E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Kastratit, burg përjetë Qamil Rexhës

 

Prokuroria deklaroi fajtorë vëllezërit Rexhaj për vrasjen e bujshme. “Vrasja u ideua dhe u realizua nga Qamili”

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje nga togat e zeza një burgim të përjetshëm dhe 50 vjet heqje lirie për tre të pandehurit nga Hasi, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e mjekut Behar Kastrati. Në seancën e 62-të të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria lexoi konkluzionet përfundimtare ndaj vëllezërve Qamil e Abedin Rexha si dhe ndaj Ibrahim Gecit. Sipas prokurorëve Eugen Beçi dhe Ardian Nezha, tre të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme, kanë kryer veprat penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit me pasojë vdekjen” dhe konsumimin e akuzës së “mbajtjes pa leje të armëve luftarake, municioneve dhe lëndëve plasëse”. Prokuroria ka akuzuar Qamil Rexhën se ishte ideatori, organizatori dhe ekzekutuesi i rrëmbimit të mjekut Behar Kastrati dhe vrasjes së tij, duke e lidhur në dy shtylla betoni, nëpërmjet telave të shtyllës dhe një litari në qafë.

***

Për kryerjen e këtyre veprimeve, prokuroria kërkoi nga gjykata që i pandehuri Qamil Rexha, i dënuar në kohën e komunizmit me pushkatim, por i falur më pas, të dënohet me burgim të përjetshëm. Ndërkaq, vëllai i tij Abedin Rexha, sipas prokurorisë, është bashkëpunëtor në rrëmbimin e mjekut dhe më pas vrasjen e tij, dhe për kryerjen e këtyre veprimeve të dënohet përfundimisht me 25 vjet burg. Ndërsa i pandehuri Ibrahim Geci, që vetëm pak muaj më parë vendosi të prishë marrëveshjen e bashkëpunimit me drejtësinë duke akuzuar prokurorët për presion, duhet të dënohet me 25 vjet burg, për shkak se ka marrë pjesë duke ndihmuar dy vëllezërit Rexhaj për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e mjekut Behar Kastrati. Përveç dënimit me 25 vjet burg, organi i akuzës kërkoi nga gjykata që i pandehuri Ibrahim Geci për kryerjen e akuzave të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake, municioneve dhe lëndëve plasëse”të dënohet edhe me gjobë prej 5 milionë lekësh.

***

Sipas prokurorisë, dy vëllezërit Rexha e kanë rrëmbyer Behar Kastratin mbrëmjen e 7 korrikut të vitit 2005, vetëm pak metra nga shtëpia e tij, pas vëzhgimeve disa ditore të të pandehurit Ibrahim Geci,i ngarkuar për këtë punë nga i pandehuri Qamil Rexha. Pas rrëmbimit, dy vëllezërit Rexha e kanë marrë atë në makinën e tij dhe më pas janë nisur në drejtim të Tiranës, ku në afërsi të fshatit Kolsh janë ndalur duke e mbytur atë dhe më pas lidhur me tela tek dy shtyllat e betonit të kësaj ure. Trupi i Kastratit u gjet 40 ditë pas zhdukjes nga disa banorë të asaj zone. Prokuroria si prova kryesore për vërtetimin e këtyre akuzave ndaj tre të pandehurve ka sjellë para gjykatës dëshminë e Ibrahim Gecit, ku ka rrëfyer të gjithë takimet dhe shkakun e vrasjes së mjekut Kastrati nga vëllezërit Rexha. Sipas këtyre të fundit, mjeku Kastrati nuk e ka ndihmuar vëllanë e tyre në mars të vitit 1995, ku humbi jetën pas një ataku kardiak, që familja Rexhaj e akuzonte mjekun Kastrati se nuk ishte në punë për t’i dhënë ndihmë vëllait të tyre.

Qamil Rexhaj

Ka kryer akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim. Prokuroria kërkoi dënimin e tij me dënim të përjetshëm

Abedin Rexhaj

Ka kryer akuzën e “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” me pasojë vdekjen e personit të kryer në bashkëpunim. Kërkohen 25 vjet burg

Ibrahim Geci

Akuzohet për “rrëmbim dhe pengmarrje të personit” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Kërkohet dënimi me 25 vjet burg dhe 5 mln lekë gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›