Mediat e huaja për zgjedhjet në Shqipëri: Gara, e ngushtë, por Berisha ka dalë fitues

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Shqipëri po përcillen me interes të madh nga mediat e huaja e sidomos ato kontinentale. Dy ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, mediat e huaja i kanë cilësuar këto zgjedhje si garë të fortë mes dy partive kryesore. Në to ndihet fryma pozitive që e vlerëson në masë procesin si shumë pozitiv e madje ka nga to që shprehin edhe vërejtje se raporti i OSBE/ODHIR e organizatave të huaja, mund të kishte qenë më pozitiv, duke u nisur nga fakti se incidente të vogla të shkallës minore nuk mund të ndikonin në procesin zgjedhor në përgjithësi, duke vlerësuar se ai ishte këtë radhë tejet korrekt, i ndershëm, transparent dhe modern.
Mediat e huaja si BBC, “Euro News”, “Reuters”, “Associated Press” që vazhdojnë të ndjekin nga afër procesin zgjedhor në Shqipëri.
“Një garë të fortë mes dy partive kryesore – e ka quajtur rrjeti prestigjioz Euro News, duke theksuar se partia e kryeministrit aktual Sali Berisha vazhdon të kryesojë.
Për garën kokë më kokë të partive kryesore, vëmendje i kanë kushtuar edhe agjencitë e tjera si “Reuters”, BBC dhe “Associated Press” shkruajnë se, “Kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas rezultateve të deritanishme do të mbajë postin aktual si dhe kreut të opozitës Edi Rama, i cili po ashtu synon postin e kreut të qeverisë”.
Vëmendje i kanë kushtuar edhe agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Welle” shkruan se: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka bërë ende publik asnjë rezultat paraprak, duket se kryeministri aktual Berisha dhe koalicioni që ai drejton do të arrijë të marrë një mandat të dytë qeverisës”.
Një ekspert për Ballkanin Christophe Solioz, tha për “Deutsche Welle” se: “Bashkimi Evropian duhet të rinovojë përkushtimin e tij politik kundrejt Tiranës zyrtare dhe integrimit të saj”.
Solioz tha se është e qartë që në Shqipëri ka një vullnet të fortë politik. Shqipëria po ecën hap pas hapi duke lënë pas kulturën e korrupsionit e paligjshmërisë.
Christophe Solioz, eksperti i njohur për Ballkanin theksoi se, Shqipëria po përmbush gjithashtu hap pas hapi edhe standardet e BE. Dhe kjo padyshim tregon që vendi është në rrugë të drejtë shprehet Solioz.
Cili do të jetë hapi i ardhshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian?
Hapi i radhës është ai i heqjes së regjimit të vizave mes Tiranës zyrtare dhe bllokut 27-anëtarësh.
Po kështu, në një intervistë dhënë për “Zërin e Amerikës”, ligjvënësi amerikan Alcee Hastings, bashkëkryetar i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, u shpreh se, “zgjedhjet 28 qershorit shënuar përmirësime në shumë aspekte”.
Kongresmeni Hastings tha se, “zgjedhjet ishin një tregues pozitiv për Shqipërinë, si një anëtare e re e NATO-s”.
Ndërkohë dje në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Federal Gjerman “Bundestag”, Carl Bildt, ka theksuar ndër të tjera se një lajm i mirë na vjen nga Shqipëria, ku duket se ka mbajtur një palë zgjedhje të suksesshme.
Gazetat më të rëndësishme gjermane si “Zeit”, “Welt”, “Frankfurter Allgemeine” shkruanin se gara mes dy partive kryesore është shumë e fortë, por duket se partia e kryeministrit Berisha ka marrë kryesimin me dy deputetë më shumë.
Koalicioni i udhëhequr prej saj, ka arritur të marrë paraprakisht deri në 46.55 për qind të votave të përgjithshme në rang vendi.
Në të njëjtën linjë ishin dje edhe Agjencia Franceze e Lajmeve “AFP”, gazetat vjeneze “Wiener Zeitung”, “Der Standard” , edicionet on-line të “Focus” apo “Spiegel” etj.
Po kështu, procesi zgjedhor në Shqipëri ndiqet me vëmendje edhe nga mediat në Kosovë e Maqedoni.
Agjencia e lajmeve “Mak Faks”, shkruan se Shqipëria po i afrohet tashmë rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, në të cilat vihet re udhëheqja e Partisë Demokratike. Telegraf shkruan se: “E djathta udhëheq kundrejt të majtës me 4 mandate në një kohë që edhe pak orë ndajnë nga mbyllja e procesit të numërimit të votave”.
Zgjedhje e 28 qershorit për parlamentarët e ardhshëm në Shqipëri, janë cilësuar, si më të rëndësishmet në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, janë nën vëzhgimin e rreptë të ndërkombëtarëve, si ShBA, BE etj. Mediat botërore shkruajnë se i gjithë procesi zgjedhor në Shqipëri po kalon nën një atmosferë të qetë dhe të rregullt.
“Kryeministri aktual i Shqipërisë Sali Berisha duket se do të marrë një mandat të dytë qeverisës”, kështu kanë shkruar të përditshmet britanike “The Guardian” dhe “Earthtimes” në artikullin e tyre për zgjedhjet parlamentare në vendin tonë.
Po kështu, edhe rrjetet prestigjioze “Euro News” dhe “Reuters”, shprehen se: “Kryeministri aktual i Shqipërisë do të mbajë postin e kreut të qeverisë, në një kohë që Shqipëria kalon testin e zgjedhjeve demokratike”.
Mediat e huaja kanë vlerësojnë ecurinë e procesit zgjedhor duke theksuar se nuk janë shënuar incidente apo parregullsi, ndërsa vetë zgjedhjet konsiderohen si testi i rëndësishëm për integrimin evropian të Shqipërisë.
Zgjedhjet në fakt janë monitoruar si nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i shohin ato si një barometër të maturisë politike të Shqipërisë.
...