E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Reformat, detyrim i politikës edhe në të ardhmen

Mediu kërkon më shumë analizë, kur kalohen rezoluta për reforma në Kuvend
TIRANË- Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore nuk përfundon me fillimin e Samitit të Bukureshtit në muajin prill. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka deklaruar dje se përpjekjet për bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës janë sinjalet që politika shqiptare duhet t'u japë ndërkombëtarëve, se ka një qëndrim unik për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. "Ky pakt duhet të përfshijë jo vetëm mirëkuptimin për ndërtimin e këtij legjislacioni të domosdoshëm të reformave, por edhe fazën implementuese, gjë e cila duhet të jetë obligim i përbashkët i mazhorancës së sotme, i mazhorancave të nesërme apo i bashkëpunimit me opozitën. Dhe unë mendoj se ne kemi ndërtuar një trend shumë pozitiv marrëdhëniesh",- u shpreh Mediu. Gjithashtu ministri i Mbrojtjes ka vlerësuar dhe propozimin e Partisë Socialiste për paktin për reformën në drejtësi. Megjithatë, sa i përket rezolutës së miratuar me mbi 100 vota nga Kuvendi, ministri i Mbrojtjes ka theksuar se të tilla dokumente duhet të kalohen përmes një analize konkrete dhe jo në mënyrë formale. "Nëse do të bëja një vërejtje ose do ta ndjeja veten jo fort të kënaqur, është momenti kur kaloi rezoluta në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, është një rezolutë që kaloi për një minutë, pa bërë një analizë. Dhe besoj se Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të konsiderohet si një institucion kolektiv, por si një institucion ku deputetët kanë individualitetin e tyre pavarësisht se kujt grupimi politik i përkasin dhe për çështje të tilla të rëndësishme natyrisht që duhet të shprehen. Duke qenë kështu Kuvendi fiton vlerë kur miraton rezoluta të tilla, por fiton akoma më shumë vlera kur diskuton përmbajtjen që kanë këto rezoluta", - tha Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›