E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat ndërkombëtare shfaqin interes të madh për pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha në Samitin e NATO-s, në Strasburg

Kryeministri Berisha, gjatë qëndrimit të tij në Strasburg, ku mori pjesë në Samitin e NATO-s, iu përgjigj interesimit të madh të mediave ndërkombëtare, nga më prestigjozet në botë. Kështu, në Strasburg, Kryeministri Berisha dha një intervistë për gazetën “Washington Post” dhe një nga gazetarët më të njohur të kësaj gazete, Ed Cody, Drejtor i Zyrës së Parisit për këtë gazetë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u intervistua nga gazetarja e “Bloomberg News”, Helene Fouquet, Korenspondente e Parisit për këtë agjenci prestigjoze lajmesh. Kryeministri dha një intervistë edhe për kanalin televiziv franko-gjerman “Arte’”, i cili ndoqi delegacionin shqiptar gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e NATO-s të Strasburgut. Një interesim të madh për pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha në këtë samit tregoi dhe agjencia koneze e lajmeve, “Xinhua News Agency”, e cila intervistoi Kryeministrin përmes gazetarit të njohur, korrespondentit në Bruksel të saj, Shang Xuqian, i cili mbulon problemet mbi Bashkimin Europian dhe NATO-n. Gjithashtu, Kryeministri u intervistua edhe nga dhjetëra gazetarë të mediave të tjera ndërkombëtare që shoqëronin delegacionet zyrtare të vendeve të tyre në Strasburg. Gjatë këtyre intervistave, mediat ndërkombëtare shfaqën interesimin mbi rrugën e gjatë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, mbi kontributin personal të Kryeministrit Berisha që në fillimet e demokracisë e deri më sot në këtë proces, mbi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të përmbushur kriteret e nevojshme, mbi luftën kundër korrupsionit në vend, mbi bashkëpunimin ushtarak dhe kontributin e Forcave tona të armatosura gjatë misioneve të NATO-s, mbi rëndësinë që do të ketë anëtarësimi në NATO në procesin e anëtarësimit në BE, mbi rëndësinë që anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka për mbarë rajonin dhe sigurinë dhe paqen në të. Në këto intervista, është folur edhe për tema të tjera si, mbarëvajtja e procesit para zgjedhor, mbi hapat e ndërmarra për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për impaktin e krizës ekonomike botërore në Shqipëri dhe masat e marra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim. Kryeministri Berisha u shpreh se dita e anëtarësimit në NATO ishte një ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se, pas kësaj, Shqipëria është një vend më i sigurt dhe më i lirë. Kryeministri dha mesazhin e qartë për vazhdimësinë e reformave në vend, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, për thellimin e reformave në ekonominë e tregut, në forcimin e klimës së favorshme për biznesin e huaj, në angazhimin e Forcave tona të Armatosura përkrah atyre të NATO-s, kudo që të jetë nevoja, për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për një rol të patundur stabiliteti të Shqipërisë në rajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›