E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu në qeveri, zgjedhje anti-ekologjikeNga Fitim ZekthiEmërimi i anëtarëve të një qeverie është përgjithësisht një detyrë delikate, pasi veç të tjerash ajo bart simbolikë, por dëshmon edhe se çfarë kërkohet të bëhet. Është e qartë se më në spikamë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mediu në qeveri, zgjedhje anti-ekologjikeNga Fitim Zekthi

Emërimi i anëtarëve të një qeverie është përgjithësisht një detyrë delikate, pasi veç të tjerash ajo bart simbolikë, por dëshmon edhe se çfarë kërkohet të bëhet. Është e qartë se më në spikamë të diskutimeve për anëtarët e qeverisë së tashme të Shqipërisë është ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili me këmbëngulje kërkoi të mos merrej në gjykim përgjegjësia e tij në një plojë ku u vranë fëmijë e të pafajshëm. Ai është ministër për çështje të ekologjisë dhe të ambientit. Nuk ka dyshim se emri i tij do të lidhej me shumëçka kishte si domethënie shpërthimi vrastar i materialeve ushtarake në Gërdec, por në Ministri të Mjedisit ai është plotësisht vetë domethënia. Sot ekologjia dhe lëvizjet në mbrojtje të mjedisit janë çështje shumë të mëdha, dhe ato ka disa vite që nuk shihen më si betejë thjesht për makina pa ndotje, për kujdes ndaj emetimit të karbonit, për luftë me mbetjet e konsumerizmit etj., por kërkohet që të shkohet tek ekologjia në politikë, në drejtësi, në çështje të arsimit etj. Ekologjia dhe ngulmimi për të mbrojtur mjedisin kanë ndryshuar mënyrën se si vendet e botës së Perëndimit shohin të tashmen, mënyrën se si duhet të merren vendimet, mënyrën se si duhet të sillen njerëzit dhe shoqëria. Ekologjia është kundërshtare e ashpër e faktit që objektet dhe mundësitë që universi, mjedisi bartin, duhen përdorur për të arritur një qëllim tëndin politik. Kjo është një filozofi që mbështetësit e lëvizjes ekologjike në Francë apo Gjermani, në Danimarkë apo Çeki janë duke e aplikuar. Vende të tjera po hyjnë pa ndalur në këtë sfidë. Bash këtu është fillimisht e qartë domethënia e shpërthimit në Gërdec, tek qenia ministër Mjedisi e Fatmir Mediut. Z. Mediu është duke e parë ende botën, këtë rast Shqipërinë dhe qeverinë, si një tërësi objektesh dhe mundësish që ai duhet t’i përdorë pa asnjë kufizim në interes të qëllimit të tij politik. Ai përdori ashpërsisht një rrethanë formale të ligjit për të mos u gjykuar. Të gjithë e dinë se imuniteti parlamentar është për një qëllim tjetër, megjithatë ai u përdor ndryshe nga z. Mediu. Kjo është kundërshtia e tij e parë me ekologjinë politike. Të jesh ministër Mjedisi sot, kur kjo çështje po bëhet pjesë e debateve të mëdha dhe pjesë e përpjekjeve të partive të botës perëndimore (sidomos të majta), do të thotë ta shohësh botën, ambientin dhe burimet e saj si një tërësi, ku rregullat e përgjithshme duhen respektuar dhe të mos shohësh qëllimin tënd politik apo material. Askush nuk ka të drejtë të thotë se z. Mediu është përgjegjës i drejtpërdrejtë për ndodhitë në Gërdec, sa kohë gjykata nuk e ka bërë, por tashmë që gjykata nuk do të thotë asgjë, asnjëherë, të gjithë kanë të drejtë të shohin me dyshim se si Mediu sillet në politikë dhe si ai i bën zgjidhjet e çfarë identiteti shfaq. Lëvizjet ekologjike sot e kanë shtyrë përpjekjen e tyre drejt ndërtimit të një modeli të sjelljes shoqërore, ajo kërkon të formësojë një solidaritet të ri social, në mënyrë që kjo të përdoret si kapital për të ndalur ndotjen dhe për të ndalur shpërdorimet. Ekologjia politike kërkon të përfshijë, dhe ka arritur ta bëjë këtë në disa vende (të cilat ne shpresojmë t’i gjejmë në një familje pas pak kohe), në armiqtë e ambientit edhe probleme të tilla të kohës së sotme që nuk maten fizikisht, si dhimbja, dashuria, stresi, cenimi i lirisë, mungesa e solidaritetit etj., etj. Këtu duket se z. Mediu duhet të jetë njeriu më anti-ekologjik në politikën shqiptare, pasi në dyert e gjykatës disa nëna që kanë humbur fëmijët apo gra që kanë humbur burrat, presin një gjyq. Dhimbja nuk mund të ketë një masë tek to. Shqiptarët në tërësi janë para këtij fakti, jo në pozitën e familjarëve, por të bashkëqytetarëve. Ekologjia që do të përpiqet të paraqesë Mediu në Ministrinë e Mjedisit do të jetë e dërgimit të mesazheve telefonike për të mos përdorur makinën, do të jetë ndonjë vizitë te ndonjë zonë në Tiranë me pluhur apo te ndonjë fabrikë që po vendos filtra të ajrit e ku Mediu shfaqet si njeri i suksesit. Padyshim ai ka marrë anën më të ulët të asaj që është ekologjia. Nga një pikëpamje politike ai ka rënduar gjithë qeverinë, e cila e ka këtë gjë një gjyle të rëndë të lidhur në këmbë. Politika më së pari nuk mbështetet mbi çështjet, por mbi identitetin personal apo partiak. Personalisht Mediu duke shkuar me ngulm te Mjedisi nuk është thjesht anti-ekologjik, por një njeri që përdor gjithçka për të arritur një qëllim, pavarësisht asaj që duhet të kufizojë një politikan. Çështjet në politikë shërbejnë për të krijuar një identitet politik, në rast se ato përdoren për të krijuar një imazh të mirë, por nuk janë identitet dhe për më tepër ato janë krejt kundër teje kur i keqpërdor. Mediu u bë ministër për arsye që të gjithë i dinë, por këndvështrimi nga një pikëpamje ekologjike i shton një përmasë asaj që të gjithë dinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›