Mediat e mbarë botës, gati për Lumturimin e Papës Vojtila; më 1 maj - priten 87 delegacione
Mediat e mbarë botës, gati për Lumturimin e Papës Vojtila; më 1 maj, priten 87 delegacione. Jo vetëm Kisha, por mbarë bota, përgatitet për të ndjekur, me emocione të thella, Lumturimin e Gjon Palit II, të dielën e ardhshme: 2300, gazetarët e akredituar për të përfaqësuar 101 kombe; 87, delegacionet zyrtare të vendeve të ndryshme, ndërmjet të cilave, edhe delegacionet e rangut të lartë, që do të përfaqësojnë Shqipërinë e Kosovën. Do të jenë të pranishëm 19 presidentë dhe përfaqësuesit e 5 shtëpive mbretërore. Lidhur me përgatitjen e kësaj ngjarjeje të madhe, u mbajt dje paradite një takim në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Nga çastet e lutjes, tek dëshmitë personale; nga Rruzarja, tek social network: Kisha, e posaçërisht dioqeza e Romës, përgatitet për kremtimin koral: Lumturimin e Gjon Palit II. Një festë, që do të vijojë tri ditë. Imzot Marko Frizina, drejtor i zyrës Liturgjike të Vikariatit të Romës, foli kryesisht për kremtimin e parë, organizuar nga dioqeza e Romës, që e kishte Papën Vojtila ipeshkëv, për natën përgatitore e lutjes, nesër mbrëma, në Cirkun romak Massimo. Kremtimin do ta kryesojë kardinali Agostino Valini. Pjesa e parë do të jetë kremtim i Kujtimit, me dëshmitë e atyre, që e njohën nga afër Papën Vojtila: “Dëshmia e parë do të jetë ajo e doktor Navarro –Valls, pas të cilit do të flasin Motra Maria Simon Pierre, e cila u shërua mrekullisht, pas lutjeve drejtuar Papës, mrekulli, që bëri të mundur edhe Lumturimin; pastaj do të flasë kardinali Dxhivish. Janë dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve më të afërt të Atit të Shenjtë e të një dëshmitareje të jashtëzakonshme, që provoi në trupin e në shpirtin e saj, afërsinë e Gjon Palit II, duke u shëruar plotësisht e mrekullisht, nga sëmundja e Parkinsonit”. Kardinali Agostino Valini, Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës, do të flasë përmbledhtas për personalitetin shpirtëror e baritor të të Lumturit. Çast kulmor i natës pa gjumë, do të jetë ai, kur besimtarët do të thonë Rruzaren shenjte, së cilës do t’i prijnë Misteret e Dritës, që iu shtuan mistereve të tjera pikërisht nga Papa Vojtila. Rruzaja do të thuhet në lidhje me 5 shenjtëroret më të njohura mariane nëpër botë: me atë të Krakovisë, të Zojës së Libanit, Zojës së koordinuar nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore e nga Qendra Televizive e Vatikanit që, së bashku me Radio Vatikanin, ka bërë punë të madhe në këtë sektor. Nderimi i relikeve të të Lumit të ri nga ana e besimtarëve do të vijojë deri sa të gjunjëzohet besimtari i fundmë. Të hënën, pastaj, në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, Mesha e falënderimit, kryesuar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij. Së fundi, trupi i të Lumit të ri do të vendoset, në formë private, në Bazilikën e Vatikanit, pranë kapelës së Shën Sebastianit. Përgatitjet e ceremonisë janë në momentet e fundit. Shumë shtegtarë janë duke ardhur nga mbarë bota: me dhjetëra janë fluturimet e veçanta të avionëve që vijnë nga e tërë Evropa.
Duke pasur parasysh rivendosjen në Bazilikën e Shën Pjetrit, për nderimet, që do t’i bëhen menjëherë pas kremtimit të Lumturimit, dje paradite arkivoli me trupin e Gjon Palit II u nxor nga varri, në Kriptën e Vatikanit, ku pushonte që prej gjashtë vjetësh. Hapja e varrit, njofton një notë zyrtare e Sallës së Shtypit të Vatikanit, filloi në mëngjes heret e vijoi deri në orën 9, kur u kremtua një çast i shkurtër lutjeje, kryesuar nga kardinali Komastri, që intonoi litanitë. Të pranishëm, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone; kardinali Xhovani Lajolo, kardinali Stanislao Dxhivish si dhe personalitete të tjera të Kuries, motrat që i patën shërbyer Gjon Palit II dhe drejtuesit e Xhandarmërisë e të Rojes Zvicerane. Më pas, në sa vijonin litanitë, arkivoli u mbart për një pushim të shkurtër para varrit të Shën Pjetrit, gjithnjë në Kriptë, i vendosur mbi një mjet lëvizës e i mbuluar me një pëlhurë të qëndisur me ar. Atje kardinali Bertone tha një lutje të shkurtër përfundimtare, me të cilën e mbylli këtë kremtim rreth orës 9.15
Nota zyrtare kujton se gjashtë vjet më parë, para mbylljes së arkivolit, në të u vendos një çantë me medalje, argjendi e bronzi, që përkujtojnë papninë e Gjon Palit II e u lexua një biografi e shkurtër, që në gjuhën kishtare quhet “Rogito”, e cila, si u mbyll në një tub plumbi, u varros me trupin e Atit të Shenjtë. Arkivoli prej qeparisi u lidh me kordhele të kuqe, mbi të cilat qenë vënë vulat e Papës e të Vatikanit. Arka, pastaj, u vendos në një arkë të dytë zinku e në një të tretë, me dru arre, e u vulos përfundimisht. Mbi kapakun e arkivolit prej druri ishin vënë Kryqi e Stema e Papës. Arkivoli u varros në Kriptën, ku pat pushuar në paqe Papa Gjoni XXIII, para se të vendosej në elter, në bazilikën e Vatikanit.
