Mediu në Tepelenë: “PR-ja, partia e ish-pronarëve”
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë së kësaj force, zhvilluan një takim në Tepelenë. Gjatë fjalës së tij Mediu tha se qëllimi kryesor është që këto zgjedhje të jenë të lira dhe transparente, të arrijnë standarde të larta, në mënyrë që vota e shqiptarëve të jetë e pakontestueshme. Kryetari i republikanëve ka bërë të ditur se PR-ja ka qenë e vetmja parti në Parlament që ka mbështetur kthimin e pronës tek i zoti. “Partia Republikane që në fillimet e saj ka qenë mbrojtëse dhe përfaqësuese e ish-pronarëve. Që në themelimin e PR-së ne kemi kërkuar kthimin e pronës pronarit dhe njohje të pronës private. I kemi përfaqësuar në Parlament, për legjislatura të tëra, pronarët, duke ngritur zërin për kërkesat e tyre. Asnjë forcë tjetër politike, parlamentare, opozitare apo në maxhorancë, nuk e ka bërë këtë si e ka bërë PR-ja. Unë u drejtohem nga Tepelena të gjithë pronarëve, të mos lejojnë individë të caktuar t’i përfaqësojnë, individë, të cilët, për interesa personale politike, mohojnë, kërkojnë të prishin këtë marrëdhënie midis PR-së dhe ish-pronarëve”, - është shprehur kryetari i Partisë republikane, Mediu.
1 Maj 2009