MASH pranon gabimet te “Historia 12”
Zirina Llambro
Ministria e Arsimit pranon gabimet në tekstin e Historisë 12, të shkollave të mesme. Kreu i këtij dikasteri deklaroi dje se brenda këtij viti, ky tekst do të rishikohet. Ai theksoi se është ngritur tashmë komisioni i posaçëm, që do të merret me shqyrtimin e të gjitha botimeve shkollore. “Teksti i historisë do të korrigjohet. Do të jenë pjesë e këtij procesi të gjitha tekstet që kanë gabime. Që këtë vit ne kemi ngritur një grup specialistësh, të cilët do të shohin tekstin dhe do të bëjnë ndërhyrjet e duhura”, tha Tafaj. Që prej më shumë se një jave, teksti i historisë është bërë objekt i shumë polemikave. Pas denoncimit nga opozita, për trajtim me ngjyrim politik të disa ngjarjeve historike, reagime pati nga vetë autorët, historianët dhe opinioni publik. Fillimisht Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në deklaratat e saj e cilësoi tekstin brenda standardeve. Madje me anë të një deklarate për mediat, parashtroi edhe mënyrën si përzgjidhen botimet shkollore nga komisionet e posaçme, por edhe nga prindërit e mësuesit. “Komisioni i Miratimit të Teksteve bën vlerësimin mbi bazën e dokumenteve ligjore që paraqiten. Tonet politike për tërheqjen e teksteve nuk i bëjnë nder vendit”, deklaroi një javë më parë zëvendësministri, Halit Shamata. Ai shtoi se MASH nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë në të drejtën e autorit, e cila mbrohet me ligj, por brenda kuadrit ligjor ky dikaster ka një procedurë të miratimit të teksteve shkollore. “Nuk e di se çfarë ndjesie publike shkakton fakti, që një tekst historie bëhet alibi për mos hyrjen e opozitës në Kuvend. Tonet ultimative për tërheqjen e tekstit në një kontekst më të gjerë aktual e politik, nuk i bëjnë nder askujt”, tha zv/ministri. Pas kësaj kanë qenë vetë nxënësit ata që kanë kërcënuar me protesta, në rast se “Historia 12” për maturantët nuk ndryshohet. Siç duket Ministria e Arsimit ka reflektuar dhe vetë kreu i saj ka pohuar se qëndrimi i këtij dikasteri ndaj tekstit do të jetë kryekëput i ndryshëm nga sa është deklaruar më parë.
Ps: Të hiqet nga qarkullimi teksti i historisë
Edhe pas deklaratës së ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj për korrigjimin e tekstit të historisë, opozita kërkon tërheqjen urgjente të librit nga qarkullimi. Ka qenë sërish deputetja e PS-së Ledi Shmaku, e cila është shprehur në një deklaratë për mediat, se nuk ka kohë për korrigjime, ndaj libri duhet të tërhiqet nga të gjitha shkollat e vendit. "Dje, porositësi i tekstit të turpshëm të historisë, neodiktatori Sali Berisha, u shpreh se ky tekst paskësh nevojë për korrigjime. E kështu sot, vasali i tij, Ministri i Arsimit, doli dhe pranoi publikisht se teksti ka probleme dhe do të korrigjohet brenda vitit. Kjo vërteton edhe njëherë atë çka u thamë shqiptarëve: në këtë vend nuk po ka më institucione të lira që bëjnë punën e vet. Nuk ka as ministra", tha Shamku.
Kaba: Një historian serioz shmang termat dhe përkufizimet
Shefi i departamentit të Historisë së Sotme, në Institutin e Historisë, prof. Dr. Hamit Kaba, i ka quajtur të panevojshme termat e përdorur në tekstin e Historisë së klasës së 12. Madje ndikuese tek lexuesit, në rastin konkret nxënësit, duke qenë se shqiptarët konsumojnë shumë politikë. Prof. Kaba thotë se historianët duhet të jenë tepër të kujdesshëm dhe të mos japin interpretime dhe përkufizime, kur bëhet fjalë për historinë bashkëkohore. Sa i përket ngjarjeve të '97-ës, ai thotë se ndonëse nuk mund të flasë me kompetencë për këtë pjesë, për shkak të distancës së vogël kohore, nuk mund të konsiderohet "rebelim komunist", pasi si i tillë, ai duhet të sillte një qeverisje komuniste, gjë që nuk ndodhi.
Z. Kaba, ju jeni specialist i historisë së sotme, sa e vështirë është të trajtosh këtë pjesë të historisë?
Nëse historia e para viteve '90 po shkruhet mbi bazën e dokumenteve arkivore shqiptare e të huaja, për 25 vitet e fundit nuk ekziston kjo mundësi. Ligji arkivor shqiptar, ashtu si në të gjithë botën, nuk lejon shfrytëzimin e dokumenteve të 25 vjetëve të fundit dhe kjo është një pengesë e madhe. Problem tjetër është që disa procese janë në zhvillim dhe për ngjarjet që janë në proces kemi një njohje të kufizuar, sepse nuk kemi dokumentet arkivore, njerëzit që bëjnë historinë janë gjallë. Por ndikon edhe faktori politik, sidomos në një vend si Shqipëria me traditë shumë modeste në demokraci. Për mendimin tim, kjo pjesë e historisë mund të shkruhet duke dhënë vetëm fakte dhe jo përkufizime, apo interpretime të njëanshme.
