E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ditë zije, spikat edhe më shumë I papranueshmi i politikës shqiptare

I papranueshëm është krimi ashtu siç është i papranueshëm të spostosh vëmendjen larg saj. Dhimbja do heshtje, shi lotësh, dhe ngushëllim. Mirëpo, mes shumë aktorëve politikë që reaguan publikisht dhe shprehën ngushëllime për Tragjedinë e policëve të Durrësit, më çuditi jashtë mase njëri, që doli nga kori i dhimbjes. Një që bën gati sms nga SHBA-ja e ua shpërndan me e-mail të gjithë redaksive. Sms-ja vinte nga një njeri të cilin nuk e di nëse e kishte nga anti/konformizmi, cinizmi apo një thjesht një shkarje të sistemit limbik në verë. Përpos se kam mendimin e provuar se ky person i ka të gjitha brenda në kokën e tij strumbullake, pra ishte njëkohësisht një antikonformist, një cinik Celinian dhe solipsistik i dehur në një vend konformist si Shqipëria.


Politikani që u arratis nga dhimbja, nga heshtja dinjitoze, nga ngushëllimi, nga bashkëpunimi i një dite, është Edi Rama. Po, po Edi Rama dora vetë, të cilit mund t’i falen shumë gjëra, por jo përdorimi i kësaj dite për të bërë propagandë politike. Shumë anëtarë të socialistëve; Leskaj, Dade, Shalësi, morën pjesë përulësisht në homazhe, por jo ky Edi Rama, i pamandatuari. Ky i frymëzuar nga humbja personale në shumë fusha, nga pushimet e stërzgjatura nuk do t’ia dijë më për njeri. Nuk i bën përshtypje gjaku i uniformave të policisë në përplasje më krimin, se ky “krimin” e paska patur mik. Njerëzit duhet të kenë frikë nga një karakter i këtillë plot vese. Ngjarja e dhimbshme e Durrësit është një ngjarje makabre në vetvete, por që të anashkalohet dhimbja nga Kryetari i Opozitës, është e papranueshme.


Këtë e bën më e-mail nga pushimet që po bën në SHBA, ku në një pjesë të deklaratës së vet dënon ashpër - për sy e faqe - krimin dhe pastaj i kthehet luftës politike. Devijimi i vjen për shkak të karakterit të tij ezoterik dhe për fituar kapital politik flet për korrupsion oborri, për kalbjen e shtetit e për mafie në sy të atyre që kanë humbur të afërmit në atë shkëmbim zjarri. Të kuptohemi, jo që nuk duhet ta bëjë të këtilla deklarata, se në fund të fundit përfaqëson opozitat, por jo në çdo vend, jo ashtu, jo në çdo dhimbje, jo në çdo tragjedi ku qeveria nuk ka lidhje.


Por një mendje i shthurur nga realiteti shoqëror çfarë nuk bën përfitimit politik.


Politika mund të flasë për shumë gjëra të realitetit tonë, veçse jo për të gjitha njëherësh. Një deklaratë, pa rend e pa mend dhe sidomos pa vend. Ku është lidhja logjike midis forcave të policisë që ndjekin një kriminel, që e dyshojnë për drogë, vrasje dhe dinamitard të sofistikuar, i cili i vënë në shpatulla pas muri reagon dhe qëllon policinë, me sulmin cinik të e-mailit të Edi Ramës kundrejt qeverisë?


Këtu duhet të themi se gjërat kanë kufi, siç kanë kufi shumë gjëra, nuk mund të qeshë njeriu me të madhe në varrim, nuk mund të qajë njeriu me dënesë në gëzim, nuk mund të bërtasë njeriu në kinema, në mëngjes nuk mund të thuash mirëmbrëma, mikut nuk mund t’i thuash nuk të pres në shtëpi, dashurisë së jetës tënde nuk mund t’i thuash nuk të dua. Por ja që ka një politikan “përtej të majtës e së djathtës” që është aq i pacipë sa për të bërë kinse “politikë të re”, sa për t’i shthurur paciptësisht të gjitha kodet, si ato të nderit, edhe ato të vdekjes, të familjes e të qytetarisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›