E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e huaja për zgjedhjet në Kosovë

Zhvillimi i procesit zgjedhor në Kosovë sigurisht nuk është anashkaluar as nga mediat e huaja që kanë informuar për këtë zhvillim të rëndësishëm për këtë shtet të ri. Agjensia "Zëri i Amerikës" shkruan në websiten e saj, artikullin me titull "Kosova zhvillon sot zgjedhjet e para që pas shpalljes së pavarësisë". Në vijim theksohet se votuesit do të zgjedhin anëtarët e këshillit vendor dhe bashkiakët në 36 komuna. 72 parti politike dhe grupe qytetare marrin pjesë në zgjedhje mes të cilëve edhe disa kandidatë serbë. Edhe "BBC" në gjuhën angleze raporton për zgjedhjet lokale në Kosovë, ndërsa shkruan se këto janë të parat që kur ky territor deklaroi pavarësinë nga Serbia vitin e kaluar. Sipas "BBC"-së, qeveria kosovare është e bindur për të organizuar një proces të lirë dhe të drejtë si për shqiptarët e Kosovës ashtu edhe për minoritetin serb. "BBC" informon edhe se mijëra paqeruajtës të NATO-s janë stacionuar në Kosovë. Padyshim që edhe "BBC" në shqip, e ka trajtuar në vazhdimësi këtë temë. Në materialin me titull "Kosova voton për pushtetin lokal" kjo agjensi shkruan se elektorati serb e ka gjetur veten mes thirrjeve të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë për të dalë në votime dhe të atyre në Beograd, që i ka kërkuar t'i bojkotojnë. "Corriere della Sera", një agjensi informative italiane, informon se Kosova sot zhvillon zgjedhjet e para administrative që nga pavarësia e Kosovës, shpallur në 17 shkurt 2008. Sipas "Corriere", më shumë se një milionë e gjysmë zgjedhës, janë thirrur për të votuar e për të zgjedhur këshillat lokalë dhe bashkiakë në 36 komuna, përfshirë edhe kryeqytetin e vendit, Prishtinën. Zgjedhjet në Kosovë janë një temë jo më pak e rëndësishme edhe për "CNN", agjencine e lajemve "Reuters', e shumë rrjete ndërkombëtare informative. Edhe "Radio Europa e Lirë" në faqen e saj të internetit, përveç të tjerash shkruan se mbi 5000 policë janë në dispozicion në këtë ditë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. "RTK", "Telegraf", por edhe agjenci të tjera lajmesh si rajonale, ashtu edhe ndërkombëtare kanë përcjellë të dhëna dhe informacione të shumta për këtë proces zgjedhor në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›