Sa emocional mund të jetë një historian gjatë punës së tij?
Historianët janë njerëz si gjithë të tjerat, jetojnë në Shqipëri, kanë perceptimin e ambienteve ku jetojnë, disa janë anëtarë të partive politike, disa nuk janë, por mendoj që historianët duhet të kenë parasysh parimin e objektivitetit, duhet të jenë shumë të matur e të durueshëm, kur shkruajnë e të mos ndikohen nga politika.
A është i kohës përdorimi i shprehjeve të tilla si "epokë e re", "korrupsion i paparë", në një tekst shkollor historie?
Përdorimi i këtyre termave nuk është i vlefshëm për të gjitha periudhat historike. Ne, duke trashëguar nga periudha e kaluar, frymën e urrejtjes ndaj armikut të klasës, ndaj armiqve të Shqipërisë, e kishim të zhvilluar këtë mënyrë të konceptuarit të botës, ndërsa në historinë e vendeve të qytetëruara ka një mënyrë tjetër trajtimi, pa epitete. Kjo mënyrë të shkruari mund të ndikojnë tek njerëzit, nxënësit, duke ditur që ne shqiptarët jemi shumë të ndjeshëm, konsumojmë shumë histori e politikë dhe historinë e afrojmë më shumë seç duhet me politikën. Kështu që për një historian serioz zgjidhja më e mirë është shmangia e këtyre gjërave.
Autorët e Historisë 12 i kanë quajtur "rebelim komunist" ngjarjet e '97-ës, është i saktë ky përkufizim?
Nuk mund të flas me kompetencë për '97-ën, pasi nuk ka shumë kohë që ka ndodhur. Është një ngjarje për të cilën ka opinione të ndryshme nga politika, por nuk ka studime të mirëfillta shkencore nga shqiptarët dhe të huajt. Edhe kjo ngjarje mund të përfshihet në tekste, por e trajtuar me shumë kujdes dhe profesionalizëm. Përkufizimi "rebelim komunist" nuk është i përshtatshëm, për arsye të ndryshme. Një rebelim komunist do të sillte një qeverisje komuniste, por zgjedhjet të cilat nuk ishin edhe aq normale, sollën në pushtet socialistët, të cilët vijuan rrugën e demokratëve. al.mi
Dezhgiu: Historia do korrigjohet pas një viti
"Do ta korrigjojmë librin vetëm pas një viti". Kështu u shpreh dje një nga autorët e tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar 12, prof.dr. Muharrem Dezhgiu. Historiani tha se nuk ishte në dijeni mbi deklaratën një dite më parë të Kryeministrit Sali Berisha, sipas së cilës, ngarkohej Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për rishqyrtimin e kësaj çështjeje, pse jo dhe rishikimin e tekstit. Pyetjes se nëse do t'u kërkohej ta rishikonin librin e historisë, Dezhgiu iu përgjigj se do të bënin të gjitha korrigjimet e nevojshme vetëm pas një viti. "Ashtu si funksionon në të gjithë botën. Vetëm pasi të kemi dëgjuar të gjitha vërejtjet nga ana e nxënësve, mësuesve, politikës dhe kolegëve, atëherë do të bëjmë korrigjimet e duhura të atyre gjërave, për të cilat diskutohen", - tha Dezhgiu. Pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, dje Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj u shpreh i gatshëm për korrigjimin e çdo gabimi në tekst, brenda vitit. Si kundërpërgjigje përfaqësuesit e opozitës kërkuan tërheqjen e menjëhershme të tekstit të Historisë 12 nga qarkullimi, pa pritur ndreqjen e gabimeve. Por pavarësisht deklaratave, që i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës, historiani Dezhgiu u shpreh se autorët e këtij teksti (Beqir Meta dhe Xhevair Lleshi, njëkohësisht drejtues i shtëpisë botuese "Uegen") janë të hapur për vërejtje, por janë të mendimit që ky libër të vazhdojë të qarkullojë. "Ky libër duhet të vazhdojë të qarkullojë, si një tekst alternativ i një teksti historie, i cili ka ekzistuar i vetëm për dhjetë vjet me radhë, në mënyrë që edhe nxënësit të mund të kenë një këndvështrim tjetër të historisë, e cila pse jo të shërbejë edhe për të hapur debate", u shpreh Dezhgiu, teksa shton se nëse u kërkohet, libri i korrigjuar do të jetë gati për vitin tjetër shkollor. Dy ditë më parë, bashkautori, Beqir Meta, u shpreh gjithashtu i hapur ndaj vërejtjeve, duke mos e quajtur absolut variantin e tyre, megjithatë e ka konsideruar si të turpshëm presionin që politika po bën ndaj historianëve. al.mi