E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat BE, shqiptarët më të diskriminuarit në Ballkan

 

Vëzhgimi: Konsullatat e huaja në Shqipëri, refuzojnë shtetasit: Më keq grekët, më mirë italianët

Shtetasit shqiptarë janë më të diskriminuarit në rajon për pajisjen me viza nga zyrat konsullore të vendeve të BE-së. Ndonëse prej 1 Janarit 2008, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta kishin më të lehtë udhëtimin në hapësirën Shengen, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave, për shqiptarët shumë pak ka ndryshuar. Sipas një vëzhgimi të kryer në disa prej konsullatave perëndimore në Tiranë, Shqipëria mbetet një nga vendet e rajonit me shkallën më të lartë të refuzimit të vizave, me një mesatare prej 23 për qind të totalit të aplikimeve, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 17 për qind. Sipas vëzhgimit të kryer nga “Lëvizja Europiane”, një OJF me qendër në Tiranë, shtetasit shqiptarë nuk kanë shpëtuar nga lista e gjatë e dokumenteve që duhet të paraqesin në sportelet e konsullatave. Koha e pajisjes me vizë mbetet ende një problem dhe në disa raste, thuhet në vëzhgim, ajo e tejkalon edhe periudhën për të cilën kërkohet viza. Të dhënat e mbledhura nga aktiviteti i zyrave konsullore, thonë se shqiptarët ndjehen më të diskriminuar në konsullatat greke dhe më pak në ato italiane. Vëzhgimi i mbështetur në dëshmitë e të intervistuarve thotë se shkallën më të lartë të refuzimit të vizave e kanë konsullatat greke, me 37 për qind të aplikimeve, Konsullata Gjermane, me 24 për qind, Franca dhe Austria me 22 për qind dhe më pak konsullatat italiane, me 11 për qind.

Premtimet

Më 3 qershor, Bashkimi Europian i dorëzoi Shqipërisë “Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave”, i cili përmban objektiva specifike për t’u përmbushur nga Shqipëria, ndërsa nuk janë vënë afate kohore. Sipas specialistëve, disa nga kriteret janë teknike, siç janë ato të pajisjes së shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, prodhimi i të cilave është marrë përsipër nga një firmë franceze e përzgjedhur nga Ministria e Brendshme para tre muajsh, pas një tenderi të dyshimtë. Kriteret e tjera që i janë vënë Shqipërisë kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, kontrollit të kufijve, luftës kundër trafikut të njerëzve etj., të gjitha të formuluara në mënyrë të përgjithshme, duke krijuar idenë se procesi i liberalizimit të vizave do të jetë një proces afatgjatë dhe vendimi i fundit do të jetë thjesht politik.

Pesë ditë më parë, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha deklaronte se koha që na ndan nga heqja e vizave me BE-në është e shkurtër. "Jemi plotësisht optimistë se koha që na ndan nga heqja e vizave për qytetarët shqiptarë, për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, do të shkurtohet. Ndonëse nuk jemi në gjendje të përcaktojmë një datë ekzakte, gjithsesi, theksoj se spekulimet lidhur me afatet për këtë çështje janë tërësisht të pabazuara. Por, zv/presidenti i KE-së, Franko Frattini është shprehur optimist në përmbylljen me sukses të këtij procesi, brenda mandatit të Presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso",- shprehej ministri i Jashtëm i Shqipërisë. Deklarata e Bashës u bë pas dorëzimit të “Udhërrëfyesit për Vizat” nga ana e zyrtarëve të BE-së, të cilët kanë rreshtuar një listë me kërkesa, si siguria e kufirit, siguria e dokumenteve, lufta pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, konsolidimit të shtetit ligjor...

Lëvizja e shqiptarëve në Europë, në dorë të reformave të qeverisë

BE: Kushtet që shqiptarët të lëvizin lirshëm

Dokumenti që iu dorëzua autoriteteve shqiptare në Bruksel është i ndarë në katër kapituj, sipas fushave ku duhet ndërhyrja nga Tirana zyrtare

-Dokumentet e udhëtimit- Kërkohet: prodhimi e pajisja e qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, marrja e masave për të garantuar integritetin dhe sigurinë e procesit të shpërndarjes, programe trajnimi për zyrtarët dhe autoritetet që do të merren me to, raportimin në Interpol të pasaportave të humbura apo të vjedhura.

- Administrimi i Kufijve- Kërkohet: përshtatja dhe zbatimi i legjislacionit që rregullon lëvizjen e personave në kufijtë e jashtëm, masa buxhetore dhe administrative, që të sigurojnë infrastrukturë efikase, pajisje dhe teknologji, si dhe programe trajnimi me policinë kufitare, doganierët dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë. Shqipërisë i kërkohet ngritja dhe zbatimi i mekanizmave për kontrollin e flukseve migratore, mbajtjen e të dhënave, si për emigracionin e ligjshëm, ashtu dhe atë ilegal apo ngritjen e strukturave për analizimin e tyre. Po kështu, kërkohet përmirësimi edhe në hetimin e rasteve të trafiqeve të organizuara.

