E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me vegime legjendare, Delina sonte ngjitet në skenë

Me vegimesh legjendare dramatike lartësohet dueti i dashurisë në veprën e Çesk Zadesë Delina, e cila ngjitet sonte në skenën e TKOB. Baleti premierë me 2 akte vjen me koreografi nga Agron Aliaj, kjo vepër do të vijë në skenë dhe në datat 6 dhe 7. Dirigjimi i veprës i është besuar dirigjentit të njohur Bujar Llapaj. Këtë pjesë shqiptare do ta sjellin në skenë

 solistët Enada Hoxha, Gerd Vaso e trupa e baletit, ndërsa skenografia dhe kostumet janë përgatitur nga Taulant Pustina. Ky balet rikthehet në skenën shqiptare pas 46 vjetësh. Për herë të parë është shfaqur në skenën e TKOB në vitin 1964 me koreografi të Panajot Kanaçit. Libreti është shkruar po nga Kanaçi, bashkë me Çesk Zadenë. Solistët e parë të këtij baleti kane qenë Agron Aliaj në rolin Arbanit dhe Zoica Haxho në rolin e Delinës. Delina konsiderohet si një nga baletet më të njohur të repertorit shqiptar. Në libretin e ri, historia e Delinës rri në triptik bashkë me legjendat e Norës së Andrea Skanjetit, dhe me legjendën e Doruntinës. Libreti është ndërtuar në një ndërthurje te personazheve, simboleve dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e rapsodive dhe legjendave arbërore, të cilët zbërthejnë veti të larta të një kulture autentike e të lidhur drejt për së drejti me faktorët historikë dhe ata të konstitucionit shpirtëror. Këto legjenda kanë lënë gjurmë të pashlyeshme përmes krijimtarisë artistike të popullit, shprehje e shijes së hollë estetike, e përgjithësimit historik të lashtë sa ekzistenca e tij. Brenda unitetit të motiveve dhe personazheve legjendarë gërshetohen tri prej tyre. Ngjarjet e dashurisë së madhe të dy vëllezërve Arbanit dhe Shotit për të bukurën Delinë, Rikthimi i Doruntinës për të mbajtur besën, Nora që lindi vajzë kundër dëshirës së përbetuar të atit, që e donte djalë deri në marrëzi dhe që e transformoi vajzën në trimëreshë. Kjo kryevepër shqiptare vjen në vijim të shfaqjeve të suksesshme që janë shfaqur në skenën e TKOB. Drejtuesit e këtij institucioni ashtu si dhe në sezonet e mëparshme kanë sjellë për publikun vepra me mesazhe të forta njerëzore, por që kanë sjellë dhe emocione tek publiku. Në vijim të tyre vjen dhe Delina, e cila premton për emocione të fuqishme në skenën e TKOB.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›