Progresi i Shqipërisë, ka zgjuar interesi e investitorëve belgë

Berisha takon kryebashkiakun e Brukselit, Thielemans
Qeveria “Berisha” ka krijuar potenciale të mëdha në Shqipëri, përmes implementimit të reformave ekonomike dhe klimës favorizuese të biznesit të huaj. Ky është konstatimi i kryetarit të Bashkisë së Brukselit, Freddy Thielemans, i cili e sheh Shqipërinë si vend prioritar për investimet e kompanive të mëdha belge. Gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin shqiptar Sali Berisha, kryebashkiaku Thielemans, e ka përgëzuar atë progresin e Shqipërisë vitet e fundit, veçanërisht në përpjekjet rezultative në fushën ekonomike, për t’i rezistuar efekteve të krizës ekonomike. Thielemans i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha dhe i bëri me dije se kishte vizituar Sarandën dhe Butrintin, dhe se gjatë vizitës së tij në Shqipëri kishte mbetur i impresionuar nga bukuritë e vendit tonë. Kryebashkiaku i Brukselit shprehu dëshirën për të vizituar sërish Shqipërinë dhe për ta njohur më mirë atë. Kryeministri Berisha i ofroi mikpritjen e tij me mirënjohjen më të madhe. Kryetari i Bashkisë së Brukselit vlerësoi reformat ekonomike dhe potencialet e mëdha që qeveria shqiptare ka krijuar në vend, si dhe vuri në dukje interesin e shprehur nga shumë kompani dhe investitorë nga Brukseli për të ardhur dhe investuar në Shqipëri. Kryeministri Berisha u shpreh se çdo investitor është i mirëpritur në Shqipëri dhe se do të gjejë një klimë miqësore, një kuadër ligjor dhe fiskal ndër më të mirët në Evropë dhe një mik që është qeveria shqiptare. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha nënshkroi në librin e artë të Bashkisë dhe bëri një tur në këtë institucion, monument kulture në Bruksel.
...