E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë ndodh kur kryetari i shtetit shkel kushtetutën?

- Presioni është mbi Bamir Topin, ai duhet të pranojë gafën ose neglizhencën e qëllimshme dhe rezultati është po i njëjtë: “Kushtetuta parashikon qartë fatin e shkelësit të saj”


- Imitimi i sjelljeve të Edi Ramës, po e konfirmon kreun e shtetit si bashkëpunëtor të ngushtë të klikës kundër ligjeve dhe kushtetutës


- Ekspertët juridikë, ish-anëtarë të gjykatës dhe ish-ministra drejtësie flasin qartë, se presidenti ka përdhosur Kushtetutën. Nga këtu kuptohet se presidenti Topi duhet të shkarkohet nga detyra dhe të mbajë përgjegjësi të veçanta për dhunimin e ligjit themeltar të shtetit


Përtej deklaratave politike dhe tendencave për të shmangur përgjegjësitë, presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka hyrë në histori si shkelës i Kushtetutës. Ndonëse sipërfaqësisht, mund të konsiderohet si veprim thjesht kapërcyes ose deri diku harresë e momentit, por që rikuperohet në momentin kur politika i kundërvihet, fatkeqësisht nuk është ky thelbi i të gjithë debatit, pasi kjo është një traumë që sigurisht kërkon edhe risqe. Shkelja e Kushtetutës, është akti më i rëndë që i bëhet sistemit të drejtësisë, funksionimit të gjyqësorit dhe funksionimit të shtetit në tërësi. Precedenti realisht është jashtë mase i rrezikshëm, por përgjegjësi i kësaj katrahure s’po mban përgjegjësi, madje përkundrazi po kundërpërgjigjet në rolin e një faktori politik, në një kohë kur në të vërtetë duhet të ishte në pozicionin real, atë të shfrytëzimit të argumenteve juridike. Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë iu krijua një precedent i rëndë, teksa rojtari i saj, Presidenti i Republikës ky, jo vetëm e anashkaloi, por edhe nxori jashtë loje një prej neneve të saj. Mos emërimi i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse kanë kaluar plot 2 muaj nga skadimi i mandatit të Vladimir Kristos, tregon qartë prirjen e presidentit Topi, për të treguar dhëmbët kundrejt ligjit themelor të shtetit, dokumentit më të rëndësishëm nga çdo pikëpamje e funksionimit institucional. Logjika flet qartë. Topi dalë nga dalë, po shkon drejt imitimit të sjelljes së Edi Ramës, i cili sikurse kreu i shtetit së fundmi, për muaj me radhë kërkon të sfidojë kushtetutën dhe ligjin dhe të çojë në kazanët e plehrave sistemin gjyqësor, atë të drejtësisë dhe rendin demokratik në fuqi. Për aktin në fjalë, i cili përbën shkelje, Kushtetuta flet qartë; shkarkohet shkelësi. Një nga shkeljet për të cilat shkarkohet presidenti, është pikërisht shkelja e Kushtetutës. Këtij fakti, kreu i shtetit i druhet dhe për të kaluar në heshtje situatën, e cila në të vërtetë s’është e tillë, po fshihet pas këshilltarit juridik, por sidoqoftë kjo nuk e shpëton atë nga përgjegjësia e shkeljes së Kushtetutës, pasi tashmë është një akt i kryer. Ekspertët juridikë, ish-anëtarë të gjykatës dhe ish-ministra drejtësie flasin qartë, se presidenti ka dhunuar ligjin themeltar të shtetit. Dhe në rastin kur askush nuk gjen dot një arsye të pranueshme për veprimin e presidentit, atëherë bëhet gjithnjë edhe më e besueshme se Kushtetuta duhet të veprojë mbi shkelësin. Në një kohë kur e gjithë trupa e juristëve po i del në mbrojtje Kushtetutës, eksponentët e Partisë Socialiste, me Edi Ramën në krye, i përcollën dje përshëndetjen e rastit presidentit Topi, duke e inkurajuar që të vazhdojë me shkeljen e ligjit. Ky fakt s’është çudi, pasi kryetari i socialistëve, është mësuar që të anashkalojë ligjin dhe Kushtetutën, por pa ia dalë dot dhe me sa duket këto nderime po ia plotëson Bamir Topi. Cilat janë përgjegjësitë që rëndojnë mbi kreun e shtetit në një rast të tillë? Përgjegjësia kryesore është shpërfillja e ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës. Pra, thënë shkurtimisht, Presidenti i Republikës ka flakur përtej dritareve të zyrës së tij të Presidencës, të cilën e frekuenton part time, dokumentin me të cilin ai u zotua dhe u betua para shqiptarëve se do ishte rojtar, Kushtetutën. Presioni është mbi Bamir Topin, ai duhet të pranojë gafën ose neglizhencën e qëllimshme dhe rezultati është po i njëjtë: “Kushtetuta parashikon qartë fatin e shkelësit të saj”. L. Q

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›