Lesi në Bruksel: Ju ftoj të vizitoni Shqipërinë, më pas nuk do mund ta lini atë
Nëse vizitorë të huaj do të vinin të shihnin Shqipërinë me syrin e turistit, do ta kishin shumë të vështirë më pas ta linin atë. Në këtë vend, një turist mund të shohë njëherësh detin, ultësirën, malin, por edhe historinë. Nipollë Lesi, zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka zgjedhur këtë mënyrë për të ftuar nga Brukseli turistët e huaj të zgjedhin Shqipërinë si një mundësi shumë të mirë për turizëm të veçantë. Zëvendësministri Lesi mori pjesë në konferencën “Turizmi në Evropën Lindore; promovim, zhvillim dhe bashkëpunim” (“Tourism in South East Europe; promotion, development, cooperation”) mbajtur në Bruksel, dhe e organizuar nga Revista e Parlamentit Evropian (“The Parliament Magazine”). Konferenca u fokusua në tre drejtimet kryesore mbi turizmin: promovim, zhvillim dhe koperim. Çështjet e trajtuara përfshinin turizmin aktiv, transportin dhe infrastrukturën, kooperimin rajonal, turizmin e mjedisit dhe turizmin e biznesit. Qëllimi i kësaj konference ishte të krijonte një platformë për secilin nga vendet pjesëmarrës për promovimin e aktiviteteve të tyre turistike; sigurimin e një mundësie takimi dhe diskutimi midis delegatëve; krijimin e një forumi diskutimi midis tyre, duke përfshirë institucionet e Brukselit dhe krijimin e një mundësie për bashkëpunimin midis vendeve të Evropës Lindore në fushën e turizmit.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri i TKRS, zoti Nikollë Lesi, bëri një rezyme të arritjeve në fushën e turizmit në Shqipëri, si një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Ai përmendi konkretisht fakte të lidhura me investimet dhe infrastrukturën: arritjet në restaurimet e monumenteve të kulturës, arritjet në prezantimin e itinerareve kulturore-historike, investimet në formën e restaurimeve të muzeve dhe shtëpive muze, përgatitjen e paketave turistike, guidat dhe hartat (të cilat përfshijnë gjithë vendet me intriguese të territorit shqiptar), restaurimin e Muzeut Historik Kombëtar me ndihmën e një donacioni të qeverisë spanjolle, si edhe projekte të tjera të mëdha bashkëpunimi si ai me Bankën Botërore mbi bregdetin e Jugut, bashkëpunimi me Zyrën e Delegacionit Evropian në Shqipëri, apo bashkëpunimi me UNESCO-n. “Do të thosha shkurtimisht se Shqipëria është vendi ku turistët brenda pak minutave mund të vizitojnë bregdetin, ultësirën, malin ose një monumente të Mesjetës. Do t’ju sugjeroja të vizitoni Shqipërinë dhe do të shihni se do të jetë e vështirë ta lini atë vend. Ju ftoj të gjithëve të shijoni bukurinë e vendit tim!”, - tha në fjalën e tij Lesi.