Mediat e rajonit për zgjedhjet në Shqipëri

“Zgjedhjet, test i pjekurisë demokratike”
Sipas të përditshmes maqedonase, “Dnevnik”, Evropa i shikon zgjedhjet e shtata parlamentare në Shqipëri si një test të pjekurisë demokratike dhe përgatitjes së saj për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Gazeta shkruan se për sigurimin e qytetarëve nëpër vendvotime u angazhuan gjithsej 5.500 pjesëtarë të policisë. Vetëm në Tiranë, ku ndodhet numri më i madh i vendvotimeve, u angazhuan mbi 1.200 policë, thotë gazeta.
Ndërkaq kanali televiziv A1, duke iu referuar deklaratave të vëzhguesve të huaj vlerëson se megjithëse janë detektuar parregullsi të caktuara, vlerësimi i parë është se zgjedhjet u zhvilluan sipas modelit evropian.
Agjencia e lajmeve INA njofton më në hollësi për rrjedhën e zgjedhjeve , sjellë deklaratat e para të kryetarëve të partive kryesore si dhe sondazhet e kryera me qytetarë, menjëherë pas votimit.
Edhe media serbe dhe malazeze kanë bërë komentet e tyre për zgjedhjet
Radiotelevizioni B 92 citon kryetarin e PD-së, Sali Berisha, se në këto zgjedhje nuk ka të mundur, por vetëm fitimtarë.
Nga prononcimi i kreut të socialistëve, vlerësimi i tij se në zgjedhjet e së dielës qytetarët e Shqipërisë vendosën për historinë e tyre.
B 92 thotë se sipas anketave të pavarura rezulton se në këto zgjedhje parlamentare shumicën e votave e ka fituar partia e kryeministrit Berisha.
Edhe Televizioni Shtetëror i Malit të Zi ka mbuluar gjerësisht zgjedhjet shqiptare. Sipas njoftimeve të para jozyrtare, e para është PD-ja, e dyta PS-ja ndërsa në vendin e tretë renditet LSI,- njofton televizioni malazez.
Mediat në Kosovë si “Kosova Press”, RTK, shkruajnë se, Partia Demokratike është dukshëm në avantazh kundrejt Partisë Socialiste.
...