej me linjë normale pasagjerësh. Kur kthehem nga Parisi, informohem se delegacioni prej vetëm pesë vetësh, ishte nisur me çarter të kompanisë “Albatros” me një kapacitet 100 vendesh. Një skandal i tillë do të bënte të largohej nga detyra çdo funksionar publik në cilindo vend demokratik. Pas dy javësh unë u largova nga Presidenca, ndërsa të gjitha udhëtimet e mëpasshme të Presidentit rezultojnë të jenë kryer vetëm me “Albatros”, deri në ditën kur ky zog i famshëm i familjes Moisiu shpalli mosfluturimin.
Moisiu, Presidenti ish, nuk ka asnjë dallim nga pjesa dërrmuese e politikanëve që pushtojnë çdo ditë ekranet e televizioneve. Ai mbetet po aq i zhytur në korrupsion dhe nepotizëm. Vetëm se, me një mjeshtëri prej Donx Buruje, të gjitha interesat e tij për të mira personale, ia ka servirur shqiptarëve në emër të parimeve të ndërtimit të shtetit ligjor ose përplasjeve institucionale. Në shënimet e mia regjistrohen me qindra fakte, të cilat do të botohen në vazhdim dhe për aq kohë sa do të shikojmë që blasfemuesit po hiqen më katolikë se papa.
Axhenda pa firmë nga frika e Nanos
Më kujtohet kur Shqipërinë do ta vizitonte Sekretari Amerikan i Shtetit, Colin Powell. Deri në çastet e fundit, Protokolli i Shtetit nuk arrinte dot t’i dorëzonte palës amerikane axhendën e takimeve, pasi nga pala amerikane ishte kërkuar që Sekretarin amerikan do ta shoqëronte në të gjitha takimet homologu i tij i jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Por kjo gjë nuk i shkonte për shtat Fatos Nanos, i cili në atë kohë ishte në kulmin e debateve me Metën. Vetë Moisiu, megjithëse ishte informuar për kërkesën amerikane, si dhe e njihte anën protokollare, deri në orët e vona të natës nuk arriti dot të marrë një vendim, pasi Protokolli i Shtetit varej direkt nga Moisiu. Mbeteshin vetëm disa orë nga vizita e Sekretarit Powell. Pamundësia e Presidentit për të marrë një vendim në kundërshtim me vullnetin e zotit Nano, u bë problem për Ambasadën Amerikane, duke e detyruar këtë të fundit që të hartojë vetë axhendën dhe ta sjellë në Presidencë për firmë rreth orës 22.00 të mbrëmjes. Një pozitë vërtet qesharake për shtetin shqiptar dhe për kryetarin e tij.
Iliescu për arumunët, Moisiu për kaçkavallin
Një nga vizitat e rëndësishme të nivelit të lartë ishte ajo e në Republikën e Rumanisë, vend i cili në vjeshtën e vitit 2004 kishte bërë gati “letrat” për të hyrë në Bashkimin Europian. Në takimin bilateral mes dy presidentëve, Presidenti i Rumanisë, Ion Iliescu, kërkoi mes të tjerave që Shqipëria duhet të tregojë kujdes për minoritetet dhe në mënyrë të veçantë kërkoi përkujdesje për komunitetin arumun në Shqipëri. I befasuar nga ndërhyrja e homologut, Moisiu u shpreh i habitur se ky minoritet ka pasur të drejta të plota. Në vijim të pjesës së vet folklorike, Moisiu tha se ai vetë ishte martuar me arumune bile shtoi se rumunët janë të famshëm... për prodhimin e djathit kaçkavall.
*) Ish-shefe e Kabinetit pranë ish-presidentit Moisiu