Elbasan, asnjë incident në vendnumërimet e votave
Situata në Vendet e Numërimit të Votave në Elbasan vijoi i qetë dhe normalisht nuk është shënuar asnjë incident. Në një deklaratë për mediat, Drejtoria e Policisë Elbasan u shpreh se “dhjetë Vendet e Numërimit të Votave vijojnë të ruhen nga policia deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare nga KZAZ-të”. “Në tërësi i gjithë procesi i votimit është zhvilluar normalisht ku nuk ka patur incidente, me përjashtim te ngjarjes se qytetit te Peqinit. Pasi është normalizuar situata në fshatin Bishqem-Peqin, procesi i votimit ka vijuar normalisht. Edhe procesi i shoqërimit të materialeve zgjedhore dhe dorëzimi i tyre në Qendrat e Numërimit të Votave, i cili ka përfunduar rreth orës 24.00 të datës 23.06.2013, është zhvilluar normalisht dhe nuk është shënuar asnjë incident.
I qetë dhe normal, vijon të jetë edhe procesi i numërimit të Votave në 10 Vendet e Numërimit të Votave që ndodhen në Qarkun Elbasanit. Të gjitha strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Elbasan janë në gatishmëri të plotë me qëllim garantimin e procesit zgjedhor deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare nga KZAZ-të, si dhe për garantimin e plotë të Rendit dhe Sigurisë Publike”- thuhet në deklaratën e Policisë së Elbasanit.