Pasqyra franceze
Virtyte dhe defekte në krahasimin midis dy vendeve
Silvio Berlusconi dhe Nicolas Sarkozy ngjajnë me njëri tjetrin. Ata vuajnë nga i njëjti narcizisëm. Ata e konceptojnë politikën si një skenë ku ka vend vetëm për një aktor dhe reagojnë ndaj kritikave të shtypit si një fyerje.
Ngatërrojnë sferën publike me atë private dhe interesin personal me atë të përgjithshëm. Ata mendojnë se takimet ndërkombëtare janë një klub dhe e shohin kundërshtarin politik si një armik. Ata kanë bindjen sekrete se defektet janë virtytet e tyre. A mund të kuptohen kështu? Jo. Dy njerëz të politikës mund të gjejnë mirëkuptim kur janë të lidhur nga në vizion ose ideologji e përbashkët, ashtu siç ndodhi me Alcide De Gasperi dhe Robert Schuman, Bettino Craxi dhe François Mitterrand, por nëse kanë karaktere të njëjtë dhe interesa të ndryshëm, ngjashmëria krijon më shumë konflikte sesa marrëveshje.
Nëse Berlusconi dhe Sarkozy kanë gjetur ndonjë marrëveshje në takimin e tyre të fundit, kjo është kryesisht për shkak të vëzhgimit se përplasja e hershme midis dy vendeve do të shkaktonte dëmtimin e të dyve. Ashtu si të gjithë lojtarët e mëdhenj, megjithatë, ata i urrejnë barazimet dhe duan të ngrihen nga tavolina vetëm pasi të kenë dalë fitimtarë.
A mund të flasim për barazim pas samitit të Romës? Unë mendoj se duhet pastruar fusha nga viktimizimet reciproke dhe nga dredhitë retorike me të cilat të dy vendet mbushin shpesh raportet e tyre.
Italia nuk është një koloni franceze dhe Franca nuk mund ta kolonizojë gadishullin edhe nëse do të dëshironte. Industritë e saj bëjnë në Itali atë që industritë italiane do të bënin me kënaqësi (dhe në disa raste e kanë bërë) përtej Alpeve. Të dy diplomacitë mund të bashkëpunojnë ose t’ia marrin njëri tjetrit letrat në tavolinë, sipas interesave ose rrethanave, pikërisht ashtu siç ndodh me Francën dhe Britaninë e Madhe ose me Francën dhe me Gjermaninë. As më shumë e as më pak.
Megjithatë, ka një ndryshim thelbësor. Kur veprojnë në Francë, sidomos në planin ekonomik, italianët përballen me biznese dhe institucione që i përgjigjen politikës së një qeverie solide dhe të bashkuar në përgjithësi. Kur veprojnë në Itali, francezët kanë shpesh rastin të shfrytëzojnë ndarjet dhe grindjet e italianëve. Po vendos mënjanë shembujt historikë të këtij mallkimi të vjetër italian dhe po theksoj se suksesi i kohëve të fundit i grupeve të mëdha franceze në gadishull ka të bëjë me paaftësinë e konkurrentëve italianë për të gjetur një marrëveshje.
Ashtu si në rastin e Carlo VIII (mbret i Francës që në vitin 1492 zbriti në gadishull për t’iu përgjigjur thirrjes së Ludovico Sforza), francezët fituan sepse dikush në Itali preferon fitoren e huaj për suksesin e konkurrentit italian. Kjo ndodhi në rastin e Mediobankës, Edison, Assicurazioni Generali, Bankës kombëtare të Punës, sot ndoshta Parmalatit, nesër ndoshta Alitalias. Kjo ndodh kur qeveria nuk është në gjendje të bëjë kauzë të përbashkët. Kjo ndodh kur industrialistët preferojnë më shumë të debatojnë sesa të punojnë së bashku. Kjo ndodh kur opozita preferon ta dërgojë qeverinë në shtëpi më shumë sesa ta ndihmojë në mënyrë që ajo të fitojnë një shumicë kombëtare. Qortimi i Francës në këto raste është vetëm alibia që na lejon të injorojmë përgjegjësitë tona dhe të mos nxjerrim mësim për të ardhmen tonë nga ajo që ka ndodhur.