E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat argjentinase: Shqipëria, një “koktejl” amatorësh

ARGJENTINE- Në Argjentinë e dinin se Shqipëria ishte një skuadër modeste e futbollit botëror, por paraqitja e bërë nga kombëtarja kuqezi të hënën në Buenos Aires, ka qenë nga ato që konsiderohen “horror”. Mediat vendase kanë mbetur deri diku të shokuara nga fakti që portieri Romero nuk bëri asnjë ndërhyrje. “Shqipëria mori të paktën një goditje këndi për të parë sesi e kishte ndarë skuadrën Batista, - shkruan gazeta “Cancha Llena”. – Shqipëria ishte një kokteil mes futbollistëve amatorë dhe atyre naivë, duke mos pasur forcë as të organizojë një aksion”, komenton më tej ajo. “Vavel” shkruan se Argjentina e mbyll me 4 gola miqësoren e fundit para finaleve të Coppa America, duke nënvizuar faktin që Shqipëria nuk bëri rezistencë thuajse asnjë moment. “Selesion” bën prezantimin para Coppa America me një fitore 4-0”, është titulli i “El Cronista”. “Rreth 25 mijë vetë ishin mbledhur në stadiumin “Monumental”, ku Mesi e Aguero ishin protagonistët ndaj një Shqipërie të dobët”, shkruan më tej kjo gazetë. “Pak ditë para startit të Coppa America, Argjentina mund një Shqipëri pa ide”, shkruan “Cadena 3”. “Skuadra kombëtare, katër gola ndaj një kundërshtari tepër të dobët”, është titulli i “El Argentino”. “Diario del sol de Quilmes”, komenton thjesht: “Ishte gjëja më logjike”, referuar fitores 4-0 dhe shkëlqimit të Lionel Mesit. “Skuadra e Batistës ka mundur pa asnjë problem Shqipërinë, falë golave të Lavecit, Mesit, Agueros dhe Tevezit, shkruan uebsajti i njohur goal.com. – Stadiumi “Monumental” ishte mbushur në 45 %, por entuziazmi ka qenë minimal”, shton ajo. “Një lojë pa kundërshtar”, komenton “Dia per Dia”. Të gjitha mediat bashkohen në një pikë: kjo miqësore nuk mund të shërbejë si pikë referimi për Coppa America. “Festë dhe fitore pa sforco”, titullon gazeta më e madhe e vendit, “Clarin”. “Kombëtarja, më shumë gola dhe entuziazëm”, është titulli i “La Nacion”, e cila vazhdon: “Duartrokitje për sportistin Mesi”.

Në Spanjë
Fitorja e Argjentinës ndaj Shqipërisë është komentuar edhe në shtypin ndërkombëtar, sidomos në atë spanjoll, ku luajnë shumë lojtarë të saj. “Mesi dhe Aguero shkëlqejnë ndaj Shqipërisë”, është titulli i gazetës spanjolle “ABC”. “Mesi, i pandalshëm edhe me Argjentinën”, shkruan “El Mundo”. “Mesi ndez dëshirën dhe iluzionon bardhekaltërit”, shkruan “El Periodico de Catalunya”. “Argjentina ndez motorrët”, titullon gazeta italiane “Gazzetta dello Sport”, që e konsideron një shëtitje miqësoren e Argjentinës ndaj ekipit shqiptar.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›