E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Duhet analizë, pastaj ndryshime në qeveri

Kryetari i PDR-së, Genc Pollo thekson se ndryshimet në qeveri duhet të bëhen mbi bazën e analizës së secilës prej ministrive
Ministri i Arsimit është kundër riformatimit të koalicionit. Ai theksoi se këtë çështje e vendos vetëm vota e popullit
TIRANË- Ashtu si republikanet edhe reformatorët kërkojnë një bilanc të punës së secilës prej ministrive, me qëllim që në fund të ketë një qëndrim të qartë se ku duhet të bëhen ndryshime ne qeveri. Krahas drejtuesve të partive aleate, për ndryshimet në qeveri, dje për këtë çështje është pozicionuar edhe Kryetari i PDR-së, Genc Pollo. Ky i fundit ka theksuar se përpara se të shkohet në ndryshime të qeverisë, duhet të bëhet një analizë e detajuar për atë që ka arritur të realizojë çdo parti në dikasteret që drejton. Sipas tij, ndryshimet nuk janë një tabu, por përpara se të evidentohen ministritë që duhet të ndryshojnë reformatorët theksojnë nevojën e një analize paraprake. "Gjithkush mund të pretendojë, gjithkush duhet të ketë parasysh balancën e nevojshme dhe balanca në një koalicion krijohet nga shumë gjëra, por kryesisht nga vota që të jep populli dhe jo nga marifetet që bëjnë presione të veçanta. Dhe përpara se të arrijmë tek kjo është më tepër bilanci konkret i realizimit të përgjegjësive, siç janë të ndara në këtë koalicion. Ndoshta duke filluar nga partia më e madhe",- theksoi Pollo. Në këtë mënyrë, kryetari i PDR-së, njëkohësisht edhe ministër i Arsimit, i ka dhënë përgjigje qëndrimeve të disa prej partive aleate, por edhe deputetëve të ndryshëm të Partisë Demokratike, të cilët janë shfaqur tepër skeptikë lidhur me punën e aleatëve në qeveri. Në të njëjtën kohë, Pollo ka kundërshtuar dje edhe mundësinë e riformatimit të koalicionit, duke u ndarë në këtë çështje me qëndrimin e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu. Ky i fundit, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Republikane kërkoi një riformatim të koalicionit, duke lënë të kuptohet qartë se në këtë koalicion duhet të ketë tashmë vetëm parti me program të djathtë. Megjithatë, aleati tjetër në qeveri, Pollo mendon se kjo çështje mund të zgjidhet me së miri përmes votës. "Riformatimin e koalicionit nuk e bëjnë drejtuesit e partive të koalicionit, por e bën vota popullore që merr koalicioni dhe çdo parti, që krijon disa raporte, të cilat reflektohen pastaj në formate të duhura. Ti rikthehesh në mënyrë periodike, pa pasur një bazë reale për debat, nuk më duket se është një kohë e përdorur mirë",- u shpreh Pollo. Thuajse të në njëjtën linjë sa i preket riformatimit të koalicionit është edhe Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i cili pak ditë më parë deklaroi se nuk është e nevojshme që të ketë një lëvizje të tillë. Ndërsa për ndryshimet në qeveri, pak bihet dakord mes aleatëve, pavarësisht se fjalën e fundit për këtë çështje do ta thotë vetëm kryeministri Sali Berisha, i cili deri në Samitin e Bukureshtit nuk do të marrë për bazë asnjë sugjerim për ndryshime në qeveri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›