Nurellari: Procesi zgjedhor të përfundojë në mënyrë të ndershme dhe rigoroze

PDIU: Tejkaluam numrin e votave të 2009-s
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), përshëndeti dje të gjithë votuesit e saj. Në një deklaratë për mediat, Sekretari Politik i PDIU, Adri Nurellari u shpreh se “rezultati i partisë sonë është shumëfishuar nga viti 2009”. “Vërejmë me kënaqësi se rezultati i partisë sonë është shumëfishuar nga viti 2009. Dhe gjeografia e votuesve tanë konfirmon një parti kombëtariste, të konsoliduar që votohet anembanë Shqipërisë. Nga projeksioni i të dhënave tona të deritanishme, del se PDIU do të përfaqësohet me deputetë në Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës dhe Vlorë. PDIU shpreh mirënjohjen e thellë për qytetarët e shumtë që na kanë mbështetur në mënyrë masive në këto zgjedhje. Ne ju falënderojmë nga zemra që besuat në projektin tonë kombëtar dhe ju garantojmë që mbështetjen tuaj ne e konsiderojmë jo vetëm si një privilegj, por mbi të gjitha si obligim për më shumë punë e këmbëngulje në misionin tonë politik. Ne falënderojmë gjithashtu gjithë personelin e përfshirë në administrimin e votës për punën e bërë deri tani dhe inkurajojmë që të vazhdojnë detyrën e tyre patriotike me përgjegjshmëri dhe integritet. Nga cilësia e procesit të numërimit varet e ardhmja e Shqipërisë, imazhi i vendit, konsolidimi i institucioneve demokratike të shtetit tonë dhe integrimi në BE prandaj në ftojmë të gjithë aktorët dhe faktorët politik në vend që të bëjnë të gjitha përpjekjet që ky proces zgjedhor të përfundojë në mënyrë të ndershme dhe rigoroze”.