E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat franceze:Vritet autori i masakrës së Tuluzit

Vritet vrasësi në Tuluz të Francës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat franceze të cilat kanë theksuar se Mohamed Merah është vrarë gjatë operacionit për kapjen e tij.

Sipas AFP-së 24-vjeçari ka bërë rezistencë kur forcat speciale të policisë franceze kanë hyrë në banesën e tij ndërsa theksohet se gjatë operacionit blic të komandove të RAID kanë mbetur të plagosur tre agjentë të forcave speciale.

24-vjeçari me origjinë algjeriane ka qënë i rrethuar prej dy ditësh nga forcat speciale franceze duke u bërë rezistencë forcave të policisë të cilat kishin rrethuar të gjithë zonën.
 

Edhe pas disa tentativash të policisë franceze për ta bërë të dorëzohet, si ndërprerja e energjisë elektrike, ujit si dhe furnizimin me gaz në shtëpinë e vrasësit, ai nuk ka pranuar të dorëzohet.

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy deklaroi dje se vrasësi kishte në plan të kryente krime të tjera. Ai ka theksuar gjithashtu se terrorizmi nuk do të ketë sukses të ndajë Francën, e cila është shtëpi e komuniteteve më të mëdha myslimane dhe hebraike në Evropë.

“Po e them për të gjithë kombin. Ne duhet të jemi të bashkuar. Franca mund të jetë e fortë vetëm nëse ka unitet kombëtar. Ne ua kemi borxh këtë viktimave. Ne ia kemi borxh këtë vendit tonë”, ka thënë Sakrkozi.

Merah dyshohet se ka vrarë katër hebrenj dhe tre ushtarëve francezë në Tuluzë gjatë dy javëve të fundit. Ai ka pohuar se është stërvitur nga Al Kaeda dhe nuk dukej i penduar për krimet e kryera deri në atë moment, madje ishte duke planifikuar të tjera.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›