E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset Ben Qimja, i forti i Fierit

 

Arben Isufaj akuzohet për vrasjen e ndodhur në vitin 2002, por edhe për trafik droge dhe sulm me armë ndaj policisë

I akuzuari për ekzekutimin e Koçiut u arrestua teksa ishte duke drekuar me tre biznesmenë në Tiranë

TIRANË- Në shpinë i rëndojnë shumë akuza, e megjithatë, asnjëra prej tyre nuk e pengoi Arben Isufajn të shtrohej për drekë në një restorant pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë. I forti i Fierit, i njohur me nofkën Ben “Qimja” ka qenë duke drekuar me tre biznesmenë, në momentin që ka vënë re se ishte i rrethuar nga punonjësit e policisë. Këtë herë nuk ka bërë rezistencë. Është ngritur qetësisht nga tavolina dhe ka pranuar të ndjekë pas policinë, edhe pse nuk u ka kursyer atyre sigurinë se me drejtësinë i ka hesapet “të lara”. Arrestimi i Arben Isufajtështë kryer mesditën e djeshme në një restorant në afërsi të Kopshtit Zoologjik në kryeqytet. “37-vjeçari Isufaj figuronte në listën e personave të shumëkërkuar nga policia, pasi ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 13 shkurt të vitit 2008, ka vendosur masën e sigurisë ”arrest në burg” pasi akuzohet për veprën penale të vrasjes së Pirro Koçiut”,-bëri me dije zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini.”Ben Qimja” akuzohet për vrasjen e Pirro Koçiut, krim ky i ndodhur më 12 gusht të vitit 2002 në rrugën ”Him Kolli” në Tiranë.

Arrestimi

Mesditën e djeshme, Isufaj po drekonte me tre miq të tij biznesmenë, në një restorant pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, kur ka parë t’i afrohen punonjësit e policisë. Këta të fundit, prej katër muajsh kishin nisur hetimet për të zbuluar vendndodhjen e 37-vjeçarit Isufaj me qëllim kapjen e tij. Hetimet bënë të mundur lokalizimin e tij, duke vënë në lëvizje policinë për ta vëzhguar. Mesditën e djeshme, forcat e policisë kanë rrethuar restorantin ku po drekonte i kërkuari. Oficerët e policisë i janë afruar tavolinës ku qëndronte Isufaj, duke i komunikuar atij fletë-arrestin. Megjithëse “Ben Qimja” është i njohur për sfidat ndaj policisë, pasi një vit më parë, 37-vjeçari qëlloi me armë mbi efektivat blu duke iu shpëtuar prangave, mesditën e djeshme nuk ka bërë rezistencë. Ndërkohë që burime nga policia thanë se tre biznesmenët që ndodheshin në restorant me të kërkuarin njihen si njerëz të rregullt.

Akuzat

Arben Isufaj është akuzuar për vrasje dhe trafik droge dhe armësh, por deri më sot, drejtësia nuk i ka vërtetuar këto akuza. Krimi që e çoi në prangat e policisë së Tiranës ka ndodhur në vitin 2002, kur Pirro Koçiu u ekzekutua me plumb në kokë, në pallatin ku banonte me qera, pranë rrugës së Kavajës. Asokohe, policia e klasifikoi këtë vrasje si larje hesapesh për trafiqet e drogës, por Arben Isufaj nuk u arrestua asnjëherë për këtë krim.Është ende e paqartë sesi Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në shkurt të këtij viti, por është kjo masë sigurie që çoi në pranga të fortin e Fierit. Rreth një vit më parë, Isufaj u përfshi në një shkëmbim me armë mes një personi të kërkuar dhe policisë. “Ben Qimja” qëlloi me armë policinë e Fierit dhe për këtë u shpall në kërkim. Ndërkohë që policia e Tiranës, në rrugë operative siguroi informacione për vendndodhjen e shumë të kërkuarit, duke kryer dhe ndalimin e tij gjatë mesditës së djeshme.

Policia italiane ka sjellë në Shqipëri përgjimet e Arben Isufajt me Enver Dondollakun

Isufaj furnizoi me kokainë Aldo Baren

TIRANË- Përveç hesapeve me drejtësinë shqiptare, i njohuri si “Ben Qimja” akuzohet për trafik droge dhe armësh, edhe ngapolicia italiane. Arben Isufaj akuzohet se ka furnizuar me drogë bandën e Lushnjes, gjatë qëndrimit të tij në Itali. Dyshimet se kapobanda i Fierit furnizonte me kokainë homologët e Lushnjes, dolën pas përgjimeve të kryera nga seksioni i antidrogës së Torinos, e cila po hetonte aktivitetin e “Bandës së Lushnjes” në fushën e trafikut të narkotikëve, përtej Adriatikut.Nga përgjimet, policia italiane mësoi se Arben Isufaj, i njohur me nofkën “Ben Qimja” transportonte drogë nga Hollanda drejt Italisë për llogari të bandës së Lushnjes. Sipas policisë italiane, Isufaj u shiste kokainë anëtarëve të Bandës, ndërkohë që lidhjet e tij direkte ishin me krahun e djathtë të Aldo Bares, me Enver Dondollakun. Rreth 25 mijë euro kilogrami ishte pazari për të cilën kishin rënë dakord të dyja palët. Ndërkohë që policia italiane shënoi edhe emrin e Arben Isufaj për ta akuzuar për trafik droge, emër i cili u zbulua gjatë hetimeve për aktivitetin e “bandës së Lushnjes”, por policia shqiptare nuk e shpalli në kërkim Isufajn. Emri i këtij të fundit iu shtua listës së personave të shpallur në kërkim nga policia rreth një vit më parë, kur ai sfidoi policinë duke i shpëtuar një operacioni të përbërë nga shumë forca policie. Ai mundi të qëllonte mbi policinë, duke iu shpëtuar prangave. K.Kotorri

KRIMET

Vrasja për hakmarrje

Arben Isufaj akuzohet se është ideatori i vrasjes së Pirro Koçiut, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2002. Për të futur në kurth Koçiun është përdorur një i njohur i tij, i cili i ka kërkuar të dalë nga apartamenti me qera

Trafiku i drogës

I njohuri si Ben “Qimja” akuzohet se ka trafikuar kokainë nga Holanda në Itali. Sipas përgjimeve të policisë italiane, fieraku ishte furnizuesi kryesor me kokainë i bandës së Lushnjës, që kryente këtë aktivitet në Itali

Në shpinë i rëndojnë shumë akuza, e megjithatë, asnjëra prej tyre nuk e pengoi Arben Isufajn të shtrohej për drekë në një restorant pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë. I forti i Fierit, i njohur me nofkën Ben “Qimja” ka qenë duke drekuar me tre biznesmenë, në momentin që ka vënë re se ishte i rrethuar nga punonjësit e policisë. Këtë herë nuk ka bërë rezistencë. Arben Isufaj është përfshirë në një konflikt të armatosur me policinë e Fierit. Për të shpëtuar një të njohurin e tij, ai ka qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë dhe më pas iu shpëtoi prangave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›