E Diel, 1 Nëntor 2026

Perpjekja kombetare ne shoqerine civile

Për të gjithë ata që besojnë dhe punojnë për realizimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, pavarësia e Kosovës nuk është finalizim, por një etapë e arritur, një faktor më shumë në situatat, nëpër të cilat do të kalojë përpjekja kombëtare. Mirëpo, siç është bërë zakon tashmë, politikanët shqiptarë janë rreshtuar për të thënë njëri pas tjetrit se kaq ishte, se tani që aspirata e shqiptarëve të Kosovës u realizua, shqiptarët janë kundër "Shqipërisë së Madhe" e tani e tutje do të bëjnë durim derisa t‘i bashkojë përfundimisht Bashkimi Evropian (sipas mitit të përhapur nga politikanët, BE i fshin kufijtë shtetërorë, kur në fakt ajo i përforcon ata, duke i dhënë më shumë qëndrueshmëri shteteve kombëtare brenda bashkimit).

Parulla e tyre "jemi kundër bashkimit", nëse vërtet do të shprehte qëndrimin e shqiptarëve, do të thoshte se kombi shqiptar nuk ekziston më, sepse kombi merr jetë në përpjekjen kombëtare. Qëllimi i përpjekjes kombëtare është pavarësia, vetëvendosja dhe vetëqeverisja e kombit. Shteti kombëtar është instrumenti më i mirë për këtë, por ai është vetëm një instrument dhe jo qëllim në vetvete. Në mungesë të tij dhe derisa ta krijojmë shtetin kombëtar, duhen përdorur instrumente të tjerë. Pamundësia e krijimit të një shteti kombëtar, tani për tani, nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga ideali i bashkimit kombëtar. Ekzistenca e dy shteteve shqiptare nuk duhet të na çojë në vetëkënaqje. Madje, ekzistenca e republikave shqiptare (nëse edhe Kosovën do ta quajmë si të tillë e jo si shtet shumëkulturor i gjashtë bashkësive që shënohen në flamurin shtetëror) edhe pse një fitore, mund të jetë joproduktive për bashkimin kombëtar.

Në fakt, po të lexojmë kushtetutat e republikave shqiptare na del se ato e pengojnë bashkimin kombëtar. Në parathënien e Kushtetutës së Shqipërisë përmendet aspirata e bashkimit kombëtar, kurse nenet e kushtetutës "ahtisariane" të Kosovës shprehimisht e ndalojnë bashkimin e saj, apo të një pjese të saj me shtetet përqark. Pra, po të kishin shqiptarët një qasje fundamentaliste ndaj kushtetutave, d.m.th., të kërkonin të ndërtonin politikën fjalë për fjalë siç shkruhet aty, rrezikonin luftën civile! Për fat të mirë, shqiptarët gjithmonë kanë treguar një lloj mospërfillje për fjalën e shkruar dhe nuk u janë bindur kushtetutave që u janë imponuar atyre gjatë shek. XX për t‘ua pamundësuar bashkimin. Megjithatë, rasti i kushtetutave tregon se fijet për të penguar bashkimin e shqiptarëve janë ngrehur. Këto fije trashen e ngatërrohen edhe me anë të shpikjes së ashtuquajturit "kombit kosovar", pjesë e asaj që Rexhep Qosja me të drejtë e quan ideologjia e shpërbërjes së kombit shqiptar.

Pavarësisht prej qëndrimit të politikanëve ndaj bashkimit, përpjekja kombëtare nuk mund të kufizohet vetëm në sferën e politikës shtetërore e partiake. Bashkimi kombëtar nuk duhet ta kuptojmë vetëm si një bashkim territorial në një shtet, por pikësëpari si një bashkim shpirtëror, si një vullnet i përbashkët i shqiptarëve. Kombi është një ide që duhet komunikuar, ndarë me të tjerët dhe që duhet aktualizuar gjithmonë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Prandaj, përpjekja kombëtare në shoqërinë civile tani merr një rëndësi të dorës së parë. Në mënyrë paradoksale, në shekullin e ri, shqiptarët gjenden më të copëtuar se kurrë në disa shtete, por njëkohësisht nominalisht nuk kanë pasur më shumë liri se kanë sot, në kuadrin e të drejtave të njeriut që shtetet përkatëse janë të zotuara t‘ua garantojnë qytetarëve të tyre.