Sot, gjatë zhvarrosjes, arkivoli prej qeparisi u nxor nga dy arkivolet e tjera dhe u hap: trupi i Gjon Palit II – saktëson nota e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – ishte ruajtur shumë mirë, ndonëse në të dukeshin shenjat e kohës. Lapidari i madh prej mermeri, nën të cilin Karol Vojtila pushoi në paqe gjashtë vjet me radhë, u vendos në një anë tjetër të Kriptës së Vatikanit, për t’u transportuar, më pas, në Krakovi, në një Kishë të re, kushtuar Të Lumturit. Arka do të mbetet në Kriptën e Vatikanit deri të dielën paradite, kur do të mbartet në bazilikë e do të vendoset para Elterit qëndror për homazhet e Benediktit XVI e të besimtarëve, pas Lumturimit.
Ndërkaq Kripta do të jetë e mbyllur për publikun. Nota kujton edhe se arkivoli i Atit të Shenjtë do të vendoset në kapelën e Shën Sebastianit. Kështu besimtarët do ta kenë më të lehtë të gjunjëzohen tek vendi ku pushojnë në paqe reliket e Papës polak, ashtu siç bëjnë, kur duan të luten para trupit të balsamosur të Gjonit XXIII, poshtë elterit të Shën Jeronimit, në bazilikën e Shën Pjetrit.
Benedikti XVI kujton Gjon Palin II: shpirt i zgjedhur, që kumtoi Krishtin e ngjallur/Papnia e Atit të Shenjtë Gjon Palit II qe një papni që i dëshmoi mbarë botës mëshirën e Krishtit të Ngjallur, e jetuar nga një Papë, që diti ta mbartë me guxim Kryqin e Mundimeve të Krishtit. Janë dy skajet e misterit të jetës së Papës Vojtila, të cilin Benedikti XVI e përkujtoi shumë herë në raste e kremtime të ndryshme. Papa Vojtila i la Kishës një dëshmi të jashtëzakonshme. “Me Kryqin shtrënguar fort ndër duar, ky njeri, Karol Vojtila, që nuk diti kurrë ç’është lodhja fizike as shpirtërore, mbeti në kujtesën e njerëzimit si Papa shtegtar, që shkeli në të katër anët e botës, posaçërisht atje ku ndjehej më shumë nevoja e pranisë së Tij. E Kryqin e shtrëngoi më fort, i bindur se ishte mbështetje e sigurtë, edhe kur mosha e sëmundja bënë punën e vet, duke ia ligështuar trupin, por kurrë shpirtin, që përgatitej të kthehej në shtëpinë e Atit qiellor”. Kështu e kujtoi Benedikti XVI Shërbëtorin e Hyjit, Gjon Palin II, në praninë e mijëra besimtarëve, mbledhur të tërhequr shpesh herë pas vdekjes, nga dashuria për Papën Vjojtila, që mbetet po aq e freskët, si atëherë kur zëri i tij tundte Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e sheshet më të mëdha të planetit, pa harruar këtu edhe sheshin e vogël para Katedrales së Shkodrës, që sot mban emrin Gjon Pali II, si dhe Sheshin e madh ‘Skënderbej’ në zemër të Tiranës.
Benedikti XVI kujtoi, me dy figura të gjetura, fillimin dhe fundin e një papnie të jashtëzakonshme: e nisi homelinë e tij të dy prillit 2008 me figurën e Papës së ri Vojtila, i cili pas Meshës së fillimit të papnisë larton me vrull drejt turmës Kryqin e shkopit baritor – gati si të donte t’i ripohonte fjalët që kishte thënë pak më parë: “Hapjani portat Krishtit!” – dhe e mbylli me figurën e Papës së moçëm Vojtila, që gati-gati mbështetet tek Kryqi në të fundmen të Premte të Madhe të jetës, i ulur në Kapelën e tij private, për të ndjekur meditimet e Udhës së Kryqit në Kolose më 2005, shkruar nga ai që, një muaj më pas, do t’i zinte vendin në krye të Kishës universale.
