Mediat qipriote: “Me Shqipërinë, një turp i madh”Pakënaqësi në ishullin e “Afërditës” pas humbjes 6-1 me Kombëtaren tonë. Trajneri Kuzhe u “zbulon” sekretin e fitores: “Ju zbërtheva nga DVD-të”.

Mediat qipriote dhe ato ndërkombëtare e konsideruan si një humbje me përmasa tragjike dështimin e turpshëm të Kombëtares së Qipros në miqësoren e humbur 6-1 më përfaqësuesen tonë në “Qemal Stafa”.
“Ditë e keqe”
Një nga faqet më të mëdha qipriote në internet, Sigmalive.com, e titullonte shkrimin e saj: “Pakënaqësi nga rezultati i rëndë”, duke vënë theksin në deklaratën e trajnerit të Qipros, Angjelos Anastasiadhis. “Ishte një ditë shumë e keqe për ekipin tonë. Ne luajtëm shumë mirë vetëm në 20 minutat e para, më pas Shqipëria ishte më mirë dhe unë e përshëndes atë për fitoren”, - tha trajneri grek i Qipros. SigmaLive ka cituar edhe një deklaratë të Anastasiadhis në lidhje me paraqitjen e Klodian Duros: “Nuk e prisnim sot që të mësonim sesa lojtar i mirë është”. Gjithsesi, në një shkrim tjetër, SigmaLive, synon të ngushëllojë lexuesit e saj, se kjo ishte humbja e parë me Shqipërinë në katër ndeshje miqësore të zhvilluar, duke dhënë edhe rezultatet e tyre (1 fitore për Shqipërinë, kjo e së mërkurës; një barazim 0-0, në vitin 2000; dhe dy humbe: 3-2, 1998 e 2-1 në vitin 2004). “Me të njëjtin rezultat (6-1) për herë të fundit kemi humbur, më 2 shtator 2006, në Bratislavë kundër Sllovakisë”, - thekson Sigmalive.com. Konstantinos Harallambidhis, autori i golit të vetëm të Qipros, u ngjit nga ana e tij në kuotën e nëntë golave, duke qenë golashënuesi i katërt më i mirë i qipriotëve në të gjithë historinë e tyre të kombëtares. Shqipëria dhe Qipro nuk janë ndeshur asnjëherë midis tyre në ndonjë kualifikuese të UEFA-s apo FIFA-s.
“Humbje e rëndë”
“Humbje e thellë dhe shumë e rëndë në Tiranë. Ekipi vendas realizoi një fitore përshtypjelënëse 6-1, duke festuar fitoren e parë pas një viti. Rezultat i thellë në pjesën e dytë, ku pësuam katër gola, por dhe me një gjyqtar turk që dha tre penallti kundër nesh”, - shkruan faqja tjetër qipriote, Tipos.com.cy, që citon nga ana e saj edhe trajnerin e Shqipërisë, Josip Kuzhe, menjëherë pas fitores 6-1: “Pashë DVD-i të Qipros dhe mësuam sa ekip i mirë është, dhe nuk humbi se ishte e tille, por se sot humbi nga një Shqipëri shumë e mirë. Na ndihmoi fillimi i mirë dhe shënimi i golave, bëmë një ndeshje të jashtëzakonshme”.
“Shumë gabime”
“Humbje e turpshme e ekipit kombëtar të të rriturve. Pas një paraqitje pikëlluese ‘banda’ e Angjelos Anastasiadhis pranoi shkatërrimin 6-1 me ekipin e Shqipërisë në Tiranë. Dhe kjo, vetëm pak ditë përpara ndeshjes me Malin e Zi në transfertën për kualifikueset e Kupës së Botës 2010”, - shkruhet në uebsajtin Astra Neës Portal. Sipas saj, trajneri i Qipros, Angjelos Anastasiadhis. u shpreh i pakënaqur, jo vetëm me rezultatin, por dhe formën e treguar nga lojtarët e tij. Ai theksoi se u bënë shumë gabime dhe ishte e turpshme të pranosh humbje të tilla. Sipas tij, lojtarët e tij kanë shumë për të bërë deri në ndeshjet zyrtare.
“Kolaps i plotë”
“Humbje e rëndë me rezultatin 1-6 e Kombëtares së Qipros në ndeshjen miqësore e së mërkurës (12 gusht) me homologët e Shqipërisë”, - shkruan faqja greke Sport.gr, që jep edhe hollësi nga shënimi i golave. “Në pjesën e dytë, Kombëtarja e Qipros pësoi një kolaps të plotë. Është e kuptueshme, kur pëson brenda dhjetë minutash katër gola! (minutat 66-76). Bogdani e çoi rezultatin 3-1 në 66’ dhe në të 69’, Mihalis me autogolin e tij e çoi në 4-1. Ekipi vendas ishte i pandalshëm dhe kompletoi triumfin me golat e Agollit në të 72’ dhe Vilës në minutën e 76-të”, - thekson uebsajti grek.
“Shkaqet e shkatërrimit”
“Humbja e rëndë 6-1 e Kombëtares së Qipros kundër Shqipërisë ka provokuar një pakënaqësi të madhe në Megaliniso. Qipriotët janë duke kërkuar shkaqet e ‘shkatërrimit’ të tyre, pavarësisht se bëhet fjalë vetëm për një ndeshje miqësore, pasi kjo ka të bëjë edhe vazhdimësinë e Kombëtares”, - shkruante “Neës Time”. “Është e turpshme të pranosh humbje të tilla, por kundër Shqipërisë patëm vetëm 20 minuta të mira”, - citohet trajneri i Qipros, Angjelos Anastasiadhis.
“Makth i vërtetë”
Një nga faqet sportive më të mëdha greke, Contra.gr, e titullonte shkrimin e saj: “Qipro shkatërrohet në Tiranë. Ansastasiadhis: ‘Është turp të pësosh humbje të tillë”, duke vazhduar më pas edhe me një koment rreth fitores 6-1 të Shqipërisë. “Në një makth të vërtetë u shndërrua për Qipron miqësorja e së mërkurës në Shqipëri. Grupi i Anastasiadhisit u shkatërrua 6-1, ndërkohë që Harallmapidhis mundi të shënoi golin e nderit për Qipron”.
KATËR NDESHJET ME QIPRON
19 gusht 1998
Qipro-Shqipëri 3-2
Shënues: Altin Haxhi, Alban Bushi
Trajner: Astrit Hafizi
15 gusht 2000
Shqipëri-Qipro 0-0
Trajner: Medin Zhega
19 gusht 2004
Qipro-Shqipëri 2-1
Shënues: Altin Rraklli
Trajner: Hans Peter Brigel
12 gusht 2009
Shqipëri-Qipro 6-1
Shënues: Ervin Skela (2), Erjon Bogdani, Mihalis (autogol), Ansi Agolli, Emiljano Vila
Trajner: Josip Kuzhe
Bilanci: 4 ndeshje, 1 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Golaverazhi: 9-6
E Premte, 14 Gusht 2009