Shoqëritë civile në shtetet ballkanike janë një sferë e veprimit e qytetarëve për të realizuar maksimalisht liritë që u jep kushtetuta e ligji. Në këtë mënyrë, shoqëria civile ofron një hapësirë për të punuar edhe në drejtim të çështjes kombëtare. Organizatat shoqërore shqiptare nëpër shtetet përkatëse punojnë në drejtime të ndryshme, si p.sh., mbrojtja e të drejtave të njeriut, mbrojtja e mjedisit, kultivimi i kulturës dhe i traditave, përkrahja sociale e të varfërve, lufta kundër korrupsionit e apatisë së qytetarëve në jetën publike etj. Me punën e tyre, dashur pa dashur, ato i shërbejnë ruajtjes dhe mbrojtjes së kombit dhe atdheut shqiptar. Në këtë mënyrë ndikon edhe media, nëse edhe atë e konsiderojmë pjesë të shoqërisë civile. Mjafton të përmendim revolucionin mediatik "Top Channel" dhe "Digitalb", të cilët, edhe pse nisma private, luajnë rol të rëndësishëm në lidhjen dhe komunikimin e shqiptarëve kudo ku ata janë, duke e bërë të prekshme krijimin e një bashkësie botërore të shqiptarëve.

Ajo që deri tani ka qenë e zbehtë në veprimtaritë e organizatave është lidhja e përpjekjeve lokale dhe shoqërore me të përgjithshmen dhe kombëtaren. Me fjalë të tjera, problematikat e ndryshme të shqiptarëve në shtetet ku ndodhen janë trajtuar si dukuri lokale, që kërkojnë përgjigje lokale dhe jo edhe si dukuri mbarëshqiptare, që kërkojnë bashkërendim të punës midis organizatave shoqërore shqiptare në të gjitha pjesët e kombit. Përkundrazi, ka pasur përpjekje në drejtimin e kundërt, për ta paraqitur çështjen kombëtare si çështje sociale, si p.sh., me reduktimin e çështjes çame në një problem pronash.

Pavarësisht dimensionit shoqëror që mund të ketë çështja kombëtare shqiptare, ajo nuk mund të trajtohet si çështje shoqërore, apo në kuadrin e të drejtave të njeriut, pa u shoqëruar nga dimensioni kombëtar, pra si një aspiratë e parealizuar e kombit shqiptar për bashkim. Në po këtë prizëm duhet t‘i gjykojmë edhe problemet që po na krijojnë armiqtë tanë më jug të Shqipërisë, veçanërisht në Himarë, si edhe me uzurpimin e KOASH-it: këto nuk janë probleme lokale pronësie, apo çështje doktrinash fetare, por pjesë e sulmit grek mbi Shqipërinë. Edhe mërgimtarët shqiptarë në Greqi nuk përndiqen thjesht si mërgimtarë të paligjshëm (kategori sociale), por si shqiptarë (kategori politike). Nëse politika shtetërore e partiake ka hequr dorë nga mbrojtja e atdheut, institucioneve, kulturës e dinjitetit kombëtar, a duhet që shqiptarët të heqin dorë prej këtyre gjerave dhe, për më tepër, nga e drejta e tyre për t‘u bashkuar? Qytetarët le të mobilizohen dhe të angazhohen në shoqërinë civile, por këtë ta bëjnë si shqiptarë, në cilido shtet që ndodhen, duke shkrirë shoqëroren me kombëtaren në një përpjekje të vetme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›