Me verën largohen edhe rriqrat nga Malisheva

Malishevë, 2 shtator – Nga data 20 gusht sipas koordinatorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shefqet Paçarizi, në këtë institucion shëndetësor nuk është lajmëruar asnjë pacient i pickuar nga rriqrat. Të fundit sipas tij kanë qenë 3 pacientë, 2 nga Banja dhe një nga Lladrofci. Paçarizi ka thënë se aktualisht nuk është asnjë pacientë nga Malisheva i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së, me indikacione se ka ethe hemorragjike. Edhe drejtori i Klinikës Infektive, Shemsedin Dreshaj të enjten ka konfirmuar këtë gjë duke bërë me dije se për momentin në këtë klinikë nuk është asnjë pacient i shtrirë me dyshime se është i prekur nga ethet hemorragjike. Shifra e përgjithshme e të pickuarëve nga rriqrat ndërkaq sipas koordinatorit të QKMF-së në malishevë sivjetë sëhstë 1342 veta. Gushti ka qenë muaji ku përkundër temperaturave të larta që konsiderohen të pafavorshme për rriqrat 39 veta kanë kërkuar ndihmë në QKMF-në e Malishevës pas pickimit nga ata. Korriku ndërkaq si muaj në të cilin punët në fusha kanë qenë më të shumta ka qenë shumë më i ngarkuar se gushti përkundër asaj se edhe gjatë këtij muaji ka patur temperatura mjaftë të larta. Sipas të dhënave të koordinatorit Paçarizi, qendra komunale e Malishevës sivjet ka qenë më e atakuara nga rriqërat edhe pse po sipas tij ky lokalitet është spërkatur më së shumti me preparate për luftimin e rriqërave. Kanë qenë 159 qytetarë të Malishevës të cilët kanë kërkuar ndihmë në QKMF si të pickuar nga rriqrat. Ndër parakushtet ideale të paraqitjes së rriqrave në Malishevë, koordinatori i QKMF-së vlerëson se është prania e madhe e mbeturinave, sidomos rreth qytetit. Lumi “Mirusha” që kalon përmes qytetit, përrocka që vije nga Vargmalet e Berishës, pronat e NB-së “Mirusha” përreth Malishevës poashtu konsiderohen zona ideale që favorizojnë zhvillimin e rriqrave. Zhvillimi i një infrastrukture solide ndërkaq besohet se ka ndikuar në rënjen e rrezikut nga ethet hemorragjike në fshatin e dytë për nga madhësia, në Banjë ku sivjet janë pickuar nga rriqrat vetëm 81 veta. Drenofci, fshati më i madh i komunës është i dyti për nga shkalla e rrezikshmërisë nga ethet hemorragjike ku janë pickuar 123 veta nga rriqrat gjatë këtij, ndërkohë që pas tij vjen Carralluka me 97 të pickuar. Sivjet kanë vdekur dy qytetarë nga Komuna e Malishevës nga ethet hemorragjike krime-kongo. Komuna e Malishevës sivjet për herë të parë ka realizuar një projekt për spërkatje selektive në luftë kundër etheve hemorragjike. Autoritete shëndetësore të Malishevës thonë se duhet vazhduar me vite kjo spërkatje për të dhënë efektet e veta. Ndonëse janë bërë projekte për të vazhduar me spërkatje të ngjashme edhe vitin vijues, deri tash sipas drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë, Skënder Hoti nuk është kthyer ndonjë përgjigje nga autoritetet qendrore të vendit. Kryetari i Komunës së Malishevës ka kërkuar publikisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës një fond prej 1 milionë eurosh që të shfrytëzohen për luftimin e etheve hemorragjike gjatë vitit të ardhshëm por deri tani nuk ka patur njoftime për aprovimin eventual të kësaj kërkese.