KLD-ja vlerëson sondazhin e financuar nga USAID-i
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerësoi dje rezultatin e sondazhit të publikuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), i cili tregon për një rritje të besimit të publikut ndaj gjykatave në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë thuhet se KLD-ja, duke pasur në fokus rëndësinë e dhënies së drejtësisë, por edhe rëndësinë e perceptimit të saj në publik, ka ndjekur me kujdes të veçantë rezultatet e sondazhit mbi “Korrupsionin në Shqipëri”, - të shpallur nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), financuar nga USAID-i. Në deklaratë thuhet gjithashtu se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me përgjegjësinë e organit qeverisës ndaj sistemit gjyqësor, rikonfirmon predispozitat e tij të plota në marrjen e të gjitha masave për përmirësimin e integritetit të Gjyqësorit shqiptar, duke investuar në çdo vendimmarrje të tij elemente që i shërbejnë më së miri funksionimit të Drejtësisë. “Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem shumë serioz. Fatmirësisht përvojat personale të publikuara me korrupsionin kanë rënë, por perceptimet për këtë fenomen vazhdojnë të jenë të larta. Besimi i shqiptarëve tek institucionet vazhdon të mbetet i ulët, ndërsa transparenca e institucioneve është një çështje kritike. Publiku në përgjithësi, por edhe vetë zyrtarët, mendojnë se korrupsioni është një dukuri masive. Korrupsioni po u merr shqiptarëve energji, kohë dhe para, që mund të ishin shpenzuar më mirë në projekte pozitive. Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe po merr hapa të tjerë drejt Bashkimit Europian, drejt zhvillimit, infrastrukturës dhe reformave në ekonomi. Por është e qartë se korrupsioni kërcënon të gjitha këto që janë arritur”, - u shpreh Roberta Mahonei, drejtoreshë e USAID-t.
1 Maj 2009