Zhvlerësimi i lekut, në një muaj nga kreditë paguhen 11 milionë euro më shumëNga TemaBizneset dhe konsumatorët shqiptarë, që kanë për të paguar një këst mujor të kredisë, po i paguajnë ato me rreth 9% më shtrenjtë se sa ato ishin para janarit të këti
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Zhvlerësimi i lekut, në një muaj nga kreditë paguhen 11 milionë euro më shumëNga TemaBizneset dhe konsumatorët shqiptarë, që kanë për të paguar një këst mujor të kredisë, po i paguajnë ato me rreth 9% më shtrenjtë se sa ato ishin para janarit të këtij viti. Në Shqipëri numri i kredive që janë në euro kap rreth 75% të totalit të numrit të kredive. Sasia në pará e kredive që janë aktualisht në veprim në vend është rreth 4 miliardë euro. Banka e Shqipërisë bën me dije se kreditë janë të gjithfarëllojshme, të afateve dhe të vlerave të ndryshme. Gjithashtu ato ndryshojnë edhe në normë të interesit, megjithatë një llogaritje e përafërt e gjithë vlerës së kësteve të tyre mujore, që paguhen më shumë në një muaj, kur vlera e euros është bërë rreth 9% më e lartë se sa ishte një vit më parë, është e tillë që shkon në rreth 11 milionë euro. Kjo është një vlerë shumë e lartë, po të llogarisësh se ajo paguhet për çdo muaj. Kështu, në një vit vlera kapërcen 100 milionë euro dhe kjo është e gjitha një kosto shtesë e asaj që paguajnë konsumatorët dhe bizneset që kanë kredi në euro. Banka e Shqipërisë gjithnjë ka shprehur shqetësim mbi sasinë e madhe të kredive që jepen në euro dhe ka kërkuar që ato të reduktohen dhe të jepen në lekë. Edhe kredi me vlerë të vogël prej katër apo pesë milionë lekësh të vjetra janë dhënë në euro. Kjo është një prej arsyeve, pse rëndimi i vlerës së lekut është me pasoja. Veç kësaj, siç edhe është thënë, pesha e zhvlerësimit të lekut ka efekt edhe te çmimet e mallrave të konsumit, pasi pjesa më e madhe e asaj që konsumohet në vend vjen nga importi, çka do të thotë se ato blihen në euro. Banka e Shqipërisë është ndër të vetmet institucione të kësaj natyre në botë që krizën ekonomike e ka kuptuar si një problem që zgjidhet me deklarata dhe jo me ndërhyrje. Banka e Shqipërisë ka folur me shqetësim për shumë probleme në fushën financiare dhe bankare, ku më shqetësueset janë rënia e kredive, mungesa e likuiditetit në treg dhe normat e larta të interesit. Së fundi është bërë mjaft shqetësues edhe kursi i këmbimit. Duhet thënë se dy ditët e fundit leku ka fituar pikë në mënyrë të ndjeshme dhe gjasat janë që Banka e Shqipërisë për herë të parë të ketë bërë një ndërhyrje të fortë.
Euro humbet 3,5 pikë, BSH nuk flet për ndërhyrje të saj
Monedha evropiane, euro, ka humbur 3,5 pikë kundrejt monedhës shqiptare, lekut, gjatë tri ditëve të fundit në këmbimet valutore, pas forcimit që pati ditët e fundit, duke arritur dhe kuotën më të lartë të vitit në këmbimet valutore. Rënia kaq e fuqishme e vlerës së monedhës euro, ku për dy ditë ajo humbi 3,5 pikë, është një lajm i shkëlqyer për ekonominë, por ekspertët nuk mundin të shpjegojnë pse po ndodh kjo gjë, kur nuk ka të dhëna për ndonjë ndryshim të madh në parametrat e tregut. Banka e Shqipërisë nuk raporton të ketë ndërhyrë dhe hedhur në treg valutë euro, që do të rrisë ofertën dhe rrëzonte vlerën e lekut. Leku, përkundër asaj që po ndodhte nga janari e deri dy ditë më parë, ka nisur të rritet fort. Në të vërtetë ai tri ditë më parë pësoi një goditje shumë të ashpër. Në rast se nuk do të kishte ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë, por euro do të ishte ndalur vetëm për shkak të deklaratave të ministrit të Financave, atëherë ajo thjesht do të vazhdonte trajektoren që kishte para pak ditësh dhe nuk kishte arsye pse të binte vrik me 3,5 lekë në dy ditë. Pavarësisht të gjithave, është Banka e Shqipërisë që duhet të jetë transparente dhe të tregojë, nëse ka ndërhyrë, në mënyrë që të kuptohet realisht, cila është kahja e zhvillimeve.
Dje një euro blihej në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 133,8 lekë dhe shitej me 135 lekë, ndërkohë që tri ditë më parë (24 shtator) një euro është blerë në tregun valutor mesatarisht me 137,3 lekë dhe është shitur me 138,5 lekë. Ndërkohë, në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, një euro është blerë në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 123,7 lekë dhe është shitur me 124,2 lekë. Në fillim të këtij viti, një euro blihej me 123,3 lekë dhe shitej me 123,8, ndërsa gjatë vitit të kaluar, euro e kishte kuotën më të lartë të këmbimit ndaj lekut në muajin mars, kur blihej me 125,3 lekë.