E Shtunë, 31 Tetor 2026

Media: BE rezolutenë OKB në mbrojtjetë Kosovës

PRISHTINE- Gati një javë pasi GJND shpalli opinionin e saj se Kosova nuk ka shkelur ligjet ndërkombëtare duke shpallur pavarësinë beteja diplomatike duket se do të zhvendoset në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në selinë e saj në Nju Jork përvec draftrezolutës së dorëzuar nga Serbia ku në mënyrë të tërthortë kërkohet rifillimi i negociatave për statusin e Kosovës, mund të diskutohet dhe një draft rezolutë e përgatitur nga Bashkimi Europian dhe që kërkon njohjen nga OKB të vendimit të GJND-së.

Gazeta kosovare “Expres” shkruan në faqen e saj online se draft rezoluta për Kosovën është përgatitur nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Catherine Ashton dhe se drafti po i vihet në dispozicion të gjitha misioneve diplomatike të shteteve të BE’së në New York.

Express thotë se ka siguruar një kopje të rezolutës evropiane, përmbajtja e të cilës dallon shumë nga rezoluta serbe.
Në pikën 12 të rezolutës thuhet se “BE e pranon me respekt opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të datës 22 korrik 2010, lidhur me përputhjen e së drejtës ndërkombëtare me deklaratën e njëanshme të pavarësisë nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës, që është përgjigje ndaj kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme”,citon artikulli

Në pikën 2 të kësaj rezolute, në mënyrë të tërthortë inkurajohen Kosova dhe Serbia që të bisedojnë për të avancuar bashkëpunimin rajonal, ekonomik, zhvillimin demokratik, stabilitetin rajonal në përputhje me të ardhmen e tyre evropiane, por askund nuk aludohet në statusin e Kosovës.

Rezoluta përfundon se “(Asambleja e Përgjithshme) Mirëpret synimin e palëve që të vazhdojnë progresin lidhur me bashkëpunimin rajonal, ekonomik dhe demokratik si dhe stabilitetin afatgjatë rajonal, në përputhje me perspektivën e tyre europiane”. Burime diplomatike- të cilave u referohet shkrimi- kanë thënë se misioneve të përhershme të shteteve të BE’së në Kombet e Bashkuara u janë dhënë disa ditë kohë që të deklarohen se a pajtohen me përmbajtjen e rezolutës.

Megjithëkëtë, të njëjtat burime vlerësojnë se një formulim i tillë i rezolutës nuk duhet të jetë problem as për pesë shtetet e BE’së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndërkaq, sa i përket tekstit të rezolutës serbe, që në mënyrë të tërthortë bën thirrje për bisedime për statusin e Kosovës, mediat në Beograd kanë raportuar se diplomacia evropiane i ka bërë të ditur Serbisë se kjo rezolutë është plotësisht e papranueshme.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›