Interesi real i Berishës nga konflikti me ODIHR
Kryeministri Berisha ka ngjallur dyshime të besueshme te faktori ndërkombëtar për rikthimin e gjendjes së luftës së ftohtë mes tij dhe ODIHR, njësoj si në vitin 1996. Refuzimi nga ana e palës shqiptare e drejtimit të misionit të ODIHR nga ambasadorja Glover, me arsyetimin se ajo e ka udhëhequr këtë mision dhe në vitin 1996, ka ngjallur dyshime dhe panik në Bruksel për standardin e zgjedhjeve shqiptare.
Por pyetja themelore që lind në këtë rast ka të bëjë me interesin e Berishës për këtë konflikt në dukje të palogjikshëm.
Berisha i disa muajve më parë ishte shumë i relaksuar dhe sa herë dikush i përsëriste biografinë e tij të keqe me zgjedhjet, ai dhe zonja Topalli nxitonin të thoshin se ishin të gatshëm të ftonin gjithë botën t’i vëzhgonte. Në të vërtetë, ata po refuzojnë tashmë kreun e misionit profesional për vëzhgimin e zgjedhjeve, i cili është në të njëjtën kohë certifikues i standardit të këtyre zgjedhjeve, të cilat kanë rëndësi jetike për Shqipërinë.
Berisha e di mirë këtë. Ai po ashtu e di mirë se Bashkimi Evropian do të ngrihej në këmbë, jo më për një refuzim të tillë, por dhe për një qëndrim jomikpritës ndaj vëzhguesve apo intimidim të tyre. Fakti që Berisha i di këto dhe bën më të rëndën, pra refuzon ambasadoren Glover, do të thotë se ai është i ndërgjegjshëm që kërkon konflikt doemos. Dhe kam frikë se ky zell i ka ardhur javët e fundit.
Arsyet mund të jenë të shumta, por kryesorja duket se janë skandalet publike të djalit dhe vajzës së tij lidhur me lobimin e kontratës së Gërdecit dhe lobimin rreth koncesioneve nga vajza e tij. Duke qenë se kjo është një histori që do të vazhdojë gjatë në drejtësinë shqiptare, Berisha nuk e përballon dot më në mënyrë demokratike drejtimin e vendit. Atij do t’i duhet të jetë, ose demokrat dhe të respektojë drejtësinë, ose të bëjë luftë për të ndarë palët në llogore dhe për të bërë të pavlefshëm, së paku politikisht, çdo cenim të familjes së tij. Ky është i vetmi arsyetim që na bind pse kryeministri me vetëdije kërkon konflikt me institucionin certifikues të zgjedhjeve pikërisht tani që vendi zien nga skandalet financiare të familjes së tij. Duke destabilizuar procesin dhe duke e bërë atë të goditshëm, ai ka shanse të fusë duart në zgjedhje dhe të injorojë moscertifikimin e tyre. Ky është i vetmi skenar i sigurt që e mban atë në lojë si aktor të krizës, të cilën për ta zgjidhur do të na duhet kohë e gjatë dhe një kthim i fortë mbrapa. Të gjitha arsyet e tjera, që thotë Berisha, nuk qëndrojnë. Ato janë të pabesueshme.
Dyshimet janë rritur, pasi fare papritur, pas 12 vitesh, kryeministri Berisha zbulon se nuk ndjehet aspak fajtor për zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe konsideron përgjegjës të vetëm për imazhin e keq të atyre zgjedhjeve misionin e ODIHR dhe ambasadoren Glover. Ky qëndrim refraktar i kryeministrit Berisha ka krijuar një shqetësim të ri për standardet e zgjedhjeve që ai ka në mendje të bëjë më 28 qershor. Nëse Berisha i quan të rregullta zgjedhjet e 26 majit dhe fajtor të vetëm në këtë proces quan ambasadoren Glover, atëherë Perëndimi ka arsye të shqetësohet se ai do të përsërisë të njëjtin standard zgjedhjesh më 28 qershor dhe ky do të ishte një hap gjigant mbrapa i Shqipërisë nga proceset e integrimit evropian.
Nga ana tjetër, ambasadorja Glover është treguar e përmbajtur dhe ka bërë deklarata të kujdesshme. Ajo ka bërë thirrje që palët të lënë mbrapa vitin 1996 dhe të shikojnë përpara. Por, nëse ka një mënyrë që Berisha të provojë që ka ndryshuar nga viti 1996, ai duhet ta bëjë këtë duke pranuar që zgjedhjet të vëzhgohen nga ata që ai nuk i konsideron miq të tij. Vetëm në këtë mënyrë certifikimi i zgjedhjeve do të jetë i besueshëm dhe ai do të mund të rehabilitohet si kryeministër që ka bërë zgjedhje të lira. Rasti i ambasadores Glover është një rast i artë për të, për të provuar vullnetin e tij për zgjedhje të lira, rast që ai po e shpërdoron.
Nëse zoti Berisha ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira dhe nuk ka ndërmend të përsërisë vitin 1996, ai duhet të ndjehet mirë që në krye të misionit është e njëjta kryetare që ka konstatuar shkeljet e vitit 1996. Në rast se ai shkeljet e vitit 1996 nuk i konsideron reale dhe i vlerëson si të shpikura nga ambasadorja Glover, atëherë ai ka problem real me përfytyrimin e tij për zgjedhje të lira dhe më tej me standardet e zgjedhjeve që janë test për rrugën tonë drejt BE. Dyshoj shumë se Sali Berisha ka interes jetik penalizimin e arbitrit për të futur duart në zgjedhje dhe për të pozicionuar palët rreth së ardhmes jodemokratike të tij. Dhe ky është alarmi real, që duhet të ndjejmë sot, kur shikojmë papritur një kryeministër që ka aplikuar dy javë më parë për të hyrë në BE, të kundërshtojë njeriun e besuar nga Perëndimi për të gjykuar zgjedhjet shqiptare. Ai nuk ka asgjë me zonjën Glover, nuk ka asnjë emocion për atë që ka ndodhur në vitin 1996, pasi atë, të cilit i ka thyer dhëmbët në sheshin “Skënderbej”, e ka shef kabineti. Ai ka problem me të ardhmen e tij dhe po përpiqet të bëjë atë që di më mirë, konfliktin. Ai e ka mbajtur gjallë deri më sot.