Mediu, 1 mijë faqe të tjera me akuza në Kuvend
Prokuroria e Përgjithshme dërgon në Kuvend dokumente të reja që implikojnë Mediun në tragjedinë e Gërdecit
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i përgjigjet për të dytën herë Kuvendit me dokumente që implikojnë ish-ministrin Fatmir Mediu në tragjedinë e Gërdecit. Mëngjesin e djeshëm, zyra për shtyp pranë Prokurores së Përgjithshme njoftoi se i janë dërguar Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imuniteti, të gjitha dokumentet shtesë të kërkuara për Mediun, në katër volume hetimi. “Në përgjigje të kërkesës së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pranë Kuvendit të Shqipërisë për dokumente shtesë, me synimin për të mos u bërë pengesë për një vendimmarrje sa më të drejtë të Kuvendit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dërgoi katër volume me dokumente në lidhje me lejimin për procedimin penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, bashkë me shkresën përcjellëse me sqarimet përkatëse”,-thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.
***
Në këto volume përfshihen dokumentet që zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ia kishte vënë në dispozicion më parë këtij këshilli, të cilat u ridërguan sipas kërkesës së tij, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkoheshin. Sipas këtyre burimeve mësohet se në përgjigjen e dytë, grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit ka dërguar pranë Kuvendit të renditura në 1005 faqe, të gjitha shkresat e dokumentet e sekuestruara gjatë fazës hetimore për tragjedinë e Gërdecit. Në informacionin e dhënë, Prokuroria ka këmbëngulur se do të ketë ndjekje penale për disa persona dhe vendimmarrja do të jetë në pavarësi të plotë, duke premtuar kështu paanshmëri në vendimin që do të merret.
***
“Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave, civilë dhe ushtarakë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars në Gërdec dhe siguron se është e vendosur, që në pavarësi të plotë në vendimmarrjen e saj, të vërë përpara përgjegjësisë çdo person të përfshirë në këtë proces, që ka kryer vepër penale”,-thuhet në njoftimin e zyrës së kryeprokurores Rama. Dorëzimi i këtyre dokumenteve shtesë nga ana e Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e kërkesës së dytë të këtij komisioni, ku Jozefina Topalli ka hedhur dyshimet për anshmërinë e Prokurorisë në këtë proces. Në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli, PD doli hapur në mbrojtje të Mediut, i cili akuzohet si përgjegjës për tragjedinë që u mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë.
Shkresat për Mediun:
Vendim për shpallje moskompetencë dhe kalim aktesh, 17 fletë material, nga faqja 1-17
Shkresa me të dhënat e të plagosurve nga SQU dhe QSUT, 11 fletë nga faqja 20-30
MEMO e datës 5 korrik 2006, 1 fletë nga faqja 30-31
Të dhënat e TIMS për Patrick Henry, 2 fletë, nga faqja 32-33
Fax, SAC, dt. 27.12.2006 me përkthimin përkatës, 4 fletë, nga faqja 34-37
MEMO datë 28.12.2006, 2 fletë nga faqja 38-39
Vendim dt. 28.12.2006 për regjistrimin e “Albademil” sh.p.k, 2 fletë, nga faqja 40-41
Fax i SAC, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Adriatik Mullahit, datë 19.8.2007, 4 fletë, nga faqja 42-47
Fax dt. 01.9.2007 i SAC, dërguar A.Mullahi, 6 fletë, nga faqja 48-51
Fax i SAC, dt. 25.10.2007, drejtuar Sek. Përgj. A.Mullahi dhe Drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, 4 fletë
Fax i SAC, dt. 6.9.2007, 2 fletë, nga faqja 56-57
Projekt-vendim, 3 fletë, nga faqja 58-60
Relacion projektvendimi, 12 fletë, nga faqja 61-72
MEMO datë 5.2.2007, Shkëlzen Madani, dërgim projekt-vendimi, 2 fletë, nga faqja 73-74
Shkresë nr. 814, datë 16.2.2007, “Dërgim Projekt-Vendimi KM”, 16 fletë, nga faqja 75-90
Shkresë nr. 1158, datë 12.2.2007, për plotësim dokumentacioni, 1 fletë nga faqja 91
Shkresë nr. 772, datë 20.8.2007, “Zbatim urdhri”, 1 fletë, nga faqja 92