E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat serbe po tentojnë implikimin e Kosovës në vrasjet në Maqedoni

Mediat serbe janë ndër më aktivet në rajon që po ndjekin dhe raportojnë mbi vrasjen e pesëfishtë dhe tensionet ndëretnike në Maqedoni. Raportimet e një pjese të mediave, përfshirë edhe faqen e internetit RTS, po publikojnë lajme dhe informacione spekulative, duke tentuar implikimin indirekt të Kosovës.
 

Kjo dëshmohet me trajtimin e vazhdueshëm të pistave të hetimit të vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc. Një nga televizionet serbe Prva Srpska Televizija ditë më parë raportoi se policia maqedonase ka gjetur një makinë të tipit “Jeep” në afërsi të kufirit Bllacë me Kosovën.
Edhe RTS ka publikuar informacione të njëjta, duke spekuluar se makina është gjetur në afërsi të kufirit me Kosovën.
 

Një zyrtar i lartë shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë i tha agjencisë së lajmeve INA se tendenca të tilla të publikimit të lajmeve të kësaj natyre ka për qëllim që të implikojë Kosovën. “Kjo shihet qartë dhe tentimet e qarqeve serbe, që kanë akses në media apo që kontrollojnë mediat e tyre janë që Kosova të jetë një burim i nxitjes së konfliktit në Maqedoni dhe krijimi i një imazhi për Kosovën duke e shndërruar ate në një çerdhe kriminelësh. Por, kjo aspak nuk guxon të merret në konsideratë, pasi janë të njohura tentimet e këtyre mediave serbe”, theksoi për INA, zyrtari i lartë i Qeverisë.
 

Një vëmendje e veçantë i është dhënë edhe një deklarate të AKSH-së dhe një armate tjetër AÇTOSH,e shfaqur përmes disa emailave në internet, ku theksohet situata në Maqedoni dhe mundësia e shpërthimit të konfliktit.
 

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përmes ministres Gordana Jankullovska i ka vlerësuar si speculative lajmet e publikuara nga disa media serbe, ndërsa nuk janë komentuar deklarimet dhe kërcënimet e fundit përmes internetit nga ana e “armatave” të thirrura shqiptare.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›