Kryqi e Ngjallja: për Benediktin XVI janë dy pikat kyçet kryesore, që na shërbejnë për ta lexuar e për ta kuptuar figurën madhore të Gjon Palit II: “Në të vërtetë, gjithë jetën e paraardhësit tim të dashur, e posaçërisht shërbimin e tij papnor, mund ta lexojmë vetëm nën shenjën e Krishtit të ngjallur. Ai kishte besim të jashtëzakonshëm në Krishtin, me të cilin vijonte një bisedë intime, të veçantë, të pandërprerë. Ndërmjet shumë cilësive njerëzore e mbinjerëzore, kishte edhe një ndjeshmëri të posaçme shpirtërore e mistike. Mjaftonte ta shikoje kur lutej: bëhej një me Hyjin e dukej se në atë çast, gjithçka tjetër ishte krejt e huaj për të”.
Por lisi madhështor me këto cilësi, përmes të cilave Papa i ardhur nga një vend i largët fitoi shumë shpejt admirimin e dashurinë e gjithë botës, i kishte rrënjët në vuajtjet, të cilat Gjon Palit II nuk i munguan kurrë, si para, ashtu edhe pas thirrjes së Zotit për t’u bërë Shërbëtor i Tij.
Që kur ishte fëmijë – vërejti Benedikti XVI – Karol Vojtila u takua vazhdimisht me Kryqin: në hapat e para të udhës së jetës, në familje e në rrugën e popullit të tij: “Ai vendoi ta mbartë këtë Kryq së bashku me Jezusin, duke ecur në gjurmët e Tij. Deshi të ishte shërbëtori besnik i Krishtit deri në atë masë, sa ta pranonte thirrjen për rrugën e meshtarisë si dhuratë e si impenjim për gjithë jetën. Me Krishtin jetoi e me Të edhe deshi të vdiste. E gjithë kjo, me ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, Nënës së Kishës, Nënës së Shëlbuesit, që lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me misterin shpërblyes të Vdekjes e të Ngjalljes së Tij”.
Sot, ashtu si vjet më parë - vijoi Benedikti XVI - Kisha jeton atmosferën shpirtërore të Pashkëve e, gjatë leximeve të Meshës së kremtuar për shpirt të Tij, ridëgjuam fjalët e Engjëllit për Ngjalljen e Krishtit, të cilat Gjon Pali II i shndërroi në program apostolik: “Mos kini frikë!”: “I shqiptoi gjithnjë me vendosmëri të patundur, fillimisht duke vringëlluar shkopin baritor me Kryqin në majë e pastaj, kur nisën t’i shterronin energjitë fizike, gati-gati duke u kapur pas tij, deri në të fundmen të Premte të Madhe, kur mori pjesë në Udhën e Kryqit nga Kapela e tij private, me Kryqin shtrënguar ndër krahë. Nuk mund ta harrojmë këtë dëshmi të fundme, të heshtur, të dashurisë për Jezusin. Edhe kjo skenë, që flet vetë për dhimbjen njerëzore e për fenë, në këtë të Premte të fundit të Madhe, u tregonte besimtarëve dhe mbarë botës, sekretin e gjithë jetës së krishterë”.
Thirrja “Mos kini frikë!” – nënvizoi Benedikti XVI, duke vijuar reflektimin - nuk bazohej mbi forcat njerëzore, as mbi sukseset e arritura, por vetëm e vetëm mbi Fjalën e Hyjit, mbi Kryqin e mbi Ngjalljen e Krishtit. Sa më shumë ky Papë guximtar zhvishej nga gjithçka, deri nga aftësia për të folur, aq më i dukshëm bëhej besimi i tij tek Krishti. E Papa Vojtila nisej, duke i lënë trashëgim Kishës gurë kilometrikë magjisteri, prandaj me të drejtë shumë njerëz shpresojnë se do të lartohet shpejt në nderimet e elterit, ashtu si shumë e shumë figura të ndritura, të cilat ai i ngriti në të njëjtën lartësi. Kujtojmë Faustina Kovalskën, shpallur shenjtore në vitin 2000 si Apostulle e misterit të Mëshirës së Hyjit në botë. E ky mister është një kyç tjetër, që na ndihmon për të hapur portat e magjisterit të Papës Vojtila: “Shërbëtori i Hyjit, Gjon Pali II, i njohu e i jetoi personalisht tragjeditë e përbindshme të shekullit XX e, për shumë kohë, vijoi ta pyeste veten si mund t’i vihej prita baticës të së keqes, që sulej pa gjetë pengesë mbi njerëzimin. Përgjigjen mundi ta gjente vetëm tek dashuria e Hyjit. Vetëm Mëshira Hyjnore është në gjendje t’i verë kufi së keqes; vetëm dashuria e gjithëpushtetshme e Hyjit mund ta mposhtë prepotencën e njerëzve të prapë dhe pushtetin shkatrrimtar të egoizmit e të urrejtjes”.
Papa e përfundoi homelinë e 2 prillit 2008 duke falënderuar Zotin që i dhuroi Kishës një ‘shpirt të zgjedhur” si Gjon Pali II dhe uroi që: “Kisha, duke ndjekur mësimet dhe shembujt e Tij, të vijojë besnikërisht e pa kompromise, misionin e saj ungjillëzues, duke përhapur, pa u lodhur kurrë, dashurinë përdëllyese të Krishtit, burim i paqes së vërtetë për botën mbarë”.
Marrë nga Radio Vatikani