Të pastrehët, nis projekti për 160 banesa të reja në 4 bashki
Erald Kapri
Bashkitë e Shkodrës, Korçës, Durrësit dhe Kavajës do të përfitojnë nga një projekt prej 3.5 milionë eurosh të Entit Kombëtar të Banesave. Në këto katër bashki ka nisur projekti për ndërtimin e katër pallateve me nga 40 banesa për çdo qytet, të cilat do të përfitohen nga të pastrehët. Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Ilir Proko, duke folur për gazetën e “Albania”, u shpreh se ky projekt ka nisur tashmë për këto katër bashki dhe sipas kushteve shpresohet që të mbyllet brenda 13 muajve. Drejtori Proko u shpreh se tashmë janë përcaktuar sheshet e ndërtimit dhe shpresohet që së shpejti të nisë puna. “I gjithë projekti ka një kosto prej 3.5 milionë eurosh dhe parashikon ndërtimin e katër pallateve në katër bashkitë, si Shkodra, Korça, Kavaja dhe Durrësi, ku shpresojmë brenda 13 muajve të dorëzojmë 40 apartamente për çdo qytet për të pastrehët”, - shprehet Proko. Sipas drejtorit të Entit të Banesave, ky projekt do të jetë një nga më cilësorët. Ai tha se ndërtimet do të jetë të një cilësie të mirë, të cilat mund të krahasohen me kushtet e tregut privat.
Projekti
Bashkitë që do të përfitojnë duhet të plotësojnë edhe disa kritere. Enti Kombëtar ka kërkuar nga to, krahas shesheve të ndërtimit, edhe një procedurë ndryshe. Sipas marrëveshjeve paraprake, Këshillat Bashkiakë duhet të miratojnë listën e përfituesve brenda këtij vitit. Sipas drejtorit Proko, kjo është bërë me qëllim që Enti ta dorëzojë projektin sa më shpejt. Këshillat bashkiakë kanë të drejtën ligjore që nëpërmjet kritereve të sakta, të miratojnë listën e përfituesve. Drejtori shpjegon se kësaj here projekti do të jetë më i mirë jo vetëm nga ana e cilësisë së ndërtimit, por edhe nga mënyra e menaxhimit të tij. Pallatet do të jenë nga 8 kate, duke përjashtuar Durrësin, dhe katet e para do të administrohen nga vetë Enti i Banesave, të cilat do të kthehen në dyqane. Shitja e tyre me kushte tregu do të mundësojë fonde shtesë, që do të përdoren për ndërtime të tjera për të pastrehët. “Katet e para janë kthyer në dyqane, pavarësisht se ishin programuar si apartamente, ndaj dhe kësaj radhe katet e para do të përdoren nga Enti për të krijuar mundësi financiare për të investuar më tej”, - shprehet Ilir Proko.
Të pastrehët
Këshillat e bashkive do të kenë në dorë fatin e të pastrehëve në bazë të listave që ka bashkia. Kuptohet që më të favorizuarat janë familjet me më shumë pjesëtarë, familjet me shtëpi të rrënuara që e kanë urgjente strehimin, familjet me kushte financiare të vogla si dhe familjet që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Njëkohësisht ekzistojnë edhe mundësi të tjera për të përfituar banesë. Mund të merret një kredi me kushte shumë të favorshme që e mundëson shteti dhe mund të strehohesh. Gjithsesi, Enti mund edhe të shesë banesa nga ato që ndërton. Shitjet e Entit janë me vlera më të ulëta sesa tregu i ndërtimeve, apartamenteve edhe për qytetarë të tjerë, nga fondet e të cilave përfiton rreth 4 për qind, që përdoren për nevojat e institucionit. Nga ana tjetër, përfituesit e këtyre apartamenteve, në pamundësi për të kryer blerje të menjëhershme të shtëpive të reja, përfitojnë edhe nga kredidhënia e zbutur përmes bankave, ku një pjesë të interesit e paguan buxheti i shtetit dhe pagesat e tyre mujore arrijnë shifra modeste. Sipas të dhënave, numri i të pastrehëve mbetet shumë i madh, ku vetëm në Tiranë numërohen rreth 3 mijë familje, ndërsa në të gjithë vendin shifra është rreth 40 mijë.
26 Prill 2008