Mediu: Ka shumë për të parë në marrëdhëniet mes PD e PR
TIRANË- "Midis Partisë Demokratike dhe asaj Republikane ka shumë për të parë në marrëdhëniet dhe detyrimet reciproke". Kështu është shprehur sot, gjatë një konference për shtyp kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i cili, duke veçuar kreun demokrat Sali Berisha tha se thirrjet publike të drejtuesve të PD-së për të mos votuar Partinë Republikane ishin një gënjeshtër, por dhe mos respektim i marrëveshjes me këtë forcë që cenoi rezultatin e 28 qershorit.
Ai i cilësoi zgjedhjet e 28 Qershorit si një test i suksesshëm dhe i rëndësishëm në avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
"PR rikonfirmoi edhe njëherë në këto zgjedhje se është partia e dytë e së djathtës shqiptare dhe një faktor i rëndësishëm i fitores në këto zgjedhje i koalicionit, "Aleanca për Ndryshim". Aleanca jonë kryesore ka qenë dhe do të mbetet me Partinë Demokratike, por që të mbetemi të tillë në marrëdhënie dhe qëllime të përbashkëta në interes të vendit, mendoj se ka shumë për të parë në marrëdhëniet dhe detyrimet reciproke ndërmjet dy partive"- theksoi ai.
Në lidhje me pretendimet e kësaj partie për mandatin e humbur në qarkun e Beratit, Mediu tha se "PR do të vazhdojë betejën e saj ligjore për mandatin e qarkut të Beratit, si detyrim ligjor ndaj beratasve që kanë votuar PR-në".
Kryetari republikan vlerësoi koalicionin e "Aleancës për Ndryshim" me LSI-në, duke u shprehur se "është një koalicion që i shërben interesave të vendit dhe integrimit në Bashkimin Europian".
Sipas tij, PR-ja do të jetë në qeveri sipas kontributit që ka dhënë për deputetët që ka marrë "Aleanca e Ndryshimit". PR-ja, vendos për çdo gjë në mënyrë institucionale, nuk kemi diskutuar asgjë konkrete për këtë çështje. Çdo vendim për pjesëmarrje të PR-së në qeveri do të kaloj nëpërmjet forumeve të PR-së "- tha ai.