Mediu: Rama po dëmton rëndë interesat e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Republikane i bën thirrje klasës politike të mos humbë shansin e integrimit në 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit. Duke folur në Asamblenë Kombëtare të PR-së, Mediu theksoi se në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë duhet të bëhet gjithçka për t’u përmbushur ëndrrën e shqiptarëve në Bashkimin Europian. “Ne jemi në një moment të rëndësishëm, sepse kemi shansin për të treguar se mund t’i përmbushim në kohë detyrimet që na ka vënë BE-ja. Por edhe moment kritik, sepse për shkak të mosmarrëveshjes mund ta lëmë jashtë BE-së vendin për një kohë të gjatë”- theksoi Mediu. Duke theksuar se konfliktet politike mund të jenë një pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, Mediu theksoi se partitë duhet të lënë mënjanë interesat partiake dhe të bashkëpunojnë për interesin kombëtar.
Mediu gjithashtu akuzoi Partinë Socialiste se po krijon konflikte artificiale, duke dëmtuar rëndë interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Zgjedhjet ishin një thirrje që Rama të gjejë rrugën drejt realizimit të qëllimeve të shqiptarëve. E papranueshme që PS me qëndrimet e saj krijoi ngërçe që kthehen në një kosto të madhe për shqiptarët. Rekomandimet e BE-së janë përgjegjësi e gjithë klasës politike që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Kemi shansin të vërtetojmë që me mirëkuptim mund t’i përmbushim këto detyrime. Kushtet e BE-së nuk i kemi detyrim përballë Bashkimit Evropian por përballë Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo që ata ndodhen. Këto kërkesa kanë të bëjnë me standarde që i shërbejnë një jete më të mirë shqiptarëve, e veshin qytetarin me dinjitet dhe i japin të drejtë qytetarëve të vendosin me votën e tyre, të qeverisin në bazë të vullnetit të tij”- shtoi Mediu. Ndërsa i është referuar reformës zgjedhore, Mediu theksoi se në ndryshimet në kodin zgjedhor duhet të përfshihen të gjitha partitë politike. Ai gjithashtu kërkoi ndryshim të formulës së shpërndarjes së mandatave pasi sipas tij sipas formulës së re 25 mandate u janë hequr pa të drejtë partive të vogla dhe i kanë kaluar partive të mëdha. Gjithashtu Mediu theksoi se në ndryshimet e reformës zgjedhore duhet të përfshihen edhe listat e hapura duke bërë të mundur që deputetët të mos jenë të emëruar të partisë por të zgjedhur nga populli. “Komisioni i reformës zgjedhore është i kontrolluar vetëm nga dy partitë, prezenca jonë nuk ka asnjë ndikim për ta. Ky proces duhet të jetë proces transparent me mediat dhe opinionin publik”- tha Mediu.