- Rendi Publik dhe Siguria - Shqipëria duhet të zbatojë, strategjinë e luftës kundër krimit të organizuar me një plan-veprimi që të ketë afate të përcaktuara kohore e të mbështetet nga burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore apo kundër korrupsionit, luftën kundër pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasurive të kriminelëve, apo dhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare kundër trafikut të drogës, janë çështje të tjera ku kërkohet të merren masa.

- Bashkëpunimi i strukturave- Gjyqësori dhe Prokuroria të bashkëpunojë me shtetet anëtare të BE dhe vendet e rajonit apo dhe një ndërveprim efikas edhe mes vetë strukturave të brendshme shqiptare. Kërkesat e detajuara të Komisionit Europian do të kërkojnë një angazhim serioz të strukturave të shtetit shqiptar. Theksi vihet në nevojën për zbatimin e ligjeve apo Konventave Ndërkombëtare.

- Shqipëria do të duhet të ngrejë një sërë strukturash të reja dhe të japë për to mbështetjen e nevojshme financiare. Siç theksohet edhe në dokument, shpejtësia e lëvizjes drejt liberalizimit do të varet nga progresi i bërë nga secili vend, në përmbushje të kushteve të vëna. I gjithë progresi do të vëzhgohet nga afër prej Këshillit dhe Komisionit Europian.

- Komisioni do të raportojë rregullisht për ecurinë në zbatimin e kërkesave. Raportimi i parë do të jetë para fundit të këtij viti.

- Në mbyllje të procesit do të jetë Komisioni Europian i cili do t’i propozojë Këshillit të Ministrave, pas konsultimit me Parlamentin Europian, marrjen e vendimit, i cili do të kërkojë një votim më shumicë të kualifikuar të vendeve anëtare.

Distancimi

KE: “Vizat, në dorën e vendeve anëtare të BE”

“Implementimi i Marrëveshjes për Liberalizimin e Vizave është në dorën e secilit prej shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe Këshilli i Europës nuk ka asnjë rol në procesin e lëshimit të vizave”. Kështu u shpreh dje në Tiranë, Thomas von Handel, Shef i Seksionit Politik, Ekonomik dhe të Informacionit të Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, pjesëmarrës në lançimin e projektit rajonal “Lehtësimi i Vizave në Ballkanin Perëndimor”. organizuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri, në bashkëpunim me organizata të tjera Joqeveritare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe European Citizen Action Service, me qendër në Bruksel.

Zyrtari i KE-së u mundua të shprehte qartë edhe distancimin e zyrës që ai përfaqëson. “Delegacioni i KE-së në Tiranë, nuk është pjesë e këtij projekti dhe nuk ka asnjë rol në këtë projekt. Komisioni Europian luan një rol koordinativ, ne kemi përgatitur një udhërrëfyes se si mund të arrihet te liberalizimi i vizave. Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave dhe “Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave”, janë pjesë e vullnetit të Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat”,- u shpreh për mediat Thomas von Handel.

Monitorimi i Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave, në Ballkanin Perëndimor, do të kryhet nëpërmjet vendosjes së një linje telefonike ku aplikantët e vizave Shengen mund të konsultohen dhe kryejnë sondazhin në konsullatat e shteteve Shengen. Lançimi i këtij projekti do të bëhet njëkohësisht në Bruksel, Tiranë, Sarajevë, Shkup, Podgoricë dhe Beograd.

RREGULLAT E REJA PAS 1 JANARIT 2008, ÇFARË DUHET PËR TË MARRË VIZË

Kërkesat minimale janë përcaktuar si më poshtë. Ju duhet:

-të plotësoni dhe firmosni aplikimin tuaj për vizë. Shtetet “Shengen” përdorin një formular standard, i disponueshëm në të gjithë gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian. Formulari jepet falas. Ju mund ta shkarkoni atë duke klikuar këtu;

-të paraqisni pasaportën aktuale, e cila duhet të jetë e vlefshme të paktën deri në tre muaj pas afatit të skadimit të vizës;

-përshkruani qëllimin dhe rrethanat e vizitës suaj - shih pikën I.1-lista e dokumenteve që duhen dorëzuar për kategori të ndryshme personash në lidhje me qëllimin e udhëtimit;

-specifikoni mjetet e transportit;

-tregoni se zotëroni mjete të mjaftueshme jetese për të përballuar shpenzimet e udhëtimit në fjalë dhe ato të kthimit në Republikën e Shqipërisë (për shembull: vërtetim të mjeteve financiare, qëndrim në një banesë private ose ftesën nga një firmë apo një institucion);

-tregoni se keni sigurim shëndetësor për udhëtimin me një mbulim minimal prej 30 000 uro.

-Në konsullatat e Shteteve “Shengen” në fjalë ju mund të merrni informacion mbi hollësi specifike për dokumentet mbështetës që duhet të paraqisni në varësi të situatave të ndryshme dhe llojit të vizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›