E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat e huaja për zgjedhjet në Shqipëri. Diplomatët: Situata si filmi i Tarantinos

TIRANE-Shqipëria nën vëzhgim ndërsa zgjedhësit i drejtohen kutive të votimit. Vota e 23 qershorit është vënë në qendër të vëmendjes të shumë mediave ndërkombëtare të cilat kanë pasqyruar orët e fundit të fushatës elektorale.

“Kryeministri i Shqipërisë për 8 vitet e fundit Sali Berisha përballet me betejën më të madhe të jetës së tij politike këtë të djelë” –shkruan agjencia e lajmeve Euroactiv, sipas së cilës, shqetësimi është i madh për të parë nëse vendi I varfër ballkanik do të dështojë sërish në mbajtjen e zgjedhjeve të para të lira dhe të ndershme, më shumë se 2 dekada pas rënies së komunizmit, çka do të ngecë edhe më shumë progresin drejt BE-së dhe me shumë gjasa do të krijojë trazira nëpër rrugët e vendit. Euroactiv kujton mos plotësimin e KQZ-së, çka do të thotë se institucioni më i rëndësishëm zgjedhor nuk do të mund të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve. Madje duke folur për agjencinë një diplomat i huaj perëndimor i krahason këto zgjedhje me një film të regjisorit të famshëm Quentin Tarantino, në të cilin grupe njerëzish I drejtojnë armën njëri tjetrit. “Sikur edhe gjysma e asaj që po dëgjojmë është e vërtetë, kjo tregon një fushatë të zgjeruar për të detyruar njerëzit të votojnë në një mënyrë të caktuar. Dhe kjo është tepër shqetësuese”-ka thënë diplomati në kushte anonimiteti. Sipas Euroactiv, një humbje e Berishës këtë të djelë, do të thotë një fund i karrierës së tij politike të nisur që prej vitit 1991. Agjencia thotë se sondazhet janë të pabesueshme, por tregojnë një fitore të ngushtë të opozitës socialiste. E ndërsa kujton deklaratën e përbashkët të 17 qershorit të shefes së diplomacisë europiane Kethrin Ashton dhe komisionerit europian të zgjerimit Stefan Fule, agjencia Euroactiv thekson se BE e ka paralajmëruar vazhdimisht Shqipërinë se këto zgjedhje janë një test kyç për institucionet demokratike të Shqipërisë. “Qeveria e ardhshme do të përballet me një ekonomi që po ndjen efektet e krizës në eurozonë, pasi remitancat kanë rënë dhe Banka Botërore me FMN-në kanë shprehur shqetësim për borxhin publik. Mbase do të duhen muaj përpara se të krijohet qeveria e re, për shkak të sfidës së hapur ndaj ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Bëhet fjalë për një sistem që vazhdimisht ka shkaktuar debate dhe shtyrje”-shkruan Euroactiv.

Një poltron për dy-është ndërkohë titulli i shkrimit të agjencisë Osservatorio Balcani e Caucaso, e cila i ka kushtuar një analizë të gjatë fushatës elektorale dhe zgjedhjeve në Shqipëri. Do të jetë një kokë më kokë e vështirë mes kryeministrit Berisha që nuk pranon as larg e larg mundësinë që të humbë zgjedhjet dhe Edi Ramës, përfaqësuesit të Shqipërisë moderne dhe urbane që nga bankat e opozitës në këto vite ka nxitur kriza politike pa mundur të ndërrojë drejtim pas disa dështimeve që ka pësuar”-shkruan agjencia.
“Skema mbetet e njëjtë: zgjedhje me parregullsi evidente, një sistem numëri u gjatë dhe lodhës, rezultate komplekse si pasojë e ligjeve zgjedhore që janë pak transparente dhe pak të përshtatshme për Shqipërinë, zhgënjim, protesta dhe papajtueshmëri që bllokojnë të gjithë sistemin, duke hequr vëmendjen nga problemet reale të vendit”-vijon shkrimi, ndërsa agjencia vë në dukje shqetësimin e shumë analistëve për trazira gjatë këtyre zgjedhjeve, çka duket se mbështetet edhe nga masat e larta të sigurisë që janë marrë për ditën e votimit. Sipas agjencisë, ndryshe nga e kaluara, kryeministri Berisha kësaj here ka investuar në imazhin e saj estetik, dhe me shumë gjasa mund të ketë kryer edhe ndërhyrje me botox, siç shumë media në Tiranë raportojnë. “Berisha, patriarku verior, shpesh I stigmatizuar për origjinën e tij malësore, është treguar I hapur dhe alternative duke organizuar edhe një takim me komunitetin LGBT në Shqipëri, duke i premtuar atyre të drejta dhe mbështetje. Veç kësaj, Berisha është tallur shpesh si njeriu me gërshërë në dorë për shkak të inagurimeve të shumta të veprave publike”-vijon shkrimi.

Shqipëria, një vend i varfër ballkanik që do të mbajë zgjedhjet legjislative këtë të dielë-e quan ndërkohë Global Post. Shqipëria i drejtohet kutive të votimit pas një fushate të qetë”-shkruan prestigjozja AP, sipas së cilës vota e 23 qershorit konsiderohet test për vendin tonë për të ndriçuar historinë e tij të errët të zgjedhjeve me probleme, ndërsa kërkon ti afrohet BE-së. Fushata ka qënë relativisht e qetë, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara që shpesh shoqëroheshin me dhunë. Megjithatë ka pasur raportime për nënpunësit civil dhe madje edhe fëmijët e shkollave të nxitur për të marrë pjesë në tubimet pro qeveritare. Vendi shkon drejt kutive të votimit mes mosmarrëveshjeve për KQZ-në, që mbetet I dominuar nga aleatët e Berishës, çka ka nxitur kritika të ashpra nga SHBA-të dhe BE.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera VIDEO: Mediat e huaja për zgjedhjet në Shqipëri. Diplomatët: Situata si filmi i Tarantinos

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›